Së pari dua t’u falenderoj që keni ardhur dhe që keni reflektuar në të kaluarën dhe besoj edhe në të ardhmen me korrektesë të gjitha shqetësimet që Partia Demokratike ka ngritur në lidhje me denoncimet që kemi bërë për tenderat abuzivë dhe për koncensionet. Ne në mënyrë periodike gjatë dy viteve e gjysëm kemi ngritur shqetësimet për tenderimet abuzive në disa institucione dhe për disa koncensione që janë shqetësuese për buxhetin e shtetit dhe për pasojat që këto do të kenë në të ardhmen dhe sigurisht që nuk do të ndalemi këtu. Do të vijojmë të bëjmë jo vetëm denoncimet dhe të ngrejmë shqetësime por edhe të ofrojmë alternativa.

Së pari të sqarojmë së pari dy gjëra:

Si parti e djathtë, PD nuk është kundër parneritetit publik-privat dhe nuk është kundër koncensioneve. Kemi qenë dhe jemi të një ideje që janë disa shërbime të koncensionuara më mirë nga privati sesa nga shteti. Kemi qënë dhe jemi të një ideje të nje shteti të vogël dhe kemi qënë dhe jemi për një ide se konkurenca e lirë dhe tregu mund të ofrojë shërbime me kosto më të ulët dhe më pak burokraci.

Së dyti, me termin e koncesionit dhe partneritetit publik privat është abuzuar të paktën në 900 ditët e fundit, me idenë që, gjërat që nuk tenderohen dot dhe gjërat që kanë vështirësi tenderimi, qeveria është duke i dhënë me koncension ose është duke përdorur konceptin e parneritetit publik privat.

Lajmi është që në 900 ditë për të gjitha koncensionet që ose janë realizuar ose janë në proces kemi një kosto për buxhetin e shtetit prej 660 milionë euro. Kjo e llogaritur sigurisht mbi të gjithë informacionin në atë që kanë dhënë ministritë përkatëse të linjës dhe qeveria.

Kampion është shëndetësia, dhe unë kam përgatitur edhe një informacion në tabelë. Kemi 3 partneritete publike private të cilat kanë përfunduar por janë një sërë të tjerash në proces. Eshtë Check Up-in me vlerë 120 mln euro. Kemi denoncuar dhe do të vijojmë të denoncojmë aferën e Check-Up-it me shqetësimet që kanë pasur qytetarët. Eshtë edhe hemodializa dhe koncensioni për setet e steriilizmit. Në total 287,4 mln euro dhe së bashku me tenderët abuzivë, vetëm shëndetësia ka 338 mln euro abuzime, para që mund ti kishin shkuar buxhetit të shtetit.

Në fakt praktikën e koncensioneve dhe abuzimeve me konceptin e parneritetit publik privat e filloi ministria e Financave, ku Crown Agents, megjithëse nuk quhet koncension por u quajt asistencë teknike, është praktikisht bashkë menaxhimi i doganave nga qeveria shqiptare me kompaninë e njohur angleze që i kushtoi buxhetit 8.2 milionë euro, për të humbur 400 milionë euro në këto dy vite e gjysëm nga tatimet dhe doganat. Ky partneritet prezupozohej se do të sillte në buxhetin e shtetit 100 milionë euro.

Ne kemi denonconcuar Skavicën për pjesën e Katundit të ri, një koncension që i kushton buxhetit të shtetit 100 milionë euro. E kemi konsideruar një koncension abuziv duke pasur parasysh se ekziston një studim në ministri që nga viti 2009 që në mënyrë të detajuar parashikon se si duhej bërë ky investim dhe në momentin që ekziston ky studim nuk ka pse të vijë një ofertë e pakërkuar dhe nuk ka pse të nisë një procedurë e tillë për diçka që ministria e ka studimin dhe mund të niste një proces tjetër por jo këtë që ka filluar

Mbasi ne denoncuam koncesionin e targave prej 95 milionë eurosh, 50 euro për qytetar, ministria e pranoi se ka ardhur një ofertë e pakërkuar edhe në këtë rast.

Për ministrinë e Financave kemi një rast ekzemplar, koncensionin e TVSH-së. Eshtë hera e parë jo vetëm në këto 25 vite por në historinë e administrimit fiskal që një shtet mendon që një të drejtë të vetën tia kalojë një koncensionari. Kemi përgatitur edhe një grafik, ku nëse do të kishim vetëm shtetin që do të mblidhte të ardhura do të kishim këtë ndarje të ardhurash ku të gjitha do të vinin në buxhetin e shtetit.

