Një grup deputetësh të PD kërkojnë lirimin e protestuesve që mbahen në komisariatin numër 1. 

Një grup deputetësh të Partisë Demokratike, Albana Vokshi, Gent Strazimiri, Alban Zeneli, Bedri Hoxha, Kastriot Islami, Mimoza Hajdarmata ishin në Komisariatin nr.1 në Tiranë, aty ku po mbahen të shoqëruar disa të rinj, pas protestës së të hënës në  Parkun e Liqenit.

Deputetja Mimoza Hajdarmata duke iu drejtuar mediave theksoi se ndalimi i të  rinjve është  një  veprim i paligjshëm, pasi ata kanë  protestuar në  të  drejtën e tyre legjitime për të  mbrojtur Parkun e Liqenit nga betonizimi.

Kjo është  e drejta jonë  për të  protestuar tha ajo, duke shtuar se protestat do të  vazhdojnë.

“Jemi një  grup deputetësh të Partisë Demokratike në mbështetje të qytetarëve pas protestës së  ligjshme tek Parku i Liqenit, të ndaluar mbrëmë. Konstatojmë se këtu janë të ndaluar njerëz të cilët ishin në të drejtën e tyre të ligjshme për të protestuar. Paligjshmëria është  policia, kryetari i Bashkisë, paligjshmëria është  vetë qeveria e cila ka shkelur disa ligje duke ndërtuar pa leje në Parkun Kombëtar. Ky Park është  pronë  publike e këtyre qytetarëve dhe të  gjithë  qytetarëve të  Tiranës dhe të  Shqipërisë”, u shpreh Hajdarmata.

Deputetët e PD kërkuan lirimin e menjëhershëm të protestuesve dhe thanë se: “Do të  jemi në  mbështetje të  tyre sepse protesta ka qenë e ligjshme. Policia ka vepruar në  kundërshtim me ligjin. Këto janë shenja të një pushteti në grahmat e fundit. Këtu po ushtrohet dhunë e përditshme ndaj shoqërisë civile, ndaj bizneseve. Nuk shkohet më kështu me dhunë ndaj grave, me dhunë ndaj protestuesve dhe kjo është mirëfilltazi një neodiktaturë”.


 

Njoftim për media e Partisë Demokratike, 23 Shkurt 2016