Partia Demokratike depozitoi në Kuvend dy iniciativa ligjore për dekriminalizimin dhe komisionet hetimore parlamentare.

Propozimi për dekriminalizimin, parashikon përjashtimin nga politika për funksionarët dhe të zgjedhurit kur ata arrestohen në kushtet e flagrancës të krimit kundër jetës dhe shëndetit.

Propozimi tjetër pamundëson bllokimin nga mazhoranca të punës së komisioneve hetimore përmes mospranisë së anëtarëve të mazhorancës, siç ka ndodhur deri tani në rastet e Komisionit Hetimor për Serverin e Tatimeve dhe Komisionit Hetimor për Emërimet në Administratën Publike.

Bashkëngjitur, dy iniciativat e depozituara në Kuvend nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.


 REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

KRYETARI

 Tiranë, më _____/_____/2016

DREJTUAR:            ZOTIT ILIR META

KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË

OBJEKTI:                 PROPOZOHET PËR SHQYRTIM DHE MIRATIM NJË PROJEKTLIGJ

BAZA LIGJORE:                 Neni 81 i Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe neni 68 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

  1. Kryetar i Kuvendit,

Në funksion të arritjes së qëllimeve të plota të procesit të dekriminalizimit, bashkëlidhur ju dërgojmë për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, sëbashku me relacionin shoqërues. Projektligji është iniciativë e deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Përsa më lart, kërkojmë shqyrtimin me prioritet të këtij projektligji në Kuvendin e Shqipërisë dhe miratimin e tij pa asnjë vonesë të pajustifikuar.

KRYETARI

EDI PALOKA

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

PROJEKTLIGJ

Nr. ______/2016

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 138/2015 “PËR GARANTIMIN E INTEGRITET TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE”

Në mbështetje të neneve 6/1, 81 pika 1 dhe 2, 83 pika 1, dhe 84 pika 4 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 2 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

  1. Fjalia e parë e paragrafit 1 ndryshohet si më poshtë vijon:

“1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo qarku, këshilltar në këshillin bashkiak apo të qarkut, drejtues të njësive administrative, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:”.

  1. Në paragrafin 2, të nenin 2, pas shkronjës “a”, shtohet shkronja “a/1” me këtë përmbajtje:

“a/1) ndaj të cilëve është zbatuar masa e arrestit në flagrancë për krime kundër jetës të kryera me dashje, ose veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit.”.

Neni 2

Pika 6 e nenit 4, ndryshohet si më poshtë vijon:

“6. Për personat e dëbuar sipas parashikimeve të germës “b” të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, kohëzgjatja e ndalimit për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit është:

  1. i) përjetë për dëbim, në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 1, shkronja “a”;
  2. ii) 20 vjet për dëbim, në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 1, shkronja “b”;

iii) 10 vjet për dëbim, në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 1, shkronja “c”, pavarësisht uljes së dënimit për shkak gjykimi të shkurtuar apo  procedure të ngjashme me të që passjell uljen e dënimi.”.

Neni 3

Pika 4 e nenit 5 ndryshohet si më poshtë vijon:

  1. Formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet, sipas rastit:
  2. a) pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të zgjedhurit dhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo në organet e qeverisjes vendore;
  3. b) pranë Kryetarit të Kuvendit për kandidatët për funksione në organet kushtetuese apo të krijuara me ligj dhe që zgjidhen nga Kuvendi;
  4. c) pranë Prefektit të qarkut përkatës për personat që emërohen në funksione publike me votim nga këshilli bashkiak nën juridiksionin e prefektit apo nga këshilli i qarkut përkatës;

ç) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk kanë mandat deputeti dhe nuk kanë paraqitur vetëdeklarim, sipas shkronjës “a” të kësaj pike;

  1. d) pranë titullarit apo organit që bën emërimin për funksionarin publik që emërohet sipas gërmës “a”, pika 1, të nenit 3 dhe kur ky emërim është i ndryshëm nga funksionet e zgjedhura me votim nga Kuvendi si dhe kur emërimi bëhet sipas shkronjave “d” dhe “g”, të kësaj pike;
  2. dh) pranë Kryeministrit, për rastet e parashikuara nga shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji;
  3. e) pranë Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror apo Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, sipas rastit, për shkronjat “dh” dhe “ë”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji;

ë) pranë Departamentit të Administratës Publike, për rastet e parashikuara nga shkronja “e”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji;

  1. f) pranë Ministrit të Mbrojtjes, për rastet e parashikuara në shkronjën “f”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji.

