Mirëdita të nderuar anëtarë të grupit parlamentar,

Përfaqësues të medias,

Të dashur qytetarë,

Dua ta nis mbledhjen me një urim në emër të Partisë Demokratike për 8 -vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Një urim që nuk i shkon vetëm vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë, por çdo shqiptari në çdo cep të kombit dhe kudo ku jetojnë nëpër botë.

I shkojnë çdo kujt sepse i tillë është edhe gëzimi i përligjur për domethënien e 17 shkurtit 2008.

Por sot përveç gëzimit është edhe një ditë përkujtimi, ditë nderimi për breza të tërë që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë kombëtare, plot pesë breza që prej Lidhjes së Prizrenit, 130 vjet më parë  dhe 35 vite nga shpallja e objektivit për Kosovën Republikë.

Intelektualë, qytetarë, të rinj dhe të reja që u përballën me aparteidin, genocidin dhe terrorin, luftuan, e fituan luftën e fundit çlirimtare në Europë.

Një ditë për nderimin e ikonave të pavarësisë dhe lirisë, arkitektit të Kosovës së Pavarur presidentit Ibrahim Rugova, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari.

Po kështu një ditë mirënjohje ndaj NATO-s e drejtuar nga SHBA, të cilët bënë të mundur zmbrapsjen e fushatës së spastrimit etnik, çlirimin e Kosovës dhe drejtuan procesin në pavarësinë e saj.

Sot Kosova e njohur nga 111 shtete, ka finalizuar dhe nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asoocimit me Bashkimin Europian, dhe po çon drejt përfundimit procesin e heqjes së vizave, pra të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Ne i ndjekim hap pas hapi  zhvillimet në Kosovë sepse përparimi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj janë për ne demokratët, sikundër për të gjithë shqiptarët këtu në Shqipëri jo thjesht një përparësi politike apo interes i dorës së parë por edhe një urim i përditshëm shpirtëror dhe familjar.

Sfidat tona të përbashkëta mbeten mirëfunksionimi i demokracisë, shteti ligjor dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit për t’i hapur rrugë një të nesërme më të mirë me ekonomi  të fortë dhe mundësi më të mëdha për qytetarët tanë.

Ndaj edhe një herë i uroj nga zemra gëzuar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës!

Zonja dhe zotërinj deputetë java e kaluar, e diela u mbyll me vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry.

Siç jeni në dijeni, unë dhe një grup deputetësh të PD-së  patëm të dielën  një takim të  mrekullueshëm me sekretarin Kerry.

Dhe dua të ndaj me ju sot, me mbarë qytetarët, me mbarë bashkëkombësit tanë mirënjohjen  tonë të  thellë për këtë takim të pazakontë në axhendën e ngjeshur të një Sekretari Shteti.

Dua po kështu që së bashku të  ndajmë përgjegjësitë për të çuar përpara angazhimet që  rrjedhin  nga bisedimet e hapura  dhe shumë miqësore  me sekretarin Kerry.

Kemi folur si miq, kemi folur si aleatë të ngushtë për sfidat kyçe të Shqipërisë, ku spikat si një imperativ  lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Jemi të  nderuar, të frymëzuar dhe të inkurajuar prej faktit që SHBA njohin tek Partia Demokratike një forcë konstruktive perëndimore, një alternativë  të fuqishme politike, që përballet  dhe propozon, që lufton dhe  ndërton.

Jemi të lumtur që qëndrimet tona  për çështjet  themelore të  demokracisë në vend dhe për sfidat  me rezonancë  kombëtare, rajonale dhe me gjerë,  janë në sintoni të plotë me qëndrimet e  partnerit tonë strategjik, çka u konfirmua edhe në takimin e nivelit të  lartë me sekretarin Kerry.

Diskutimet e mia  me sekretarin Kerry u përqendruan në tre çështje kryesore.

Së pari, sfida e madhe që ka Shqipëria për të mposhtur influencën e krimit në të gjitha fushat e jetës e në veçanti në politikë ku Partia Demokratike ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ky grup parlamentar së bashku me demokratët anembanë Shqipërisë u angazhuan në një betejë të paprecedentë në historinë e Europës, duke përfshirë masa ekstreme si ato të bojkotit parlamentar, për të fituar një kauzë të drejtë, një kauzë legjitime, siç është ajo e dekriminalizimit. Pra, të largimit të personave me rekorde të tmerrshme kriminale nga Parlamenti dhe nga të gjitha institucionet e tjera publike, ndalimin e garimit apo emërimit të tyre në të nesërmen.

