Edi Rama vazhdon të mbrojë nga drejtësia deputetët e tij Kokëdhima, Suli dhe Leskaj, vazhdon të mbrojë korrupsionin e tyre.

Nga njëra anë, ai urdhëron parlamentin të mos shqyrtojë kërkesën e opozitës për mbarimin e mandateve, nga ana tjetër Edi Rama nuk i hap rrugën drejtësisë për këta deputetë, që haptazi në kundërshtim me Kushtetutën kanë përfituar para publike dhe kontrata me qeverinë.

Abuzimet e deputetëve, 150 transfertat financiare të Kokëdhimës për biznesin e tij, dhjetra milionë lekë në muaj që merr Rakip Suli nga paratë e OSHEE me godinën e tij – para gjaku të shqiptarëve të mbledhura me kërbaç, hekurudha Fier- Vlorë që mori Leskaj, janë raste tipike të kapjes së shtetit, janë shembuj të oligarkisë në veprim.

Edhe pse lufta kundër korrupsionit dhe reformimi i drejtësisë janë prioritete kyçe, të theksuara edhe nga Sekretari Kerri me 14 shkurt, Edi Rama sërish vazhdon në drejtim të kundërt, duke i bërë presion Gjykatës Kushtetuese të mos zbardhë vendimin  për Kokëdhimën, duke penguar Kuvendin të shkarkojë 3 deputetët e tij të kapur në flagrancë, duke mbrojtur aferat e tyre me paratë dhe pasuritë e shqiptarëve.

Ky është prioriteti i Edi Ramës dhe jo drejtësia dhe lufta ndaj korrupsionit.

Ky është modeli që ka ai për drejtësinë. Ta ketë nën kontroll, ta urdhërojë. Drejtësi që nuk ndëshkon njerëzit e tij, drejtësi që nuk lufton korrupsionin e njerëzve të tij.


​Deklarata për mediat e nënkryetarit te Partisë Demokratike, Edi Paloka, 16 Shkurt 2016