Në fund të 10 vjeçarit, duke parashikuar normën e rritjes që ka parashikuar qeveria, prezuposohet që koncensionari në fund të 10 viteve do të ketë marrë 133.15 mln euro dhe qeveria 14 milionë euro. Për çdo 10 lekë TVSH që ne do të paguajmë, 9 lekë ne do tia paguajmë koncensionarit dhe vetëm 1 lekë do të shkojë në buxhetin e shtetit.

E kjo nuk mjafton, sepse Ministria e Shëndetësisë lajmëroi për 6 PPP të reja, duke filluar me koncensionin e laboratorëve. Njëkohësisht ministria e Ekonomisë ka vendosur një informacion ku 70 shërbime apo asete do të jepen me koncension me një vlerë prej 375 miliardë lekë apo rreth 300 milionë dollarë duke e çuar këtë vlerën që unë parashikova këtu pothuaj në 1 miliardë euro. Unë nuk besoj se ka një rast si Shqipëria ku nga mbetjet, tek varrezat, nga tatimet te doganat, nga rrugët te shendetesia,  të gjitha shërbimet janë duke u koncensionuar.

Dhe lajmi i fundit vjen nga shëndetësia! Ku Ministria ka nxjerrë njoftim që jo vetëm do të vazhdojë të koncesionojë, por do të përdorë paratë publike të marra nga kredia e Bankës Botërore për të bërë reklama për ti mbushur mendjen qytetarëve që koncensionet janë të mira. Nëse janë kaq të mira nuk e kuptoj pse duhet tua mbushim mendjen qytetarëve.

Por nëse ka një informacion që ne duam të mbetet sot është që; 660 milionë euro për 900 ditë të koncensionuara përveç atyre që janë në proces, ose 220 euro për çdo qytetar shqiptar, janë kosto shtesë që do të dalë nga xhepat e tyre në vitet e ardhshme për të kompensuar këtë humbje që ka në buxhetin e shtetit.

Pyetje: Zonja Tabaku folët për një numër të madh koncesioneve por kujtoj këtu që kryeministri Rama në fjalën e tij në Parlament tha që PD ka bërë mbi 170 koncesione gjatë gjithë qeverisjes së saj dhe pse mendoni se janë të gabuara këto koncesione aktualisht kur PD ka bërë të njëjtën gjë kur ishte në qeverisje?

Tabaku: Unë nuk kam qenë ndonjëherë dhe nuk më pëlqen që të filloj dhe të bëj krahasime, si ishim ne dhe si ishit ju por diçka është shumë e qartë. Nga 173 koncesione që u përmenden në Parlament, 95% janë koncesione të dhëna në fushën e energjitikës. Një burim natyror merret, shfrytëzohet, vijnë investimet e huaja, vjen kapital i huaj, realizohen punësime, koncensionari paguan edhe një fi koncensionare dhe kjo sigurisht në rastin kur shteti e ka të pamundur të investojë në këtë sektor. Ndërkohë që, koncensionet që ne po dëgjojmë sot janë të gjithë koncesione që kanë rrisk për buxhetin e shtetit.

Po marr shëndetësinë meqënëse është e prekshme. Ne do të paguajmë nga buxheti i shtetit 338 milionë euro të cilat mund të kishin shkuar për investime në shëndetësi dhe kjo sigurisht që nuk është një formë koncesioni. Ky është një tender që ata ia kanë dhënë një privati mundësinë që për 10 vite të marrë nga buxheti i shtetit këtë shumë parash. Kam këtu një raport të FMN-së, të 21 maj 2015, ku ka ngritur shqetësim për koncensionet dhe e konsideron partneritetin publik-privat dhe koncensionin si rriskun më të madh që mund të ekzistojë për buxhetin e shtetit. Rrisk i cili ka pasoja sepse të gjitha këto janë pasoja që të mbarten nesër në buxhete, për 10 vitet e ardhshme, 25 -30 vitet e ardhshme, për sa kohë do të jetë partneriteti publik-privat dhe shqetësimi kryesor është që shumica e partneriteteve publike-private ndodhin në sektorin e infrastrukturës siç janë energjia, transporti, uji, kanalizimet dhe telekomi. Por në rastin e Shqipërisë po ndodh edhe në sektorët e butë siç është shëndetësia dhe sigurisht që ky është një rrisk shumë i madh. Në qoftë se në 20 koncensione për të cilat ne po flasim, 9 i ka vetëm shëndetësia duke ditur situatën dramatike në të cilën është shëndetësia dhe sa nevojë ka për investime në shëndetësi sigurisht që kjo është një kosto shumë e madhe për buxhetin e shtetit.

Pyetje: Zonja Tabaku ju rendisni në hierarkinë e koncesioneve korruptive ato që janë dhënë në sektorin e shëndetësisë. Kryeministri Rama nga Durrësi tha që sulmohet ministri Beqaj për një arsye, sepse ka prishur lobingjet që kanë ekzistuar gjatë kohës së PD-së me barnat?