Neni 4

Paragrafi 5, i nenit 10, ndryshohet si më poshtë vijon:

​“5. Për personat që plotësojnë kushtet e shkronjës “a” dhe “a/1” të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji, ndalimi që zbatohet për ta është pezullimi i ushtrimit të funksionit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 1, të nenit 16, të këtij ligji. Për rastin e parashikuar nga shkronja “a” e pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, pezullimi zgjat përgjatë gjithë periudhës që ekzistojnë rrethanat për të cilat zbatohet ky ndalim. Në cdo rast, pezullimi mbaron kur personi deklarohet i pafajshëm, me vendim gjyqësor të formës së prerë.”.

Neni 5

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Miratuar më _____/_____/2016.

KRYETARI

ILIR META

 

RELACION PËR PROJEKTLIGJIN

‘PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 138/2015 “PËR GARANTIMIN E INTEGRITET TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE”’

Kapja e pushtetit publik nga krimi nëpërmjet përfshirjes së individëve me rekorde të rënda kriminale nga partitë politike në kandidaturat dhe zgjedhjen e tyre në Kuvend apo pushtetin vendor, si dhe nëpërmjet emerimit në funksione të larta apo funksione kyçe të administrates publike dhe organeve ligjzbatuese, përbën një kërcenim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike. Në demokraci duhet garantuar që personat që konsiderohen nga shumica e votuesve si të papërshtatshëm për të vendosur për interesat e tyre të qendrojnë jashtë vendimmarrjeve legjislative apo Qeverisë. Qëllimi i këtyre kufizimeve ka për synim mbrojtjen e funksionimit demokratik të institucioneve nga ndikimi i personave me rekorde të rënda penale apo që konsiderohen që mund të ndikojnë negativisht, mbi bazën e dyshimeve të arsyshme. Është interes i lartë publik që politikbërja dhe vendimmarrja të imunizohen nga ky ndikim.

Me ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, janë miratuar rregullat bazë për mbrojtjen dhe garantimin e mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, administratës publike, Forcave të Armatosura, organeve të rendit publik, sigurisë kombëtare dhe çdo institucioni apo entiteti tjetër ekonomik shtetëror, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve. Miratimi i këtij ligji ishte padyshim suksesi më i rëndësishëm i Kuvendit të Shqipërisë gjatë vitit 2015 dhe reforma kyce e përkrahur gjerësisht nga partnerët ndërkombëtar. Tashmë Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa konkret për zbatimin e këtij ligji dhe pastrimin e organeve publike nga ndikimi i personave me rekorde kriminale.

Mirëpo, në ligjin nr. 138/2015 vërehet se mungojnë një rrethanë e cila në vlerësimin tonë është me rëndësi parësore në arritjen e qëllimit të vetë ligjit. Konkretisht, ligji nuk parashikon mundësinë e pezullimit nga detyra të funksionarëve  publik në rast se ato arrestohen në flagrancë për krime kundër jetës të kryera me dashje, ose veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit. Arrestimi në flagrancë për kryerjen me dashje të një veprave penale kundër jetës ose shëndetit, nënkupton se zyrtare nuk mund të vijojë ushtrimin e funksionit, pa u përfunduar cështja me vendim gjyqësor të formës së prerë, për shkak se ajo bie ndesh me parimet që udhëheqin ushtrimin e funksionit publik dhe që ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të tyre. Nëse një funksionar publik arrestohet në flagrancë për kryerjen me dashje të një vepre penale kundër jetës ose shëndetit të shtetasve, atëherë krijohet dyshimi i bazuar për pamundësinë ligjore që ai njëkohësisht të ushtrojë funksionet publike në shërbim të qytetarëve.

