Ulja e taksave, punësimi dhe zhvillimi, prioritetet në fushën e financave, dhe çështjeve sociale. Prezantohen platformat për sigurinë kombëtare dhe kulturën.

Partia Demokratike ka vijuar me konsultimin dhe debatimin e programit të saj në të gjithë sektorët, me ekspertë e njohës të spikatur të fushave. Në krye të prioriteteve të platformave të PD janë zhvillimi, punësimi, përmirësimi i jetës, ulja e taksave dhe thjeshtimi i procedurave. Po ashtu, janë prezantuar edhe platformat në fushën e sigurisë kombëtare dhe kulturës.

Departamentet e Sigurisë Kombëtare, Financave Publike, Punësimit dhe Çështjet Sociale, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë zhvilluar diskutimet dhe konsultimet me anëtarët e departamenteve, deputetët  dhe ekspertët e fushës. Më pas do të vijohet me procesin e tryezave publike mbi programin e PD.

Departamenti i Financave Publike, gjatë prezantimit të programit u përqendrua në uljen e taksave me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe luftën kundër korrupsionit dhe informalitetit në Tatim-Dogana. Vendosja e taksës së sheshtë në nivelin 9% mbi të ardhurat dhe kontributet, ulja e normës së TVSH në nivelin 15%, eleminim i taksave të fshehta apo tarifave administrative paralele siç jane taksat mbi karburantet dhe ambientin dhe lehtësim të procedurave, parashikon platforma fiskale e demokratëve.

Një prej drejtimeve kryesore të programit është reforma për zhvillimin e biznesit përmes politikave të reja të kreditimit të ekonomisë dhe transaprencës online të procedurave tatimore, doganore, etj.

Departamenti i Punësimit dhe Çështjet Sociale u fokusua tek programi i punësimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës, nëpërmjet rritjes së pagës minimale dhe rritjen e masës së ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë. Orientimet e programit të PD për këta sektorë mbështeten dhe në korrigjimin e skemës së kontributeve, duke eliminuar rritjen abuzive të kontributeve për profesionistët e lirë, ngritjen e skemave eficente për shërbimet sociale për pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar.

Departamenti i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve disktuoi programin me ekspertë dhe artistë të njohur, duke u përqendruar në fuqizimin e institucioneve të artit dhe kulturës, rivitalizimin e monumenteve të trashëgimisë, ngritja e strukturave përgjegjëse për të drejtën e autorit, programet për rininë dhe hartimin e një strategjie me standarde evropiane për fuqizimin e saj, si dhe promovimin e sportit në të gjitha zhanret.

Platforma e sigurisë kombëtare, synon ti rikthejë Forcave të Armatosura statusin dhe misionin e tyre, sipas standardeve të Aleancës së Atlantikut, reformave të lëna pas dore dhe të kapura nga interesat klanore gjatë këtyre viteve të qeverisë së majtë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7 Shkurt 2016