Prokurori Enklid Gjini, ndryshe i njohur si Prokurori i Konstandinit të Partisë, që bëri lehtësitë maksimale për të, edhe pse djali i miqve të Edi Ramës mori jetën e 4 personave, sot sërish nën urdhrat e partise, kujtohet pas 2 vitesh për të dërguar për gjykim anëtaren e Kryesisë së PD-së, kryetaren e Departamentit për Administratën Publike, Endira Bushati.

Ky procedim penal i nisur që në vitin 2014 që në fillimet e tij kishte vetëm një qëllim: mjetin e fundit për të kapur Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe shkarkimin e paligjshëm të kryetares së atëhershme të AMA-s.

Të gjithë e mbajnë mend, sesi mazhoranca e Ramës, u bë qesharake në përpjekjet e saj për të ndërprerë mandatin e kryetares së AMAs dhe për t’ia dhuruar këtë institucion klientëve të vet mediatikë.

Pasi dështoi me 2 amendime ligjore dhe 3 memo, në vitin 2014, Rama dhe klientët e vet mediatikë, gjetën “prokurorin e duhur”, për të përdorur mjetin e fundit, atë të pezullimit nga detyra të kryetares së institucionit.

Dhe pasi Gjykata e Apelit e riktheu në detyrë Endira Bushatin, në panik dhe në urgjencë, jashtë rendit të ditës së seancës plenare të Kuvendit, zgjodhën në krye të AMAs, në kundërshtim flagrant me ligjin, njeriun e klientit mediatik.

Por, nuk u mjaftuan me kaq. Pasi ky prokuror për një vit rresht nuk kreu asnjë veprim hetimor dhe asnjë njoftim, në kundërshtim flagrant me Kodin e procedurës Penale, u kujtua ta dërgojë atë në gjykatë me një akuzë qesharake të formuluar në zyrat e televizioneve klienteliste të Ramës.

Akuza se, AMA ka lejuar piraterinë, sepse ka detyruar televizionet kabllore që të mbartnin hapur dhe falas televizonet kombëtare, të cilat nuk shtrihen në 80 % të territorit sic e përcakton ligji, jo vetëm është qesharake nga pikëpamja juridike, por dëshmon dhe se prokuroria nuk ka kryer asnjë hetim, por vetëm është perdorur  politikisht.

Që televizionet kombëtare të mbarten falas dhe pa pagesë, nga çdo rrjet apo platformë, jo vetëm është në përputhje me ligjin shqiptar, por është dhe në përputhje me direktivat evropiane në këtë fushë.

Ky akt i prokurorisë është tërësisht në përputhje me interesat klienteliste të televizioneve kombëtare, që këta të fundit të mbështeten vetëm në një platformë dhe për të detyruar shqiptarët të blejnë me çmim të lartë kartën e kësaj platforme, për diçka që ligji ua njeh ta marrin falas.

Po kështu, ky akt i prokurorisë është në vazhdën e veprimeve të Ramës, për t’i mbyllur gojën opozitës, për denoncimet e saj, me padi e akuza të trilluara dhe për të frikësuar çdo media të lirë të mbetur ende në vend, përmes presionit nga monopoli mediatik në dorën e tij.

Partia Demokratike nuk bëhet pengesë e hetimeve për çdo ish zyrtar, apo zyrtar të saj, por u bën thirrje njerëzve të drejtësisë të mos tremben nga presionet e Ramës, të hapin ligjin e të mbyllin telefonat e qeveritarëve dhe klientëve të tyre.


Deklarata për mediat e deputetit Luciano Boçi, 1 Shkurt 2016