Për këtë qëllim, në nenin 2 është shtuar një formulim ndalues, i cili nuk passjell shkarkimin e tij nga detyra, për arsye të respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë, por pezullimin nga detyra deri në përfundimin e cështjes me vendim gjyqësor të formës së prerë. Nëse funksionari publik deklarohet i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë, atëherë pezullimi konsiderohet i pushuar. Në të njëjtën linjë me këtë shtesë, është riformuluar edhe pika 5 e nenit 10 të ligjit, ku rrethana e parashikuar nga shkronja “a/1” e pikës 2 të nenit 2, është shtuar në rastet e pezullimit të funksionarit nga detyra. Nga ana tjetër, është riformuluar edhe pika 1 e nenit 2, edhe për shkak se konstatohet se nuk janë përcaktuar në mënyrë shteruese të gjitha funksionet publike që duhet të përfshihen. Konkretisht, janë shtuar funksionet e kryetarit/këshilltarit të qarkut, dhe drejtuesit e njësive administrative, në përputhje me ligjin e ri të organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor, si dhe është përputhur parashikimi me shkronjën “dh”, të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës.

Gjithashtu, për shkak të procedurave të gjata të shqyrtimit të këtij projektligji nga Komisioni i Posacëm Parlamentar dhe ndërhyrjeve në të deri në momentet e fundit, pas miratimit të projektligjit nga Kuvendi, është dërguar për zbardhje pranë strukturës përgjegjëse të Kuvendit, versioni i projektligjit me disa gabime në referimin e brendshëm të ligjit. Konkretisht, gabime në referim janë vërejtur:

  1. në pikën 6 të nenit 4, ku duhet të referohet pika 1 e nenit 2, dhe jo pika 2 e tij.
  2. Në pikën 4, të nenit 5, ku shtimi i një shkronje tek neni 3 (shkronjës “b”), nuk është reflektuar edhe në nenin 5 të ligjit.

Për këtë arsye, është e nenvojshme që të bëhen këto saktësime, me qëllim që ligji të mos keqzbatohet në praktikë.

Në përputhje me pikën 4 të nenit 84 të Kushtetutës, ku specifikohet se: “Në rastet e masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast nevoje e urgjence, kur Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikës jep pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë, vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht. Ligji duhet të botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare”, dispozita e hyrjes në fuqi parashikon se ligji hyn në fuqi menjëherë. Nevoja dhe urgjenca që paraqet fillimi nga zbatimi sa më parë të jetë e mundur e legjislacionit për dekriminalizimin, është jetike për funksionimin normal të vetë institucioneve publike. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një përfaqësim dinjitoz, jo nga njerëz me rekorde kriminale, por nga burra dhe gra që punojnë në interes të tyre. Ky projektligj i shërben pikërisht këtij qëllimi dhe për pasojë duhet të përkrahet nga të gjitha forcat politike në Kuvend, si një tregues i vullnetit të tyre të sinqertë për dekriminalizimin e politikës dhe mos përdorimit të krimit për të ardhur apo mbajtur pushtetin.

DEPUTETI

EDI PALOKA

 


 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

KRYETARI

Tiranë, më _____/_____/2016

DREJTUAR:            ZOTIT ILIR META

KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË

OBJEKTI:                 PROPOZOHET PËR SHQYRTIM DHE MIRATIM NJË PROJEKTLIGJ

BAZA LIGJORE:                 Neni 81 i Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe neni 68 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

  1. Kryetar i Kuvendit,

Në funksion të përmbushjes me efikasitet të funksionit kushtetutues të pakicës parlamentare për kontroll parlamentar, bashkëlidhur ju dërgojmë për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, sëbashku me relacionin shoqërues. Projektligji është iniciativë e deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në kuadër të respektimit të nenit 77 të Kushtetutës dhe të zbatimit të Rezolutës së datës 24.12.2014 “Për Marrëveshjen midis maxhorancës qeverisëse dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë”.

Përsa më lart, kërkojmë shqyrtimin me prioritet të këtij projektligji në Kuvendin e Shqipërisë dhe miratimin e tij pa asnjë vonesë të pajustifikuar.

KRYETARI

EDI PALOKA

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

PROJEKTLIGJ

Nr. ______/2016

PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8891, DATË 2.5.2002 “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONEVE HETIMORE TË KUVENDIT”

Në mbështetje të neneve 77 pika 3, 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Fjalia e dytë e nenit 12 ndryshohet si më poshtë vijon:

“Prania e personave të tjerë në mbledhjet e komisionit vendoset me vendim të Komisionit.”.