Kjo betejë siç e parashtruam dhe siç e luftuam me çdo çmim deri në fitore është një parakusht që çdo reformë tjetër të ecë përpara, është kusht i çdo kushti për legjitimimin e hapave të mëtejshëm që Shqipëria duhet të hedhë si për sa i përket reformës në drejtësi, çështjes së votës dhe zgjedhjeve të lira dhe çështjeve të tjera që e mbajnë peng zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

Ndaj bashkë me mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme, deçizive të SHBA-ve në këtë betejë të fituar, jam shumë i inkurajuar të ndaj me ju edhe mesazhin e përkrahjes për zbatimin e këtij ligji në germë dhe në shpirt nga SHBA, për të cilën edhe një herë i shpreh mirënjohjen time të madhe.

Çështja e dytë që diskutova në takimin me z.Kerry është ajo e reformës në drejtësi ku Partia Demokratike ka një qëndrim të qartë, koherent dhe transparent: atë të mbështetjes pa kushte të një drejtësie të reformuar, të një drejtësie të pakapur politikisht, të një drejtësie që lufton korrupsionin në nivele të larta dhe kudo,  përfshirë korrupsionin  në gjirin e saj.

Konfirmova edhe një herë angazhimin tonë për një reformë gjithëpërfshirëse me konsensus, bazuar në parimet dhe normat e gjithëpranuara të Komisionit të Venecias. Theksova gatishmërinë time dhe të Partisë Demokratike për të punuar së bashku në frymën e konsensusit për këtë reformë  shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Reformë e cila nuk mund të kryhet pa angazhimin, pëlqimin dhe konsensusin e Partisë Demokratike në bazë të parimeve të shpallura, ato të Komisionit të Venecias.

Dhe çështja e tretë, çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, çështja që ndan demokracitë në të dështuara apo të vërteta. Çështja që përcakton nëse Shqipëria do të ecë përpara apo jo.

Mungesa e zgjedhjeve të lira, siç po shohim dhe po jetojmë çdo ditë,  rrezikon demokracinë, rrezikon stabilitetin, rrezikon shpopullimin e Shqipërisë, rrezikon  rrëzimin e  vendit.

Kërkova angazhimin e SHBA për të zgjidhur këtë problem ekzistencial për demokracinë shqiptare dhe kam kënaqësinë e madhe t’ju konfirmoj se nga sekretari Kerry mora konfirmimin e mbështetjes totale ndaj Shqipërisë për të kapërcyer këtë brengë dhe sfidë të madhe, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Mesazhet e sekretarit Kerry përbëjnë një inkurajim dhe shtytje të madhe për opozitën. Ne promotorët e dekriminalizimit jemi gati që së bashku me qytetarët shqiptarë të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta çuar demokracinë shqiptare në një stad të ri, në një demokraci të re të pjesëmarrjes qytetare, të pyetjes së qytetarëve, të vendosjes nga qytetarët. Ky është parakusht i eliminimit të çdo rreziku, i mbylljes së çdo dere për oligarkinë në Shqipëri. Ky është një interes madhor kombëtar, është po kështu një interes madhor euroatlantik.

Të nderuar deputetë,

Akoma pa u ngritur nga Rinasi avioni i Sekretarit të Shtetit, kryeministri Edi Rama, autori i promovimit të individëve me rekorde kriminale në  politikë dhe në poste të larta, përgjegjësi numër një për korrupsionin galopant në vend, ndërmori me nxitim disa gjeste dhe  veprime të menjëhershme që shkojnë plotësisht në drejtim të kundërt, madje  janë një sfidë e hapur ndaj  mesazheve që dha miku amerikan në vizitën e tij në Tiranë.

Gjesti i parë, u  kujdes që ish-deputeti i tij i Lezhës, i larguar nga Kuvendi për dënimin që ka marrë nga gjykatat italiane si trafikant i qenieve njerëzore, të  prezantonte në një ceremoni prefektin e ri të qarkut të Lezhës.

