Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës dorëzoi sot propozimin për uljen e taksave bashkiake.
Kjo është një kërkesë e përsëritur e këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës.
“Paraqitëm sot kërkesën për të minimizuar taksat në kufirin që e lejon ligjin, pra 30% më pak se nga ishin parashikuar dhe për më tepër, uljen e një numri tarifash dhe heqjen e taksës për arsimin, sepse në gjykimin tonë si atëherë dhe sot vijon të jetë një taksë antikushtetuese. Sot, duke patur parasysh dhe ndjeshmërinë që ka shkaktuar tek biznesi, buxheti dhe paketa e re fiskale, të cilat tashmë pothuajse detyrojnë 25 mijë biznese të Tiranës të mbyllen, ne ripërsëritëm kërkesën tonë e cila nuk u mor në shqyrtim herën e parë dhe shpresojmë shumë që të merret në shqyrtim sot ose në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak”, u shpreh kreu i Këshilltarëve të PD në Bashki.
Olli u ndal dhe në rëndësinë e heqjes së tarifave të reja që ka vendosur Erion Veliaj.
“Nga ana tjetër, duke patur parasysh tarifat e çmendura, të cilat janë autoritet i bashkisë së Tiranës që i kanë gjunjëzuar komplet bizneset, ne kemi kërkuar rikthimin e tyre në nivelet e mëparshme dhe heqjen e tarifës së liçensimit e cila sërish është një tarifë abuzive. Janë të gjitha kërkesa që besoj duhet të gjejnë mbështetjen e të gjithë këshilltarëve në këshillin bashkiak, pavarësisht ngjyrimit politik”, tha Olli.
Prononcimi për mediat i kreut të këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli, 23 Shkurt 2016