Neni 2

Neni 13 ndryshohet si më poshtë vijon:

“Neni 13

Marrja e vendimeve

  1. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur në to marrin pjesë së paku të gjithë anëtarët që i takojnë grupimit politik ku bëjnë pjesë nismëtarët e komisionit.
  2. Komisioni merr vendime me shumicën e të gjithë anëtarëve të pranishëm.
  3. Komisioni voton zakonisht me ngritjen e dorës, përveç rastit kur me kërkesën e të paktën tre anëtarëve kërkohet që votimi të bëhet nominal ose i fshehtë.
  4. Kërkesa për hetime ose marrje provash nga çdo anëtar i komisionit pranohet nga komisioni pa votim.”.

Neni 3

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar më _____/_____/2016.

KRYETARI

ILIR META

 

 

RELACION PËR PROJEKTLIGJIN

PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8891, DATË 2.5.2002 “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONEVE HETIMORE TË KUVENDIT”

Ushtrimi normal i veprimtarisë së Kuvendit kërkon ekzistencën e elementeve të domosdoshëm që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për respektimin e ligjeve nga të gjitha organet e tjera të pushtetit publik e shtetasit, si dhe pajisjen e tij me mjetet e përshtatshme për realizimin e kontrollit mbi mënyrën e zbatimit të ligjeve. Komisionet hetimore që ngrihen për këtë qëllim, në kuptim të nenit 77 të Kushtetutës, janë një mjet që i shërben pikërisht ushtrimit të kontrollit parlamentar. Ato janë instrument i rëndësishëm i parlamentit për mbledhjen e informacionit për çështje të veçanta, me qëllim arritjen në përfundime të caktuara.

Në funksion të përmbushjes me efikasitet të funksionit kushtetutues të pakicës parlamentare për kontroll parlamentar, si dhe në kuadër të respektimit të nenit 77 të Kushtetutës dhe të zbatimit të Rezolutës së datës 24.12.2014 “Për Marrëveshjen midis maxhorancës qeverisëse dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë”, legjislacioni duhet të ofrojë të gjitha mekanizmat e nevojshëm që nuk lejojnë në asnjë rast bllokimin e hetimit nga shumica parlamentare.

E drejta e hetimit realizohet vetëm brenda funksionit të kontrollit parlamentar dhe detyrave kushtetuese që parlamentarët kryejnë si përfaqësues të popullit, për sqarim, apo hulumtim të hollësishëm të një cështje. Dobishmëria e hetimit parlamentar sigurisht që shihet në nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, duke ndihmuar në evidentimin e problemeve dhe mospërsëritjen e fenomeneve me ndikim në mbrojtjen e interesit publik në të ardhmen. Nëse i referohemi praktikës ndërkombëtare, natyra e çështjeve të hetuara nga komisionet hetimore ka qenë e një rëndësie substanciale apo parësore për publikun, me ndikim të veçantë në marrëdhëniet ndërshtetërore, me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe mospërsëritjen e fenomeneve të hetuara në të ardhmen.

Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj e cilëson si “kompetencë kushtetuese” të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Duke e veshur një të katërtën e deputetëve me këtë pushtet, Kushtetuta “… institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues, që njihet si pushtet i pakicës parlamentare”, që realizohet “… në mënyrë të pavarur…” dhe që është “…i pakufizuar nga vullneti i shumicës”. E drejta e kontrollit hetimor i është njohur pakicës parlamentare, e cila, duke i pasur të kufizuara mjetet, “mund ta shndërrojë atë në një instrument të fuqishëm kushtetues”.

Mirëpo, nga analiza e ligjit nr. 8891/2002, rezulton se parashikohen mekanizma të tillë që i mundësojnë një mazhorance parlamentare bllokimin e veprimtarisë së Komisionit Hetimor, apo mosrealizimin e hetimit. Në thelb këto mekanizma përbëjnë premisë për mohimin e të drejtës së pakicës parlamentare për hetim parlamentar. Një nga këto mekanizma është rregulli mbi vlefshmërinë e mbledhjes së Komisionit, apo vlefshmërinë e marrjes së vendimeve. Edhe pse jurisprudenca e Gjyktatës Kushtetuese parashikon se kompetenca kushtetuese e pakicës parlamentare për kontroll parlamentar realizohet në mënyrë të pavarur dhe është e pakufizuar nga vullneti i shumicës, neni 13 i ligjit nr. 8891/2002, parashikon se mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur në to merr pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij.