Gjesti i dytë, ishte dalja demonstrative në Kavajë dje përkrah Elvis Roshit, një tjetër subjekt i njohur ndërkombëtarisht i ligjit të dekriminalizimit dhe tallja publike me rekordet e tij.

Mesazhi i kryeministrit për  miqtë  e tij me rekorde kriminale në veçanti dhe për botën e krimit në tërësi është  i qartë: Mos e vrisni trurin se ç’thotë Amerika dhe çfarë i them unë Amerikës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo është politikë! Unë punën e kam me ju. Do të bëj çmos t’ju mbaj deri në fund. Do bëj çmos t’ju fus nga penxherja dhe çdo vrimë kur ligji ju nxjerr nga dritarja. Ju jeni përfaqësuesit e mi të vërtetë, ju jeni prefektët e mi të  vërtetë.

Por karshillëku ndaj mesazheve  të vizitës historike të zotit Kerry shënoi një kulm me  të ashtuquajturat ndryshime  në qeveri e në radhë të parë me emërimin e  Arben Ahmetajt në postin e Ministrit të Financave, një akt që ka  ngjallur indinjatë në mbarë opinionin publik për shkak të rekordeve që ka ky ministër si  i përfshirë në afera korruptive të njëpasnjëshme. Një akt që  ka shkaktuar ilaritet në shumë qarqe politike ndërkombëtare që merren me Shqipërinë.

 Ahmetaj i denoncuar publikisht nga opozita dhe jo vetëm, për landfillin e Elbasanit nga ku vidhet 10 mijë euro para të taksapaguesit shqiptarë çdo ditë apo ndërmjetësi për pazarin e fshehtë dhe korruptiv të Skavicës.

Ahmetaj i emëruar në postin e ministrit të Financave është një konfirmim se plaçkitja, mbushja e xhepave me paratë e shqiptarëve është standardi i artë i Edi Ramës.

Po kështu Rama mbrojti fort modelin e koncesionit në shëndetësi, model i vjedhjes më të shpejtë të parave të shqiptarëve në historinë e vendit nga ku janë zhdukur 338 milionë euro dhe nga ku punëtorja e palodhur e ndërtimit të kësaj skeme u emërua ministre e Ekonomisë.

Rama, Ahmetaj, Tahiri dhe Beqja  përbëjnë tashmë kupolën e ngushtë, që kontrollon të gjitha  aferat korruptive madhore,  të denoncuara në vijimësi nga grupi ynë parlamentar, nga opozita dhe nga mediat.

Të tjerët  konsiderohen dhe janë  punëtorë  dhe shërbëtorë të këtij sistemi, të destinuar për t’u bërë kurban për kundërshtimin  apo rebelimin më të vogël.

Emërimi i  Ahmetaj  është paraprirë nga një ulje  e qëllimshme, kriminale, e denoncuar e të ardhurave doganore dhe tatimore me qëllim që vjedhja qeveritare në dogana dhe tatime të intensifikohet dhe  të lustrohet në rrafshin propagandistik me realizimin e planit të ulur.

Emërimi i Ahmetajt është paraprirë me emërimin e punonjësve të  modelit  të  Qebinit dhe individë me rekorde të ndryshme kriminale, që janë përzgjedhur për të siguruar  shtegtimin e sigurt të parave të kontrabandës dhe korrupsionit në kontot dhe parajsat fiskale të qeveritarëve të korruptuar.

Emërimi i Ahmetajt, sipas rrjetit të gazetarëve investigativë të Ballkanit Perëndimor BIRN,  është  përshpejtuar për t’i hapur rrugë koncesionit të TVSH-së, koncesionit të vjedhjes tjetër të shekullit në Shqipëri në shifrat e  140 milionë eurove, që  Edi Rama synon  t’ia japë vëllait të tij  Olsit.

Ish-ministri Shkëlqim Cani, sipas këtij raportimi, nuk ka pranuar ta firmosë këtë  koncesion të  padëgjuar, të turpshëm dhe antiligjor. Ka, sigurisht, te çdo zyrtar me një minimum integriteti një moment përgjegjësie kur konformizmi nuk mund të shtrihet  në akte antipopullore antikombëtare dhe korruptive, pavarësisht prej çmimit.  Ne besojmë se të tillë ka jo pak edhe në  radhët e kundërshtarëve tanë. Ne  besojmë se banda e Edi Ramës është më e zbuluar dhe më e  izoluar se kurrë.