Tabaku: Sigurisht që çështjen e shëndetësisë e kemi sqaruar me detaje, do të vazhdojmë ta sqarojmë. Meqënëse ministria dhe qeveria ka vendosur që ta kenë shëndetësinë në qendër të diskutimeve të kësaj jave, por unë të paktën nuk kam sulmuar asnjëherë kënd personalisht por kam folur me fakte dhe faktet janë këto. Unë nuk e di se çfarë lobe të barnave mund të ketë prishur koncesioni i check-up-it për të bërë dy analiza të thjeshta merret një koncesion për 120 milionë euro, ose i seteve kirurgjikale, ose i hemodializës, që i jepet një bar-kafe në Berat.

Sigurisht që ky nuk më duket një lob që ka lidhje me PD ose mbështetje të PD. Ne flasim me shifra dhe fakte, fjalën dhe propagandën ia lëmë atyre. Qytetarët vetë e kanë parë, e kanë përjetuar se çfarë po ndodh me shëndetësinë.

Dje Partia Demokratike nëpërmjet kryetarit Basha paraqiti dy raste të analizave dhe unë as nuk jam specialiste e kësaj fushe dhe as nuk marrë përsipër që të flas për këtë fushë por analizat ishin ndryshe në sistemin e check-up-it dhe ndryshe të realizuara në privat, i kishin nxjerrë të dy pacientët e sëmurë.

Pyetje:  Po hartoni programin për ditën kur do të vini në pushtet. Sa i përket programit ekonomik a po përllogarisni edhe kostot pasi juve keni deklaruar se me të ardhur në pushtet do t’i rishihni një pjesë të tyre teksa po përmendi se ka kosto të lartë për buxhetin e shtetit, kryesisht në sektorët e butë. Si e keni llogaritur këtë pjesë edhe në programin tuaj ekonomik?

Tabaku: Për herë të parë një parti në opozitë është duke përgatitur një alternativë dhe jo duke dhënë premtime në erë siç ka ndodhur dhe siç ndodhi të paktën edhe për këto tre vite. Në programin ekonomik të PD, përveç paketës fiskale me propozime konkrete, të gjitha të kthyera në shpenzime për buxhetin, një analizë të veçantë po analizohet edhe tani për rrisqet. Rrisqet që këto koncensione kanë në buxhet dhe si do të shpërndahen në vijim. Është diçka që është duke u marrë në shqyrtim nga specialistët e PD-së.

Pyetje: Pak ditë më parë z.Basha tha se PD po përgatit për ta çuar dosjen në Prokurori  për çështjen e koncensionit të TVSH-së, për çështjen e kuponit tatimor. Në ç’fazë është deklarata që tha z.Basha? Keni gjetur shkelje penale për ta çuar në hetim penal koncensionin e TVSH-së tek llotaria?

Tabaku: Ne kemi denoncuar dhe në bazë të denoncimeve tona Prokuroria mesa di unë, në rastin e shëndetësisë ka nisur një hetim dhe sigurisht që ky ka ardhur nga informacioni dhe shqetësimi që kemi ngritur në këtë fushë. Koncensioni i TVSH-së pritet që të lancohet, në mos gaboj në fund të shkurtit dhe sigurisht që PD do të vazhdojë hapa të tjerë në momentin që ky proces fillon. Për momentin ky proces të paktën nga të dhënat e Ministrisë së Financave, të paktën nga informacionet që ne kemi është thjesht në kuadrin e propagandës mediatike dhe sapo ato të marrin hapat ligjorë sigurisht që edhe PD do të vazhdojë me hapat e tjerë për denoncimin, edhe konkretisht në bazë të informacionit që do të publikojë Ministria e Financave.

Pyetje: Ndërkohë të gjithë koncesionet që janë dhënë deri tani ju do t’i njihni kur të vini në pushtet? Ka shanse që ato të anulohen sepse ju thatë që z.Rama kur ishte në opozitë kishte deklaruar anulimin e disa koncensioneve të qeverisë Berisha dhe kur erdhi në pushtet ai që ishin të çimentuar dhe nuk mund të prisheshin nga ana ligjore.

