“Ajo që kërkojmë ne është diçka plotësisht parimore. Po kërkojmë një ndryshim që është plotësisht i bëshëm sot, i miratueshëm nga Parlamenti dhe në aspektin teknik nuk ka asnjë pengesë. Ajo që ne kërkojmë është, ndryshimet sot, në Ligjin për dekriminalizimin në mënyrë që deputetë dhe funksionarë të këtij niveli, të mos jenë në parlament, të mos ushtrojnë funksion publik, kur janë të arrestuar në flagrancë për krime për vrasje ose plagosje. Nuk mundet që një person i tillë të ushtrojë një funksion publik, që kërkon besim publik. Ajo që ne kërkojmë është që, me ligj, kjo kategori të përjashtohet menjëherë nga parlamenti në ushtrimin e funksioneve, pra të pezullohet në ushtrimin e funksionit deri sa të marrë një vendim gjykata. Nuk kërkojmë më shumë se kaq. Eshtë ndryshim parimor, është një procedurë e ndjekur tashmë nga mazhoranca. Ju kujtoj ndryshimet në momentin e fundit në Ligjin për reformën territoriale, ku për të akomoduar kërkesat e PDIU, Shpëtim Idirizit, u ndryshua ligji duke krijuar njësi fare të vogla në kundërshtim me standartet, kurse ajo që kërkojmë ne është parimore, është largimi i personave kriminelë të arrestuar në flagrancë për vrasje ose plagosje nga parlamenti. Eshtë kaq e thjeshtë dhe çdo gjë tjetër është kacavjerrje mbi xham, vetëm e vetëm për të mbrojtur kriminelët. Vetëpezullimi nuk ekziston as si kriter ligjor dhe aq më pak, kriter kushtetues, për rrjedhojë vlera është nul”.
Prononcimi për mediat i deputetit, Oerd Bylykbashi mbi kërkesën e PD për të përjashtuar, të zgjedhur apo zyrtarë të kapur në kushtet e flagrancës për krime si vrasja apo plagosja, 26 Shkurt 2016