Shkarkimi poshtërues i Shkëlqim Canit dhe emërimi i Arben Ahmetajt është bërë për t‘i hapur rrugë koncesionit të TVSH-së, është bërë për t’i hapur rrugë kontrollit të plotë të burimeve të korrupsionit qeveritarë për llogari të Ramës dhe kupolës së tij të parave.

Emërimi i Arben Ahmetaj është një sulm, një ofensivë e re, më e  babëzitura që Edi Rama ka shpallur ndaj financave publike  për t’i zhvatur me dorë akoma më të rëndë se deri më sot.

Emërimi i Arben Ahmetajt është reduktimi  brutal,  pa doreza,  i qeverisjes në një punë të vetme: të bëjnë pare.

Emërimi i Arben Ahmetajt është lufta e re, më e zeza, që Edi Rama u shpall zgjedhjeve të lira, sepse kërkon t’i vendosë që tani në rrethimin e parave  të pista. Është i ndërgjegjshëm se shqiptarët  nuk e votojnë. E di se elektorati që e votoi në vitin 2013 është në hemorragji të përditshme. Shpresa e tij e  vetme është të blejë  varfërinë, të blejë dinjitetin e  shqiptarëve.

Emërimi i Arben Ahmetajt është  lufta e re që Edi Rama i  shpall opozitës, Partisë Demokratike dhe gjithë shqiptarëve.

Kështu e lexojnë njerëzit, kështu e lexojnë miqtë dhe partnerët tanë karshillëkun e tij të hapur ndaj mesazheve të vizitës së sekretarit Kerry.

Ne do t’i përgjigjemi.

Do të përballemi në Kuvend me këtë emërim korruptiv që do hyjë në rekordet më të zeza të historisë parlamentare dhe demokracisë shqiptare.

Do të vazhdojmë betejën ligjore kundër koncesioneve të zhvatjes së shqiptarëve.

Do të shkojmë deri në shtëpinë e fundit, në fshatin e fundit  për t’u treguar shqiptarëve me fakte dhe prova si po vidhen dhe shpërdorohen paratë e tyre;  do të udhëheqim revoltën dhe shpresën e tyre.

Do të nderojmë vizitën dhe mesazhet e sekretarit Kerry duke u bërë protagonistë të demokracisë dhe shtetit ligjor në vend;  do të vijojmë bashkëpunimin e ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë amerikanë dhe europianë.

Si forcë politike Partia Demokratike ka patur gjithmonë një lidhje të veçantë me SHBA, që përkon me  mirënjohjen e popullit  tonë për këtë vend, ku fati na ka dhënë gjithmonë miq dhe shpëtim në ditët më të vështira të historisë tonë.

Ne kemi lindur si parti e orientimit perëndimor, jemi rritur e pjekur si parti euroatlantiste, kemi udhëhequr anëtarësimin e vendit në NATO dhe qëndrojmë si një shtyllë e partneritetit strategjik  me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rrënja e këtyre lidhjeve është mirënjohja e pakufishme për çfarë kanë bërë SHBA për Shqipërinë dhe kombin shqiptar,  është ëndrra  shqiptare e demokracisë, për një Shqipëri  të fortë e të begatë. Euroatlantizmi dhe atdhetarizmi  janë për ne dy anë të së njëjtës medalje.

Jemi  të vetëdijshëm për potencialet që ka akumular dhe vazhdon të akumulojë krimi  i veshur me pushtet dhe pushteti i veshur me krim në Shqipërinë e sotme. Por i njohim mirë  goditjet që ka marrë e po merr oligarkia në përpjekjet e saj për të asgjësuar demokracinë.

Kjo është beteja. Kjo është lufta e opozitës shqiptare. Të çmojmë liritë, të mposhtim sundimin e krimit, të vendosim sundimin e ligjit. Në qoftë se deri dje kemi ëndërruar, shpresuar dhe inkurajuar njëri-tjetrin dhe ndjekësit tanë, sot pas vizitës së sekretarit Kerry jemi më optimistë; në qofte së deri dje kemi qenë  plot me shpresë, sot jemi plot me besim se do t’ia dalim. Me shqiptarët, me partnerët, me SHBA.


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 17 Shkurt 2016