Tabaku: Unë po ju marr një shembull, z.Rama kur ishte në opozitë ngriti shqetësimin për hidrocentralin e Vjosës. Kam të paktën 10 deklarata për shtyp të bëra nga selia e PS-së që Vjosa do të kthehet në një park kombëtar dhe kjo leje për këtë hidrocentral nuk do të jepet. Ndërkohë që në korrik 2015-ës kjo u firmos. Kemi një diferencë shumë të madhe ndërmjet procedurave të nisura në mënyrë ligjore dhe koncensioneve tradicionale që janë përdorur gjithmonë dhe koncensioneve që po zhvillohen sot. Sigurisht që këto do të kalojnë në analizë, do të kalojnë në një skanim nga ekspertët e PD-së dhe nga ana e PD-së për të vlerësuar të gjitha shqetësimet që ne kemi ngritur dhe sigurisht për të vazhduar me procedurat ligjore për të ndërprerë të gjitha ato koncensione që ne i konsiderojmë, së pari korruptive dhe së dyti në shkelje të ligjit.

Pyetje: Pse janë korruptive kur i jep  Rama dhe jo korruptive kur i jep Berisha?

Tabaku: Unë e bëra besoj një diferencë të dy rasteve të koncensioneve. Për mua rastet e shëndetësisë janë thjesht tendera të dhënë për një periudhë 10-vjeçare. Ndërkohë që koncensioni për shfrytëzimin e një aseti, një burimi sigurisht që lidhet me konceptin e koncesionit ashtu siç e kemi ne. Marrim rastin e TVSH-së, pse e kemi quajtur ne joligjore?

 Së pari, administrimi fiskal është me ligj detyrim i Financave. Së dyti, administrimi fiskal nuk është në fushën e koncensioneve sipas ligjit aktual, ose në fushën e sektorit publik-privat. Këto dy arsye dhe të dyja të bazuara në ligj sigurisht që e bëjnë konensionin e TVSH-së joligjor. Ne do të bëjmë denoncimin tonë, do të përgatisim informacionet tona pastaj është në dorë të organeve për të vazhduar hapat e metejshëm në qoftë se për ta pezulluar ose jo, nëse ata e konsiderojnë korruptiv. Për ne është joligjor dhe korruptiv.

Pyetje: A ka nismë për të ndryshuar tek ligji i koncensioneve në mënyrë që të hiqet dyshimi për koncesionet.

Tabaku: Meqënëse permendëm rastin e TVSH-së dhe mund të ndalem edhe atje. Na u tha që nuk do të ketë një ndryshim të kasave fiskale, ndërkohë që kompania që ka bërë kërkesën deklaron, referuar një media që do të ketë ndryshim të kasave fiskale. Sigurisht që kompania thotë se është më mirë të përdoren kasat tona fiskale por do t’ia lëmë qeverisë. Kjo është një kosto shtesë për buxhetin e shtetit, përveç asaj që unë deklarova këtu që do të merren nga të ardhurat nga mbledhja e TVSH-së. Ligji i koncensioneve është një ligj shumë i mirë, është një ligj i hartuar në 2013-ën, një ligj i ndryshuar në 2015-ën, është një ligj i hartuar me asistencën e Sigmës që herën e parë , edhe ndryshimet e 2015-ës patën disa përmirësime në drejtim të procedurave. Ne nuk po flasim për problematika që ekzistojnë në ligj, ne po flasim për problematika që lidhen me zbatimin e ligjit dhe interpretimin që këto po i bëjnë zbatimit të ligjit.

Kam dëgjuar qeverinë ditët e fundit që ka përshëndetur dhe ka vlerësuar raportin e “Standard & Poors”. Ne kemi ngritur shqetësim për financat publike për gjatë këtyre dy vite e gjysëm, po bëhen pothuajse tre vite, për rritjen e taksave, më shumë se për asgjë tjetër. “Standard & Poors” vlerëson që “Shqipëria në periudhën afatgjatë do të vlerësohet me B+ ne të njejtën kohë ne angazhohemi, thotë, dhe konfirmojnë se “ne periudhën afatshkurtër vlerësimi është B”. Ngre njëkohësisht shqetësim edhe për rënie të të ardhurave dhe të ardhura më të ulëta në performancë në vitin 2015 por dhe faktin që “disa nga rritjet e taksave nga qeveria aktuale që u zhvilluan në vitin 2013 kanë pasur një impakt negativ, ose impakt pozitiv për rritjen e sektorit informal por ne e konsiderojmë si impakt negativ dhe kanë kontribuar në këtë rënie të taksave”.

Sigurisht që nuk e themi me kënaqësi që e kishim thënë, as nuk ndjejmë fare kënaqësi që të themi që e kishim parashikuar, por faktet tregojnë që ekonomia ndodhet në një situatë të vështirë dhe vendosja e gjithë këtyre rrisqeve për koncensione, të cilat nëse llogariten, të paktën këto koncensione të përmendura dhe të nisura procedura në këto 900 ditë kanë një kosto rreth 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe për një vend si Shqipëria ky është një rrisk dhe një kosto shumë e madhe.


Deklarata për mediat e deputetes Jorida Tabaku, 9 Shkurt 2016