Parashikimi i bërë nga neni 13 nënkupton se pa prezencën e përfaqësuesve të mazhorancës në Komisionin Hetimor (të cilët janë në cdo rast shumicë e Komisionit, për shkak të parashikimit të bërë nga pika 2 e enenit 9 të ligjit nr. 8891/2002), nuk mund të zhvillohet asnjë mbledhje e vlefshme e Komisionit. Praktikisht, nëpërmjet këtij parashikimi ligji e ka lidhur pazgjidhshmërisht veprimtarinë e kontrollit parlamentar të opozitës, me vullnetin e mazhorancës për të marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit Hetimor!

Në fakt, asnjë nga grupimet politike në Kuvend, përfshirë grupimet politike të mazhorancës parlamentare, apo asnjë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, nuk mund të detyrohet që të marrë pjesë në mbledhjet e Komisioneve Hetimore jashtë vullnetit të tij. Përmbushja e funksionit të kontrollit parlamentar është mbi të gjitha cështje vullneti dhe ushtrimi i saj nuk mund të jetë e detyrueshme. Kjo mundësi parashikohet me të drejtë edhe nga paragrafi 5 i nenit 9 të ligjit nr. 8891/2002, ku sanksionohet se: “5. Anëtarët e komisionit kanë të drejtë të tërhiqen nga komisioni në çdo kohë që ata e çmojnë të arsyeshme……..”. Mirëpo, kjo i hap rrugë një praktike të hasur kohët e fundit, ku përfaqësuesit e mazhorancës parlamentare në Komision, refuzojnë të marrin pjesë në mbledhje apo e braktisin atë, duke pamundësuar zhvillimin e mbledhjeve të vlefshme të Komisionit dhe për pasojë, kalimin e afateve të veprimtarisë së Komisionit, duke mohuar në këtë mënyrë në thelb vetë të drejtën e pakicës parlamentare për kontroll parlamentar.

Me qëllim që realizimi i të drejtës së pakicës parlamentare për ushtrimin e funksionit të kontrollit parlamentar të realizohet në mënyrë të pavarur dhe të pakufizuar nga vullneti i shumicës, propozojmë ndryshimin e rregullave mbi vlefshmërinë e mbledhjes së Komisionit, apo mënyrës së marrjes së vendimeve. Konkretisht, mbledhjet duhet të konsiderohen të vlefshme kur në to marrin pjesë së paku të gjithë anëtarët që i takojnë grupimit politik ku bëjnë pjesë nismëtarët e komisionit. Ky parashikim do të mundësonte realizimin e kontrollit parlamentar, edhe në ato raste kur shumica parlamentare nuk ka vullnet për të marrë pjesë në veprimtarinë e Komisionit Hetimor.

Ky parashikim dikton edhe nevojën e ndryshimit të rregullave mbi vendimmarrjen në Komisionin Hetimor. Konkretisht, vendimet duhet të merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. Në këtë rast, nëse mazhoranca ka vullnetin për të marrë pjesë në veprimtarinë e Komisionit Hetimor, atëherë nuk cenohet parimi i respektimit të vullnetit të shumicës, duke qenë se në cdo rast mazhoranca parlamentare ka shumicën në Komision dhe praktikisht vendimmarrja finale e Komisionit diktohet nga qëndrimi i saj. Mirëpo, kur mazhoranca nuk ka vullnetin për të marrë pjesë në veprimtarinë e Komisionit Hetimor, ky fakt nuk duhet të pengojë veprimtarinë dhe vendimmarrjen e Komisionit, për shkak se në të kundërt cenohet thelbi i konpetencës kushtetuese të pakicës parlamentare për të ushtruar kontroll parlamentar.

Përsa më lart, në përputhje me nenin 77 të Kushtetutës, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe Rezolutën e datës 24.12.2014 “Për Marrëveshjen midis maxhorancës qeverisëse dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë”, kërkojmë miratimin e këtyre ndryshimeve në ligjin nr. 8891/2002, për të mundësuar në praktikë ushtrimin e komptencës së pakicës parlamentare për kontroll parlamentar.

DEPUTETI

EDI PALOKA


Njoftim për shtyp i Partise Demokratike, 24 Shkurt 2016