Jetojmë kohë paradoksesh dhe ndoshta është e vështirë ti vesh një emër të saktë kësaj rokade në kupolën e shtetit të sotëm,  në lojën e pistë te interesave të shumëfishta që fshihen pas saj.

Prapa këtij veprimi, duket se nuk ka as logjikë, as politikë dhe as qeverisje.
Ai që e njeh pak filozofinë e shahut, sport që me pak fat, mund të ishte dhe lëndë në shkollë, pas deklaratave të Ramës për ta përfshirë atë, e di shumë mirë që lëvizjet rokadë, të tilla, janë me karakter mbrojtës.

Përkundër kësaj Rama me këtë ndërrim kërkon të revanshojë, kërkon të sulmojë. Absurdi është pjesë e pandarë e veprimeve të tij.
Ai gjithmonë e ka ngatërruar strategjinë për të bërë punën, për të cilën është votëbesuar, me lëvizjet për të zhvatur.

Ka ngatërruar parimet me deliret dhe  gjithmonë këtë e ka bërë në formën e gabimit me dashje, dhe përsëri e përsëri nuk vë mend.

Nuk vë mend, sepse ai ka treguar se, më shumë se çdo gjë tjetër, atë e tundon dhe e drejton interesi personal, e tundojnë dhe e orientojnë milionat e koncesioneve, tenderave e parave që pjellin pushtetin që ai zotëron dhe e pushtetit që pjell para.

Kjo ka qenë dhe mbetet filozofia që ka përcaktuar dhe taktikat e tij mashtruese që ditën që mori pushtetin.

Tek e e fundit ky është shahu që Rama ka zgjedhur të luajë me shqiptarët, të cilët i konsideron si kundërshtarë dhe të cilëve në tabelë i ka lënë vetëm ushtarët, sepse figurat e  tjera i ka ngrënë një pas një, ose i ka shndërruar në ushtarë në rast mosbindje .

I fundit në radhë ishte Cani.

Jo se ky i fundit ishte tek pjesa e popullit, apo në anën e tij, pasi për mua do kujtohet si ministri i financave që nuk ishte i zoti të ndërtonte as rrugën e zonës së tij, rrugën e Arbrit, sepse nuk e la shefi i tij politik.

Por të paktën, ishte oficeri i Ramës që përpinte në lëvizjet e tij skajore, më pak ushtarë të pangrënë e të paushqyer, se sa të tjerët. Madje kishte tendencë që këta ti shtonte sa më shumë, duke i hequr asistencën, punën, të ardhurat.

Ose ka ndodhur ajo që Rama nuk e suporton.

Mundet që Oficeri i financave vërtet, me koncesionin e TVSH, të jetë sjellë si oficer, duke e kundërshtuar atë. Në një hamendësim të tillë ai ka prekur rëndë interesin e shefit.

Rama ka kohë që të gjitha rolet në skakierë i bën vetë dhe nuk pranon asnjë cedim. Janë tashmë të njohura publikisht reagimet e tij të forta ndaj ministrave.

Ai kërkon me patjetër të jetë dhe oficeri i lojës dhe kali dhe torra dhe mbreti.

Madje shpesh bën dhe rolin e mbretëreshës.

Të tjerët janë hije e vetvetes dhe të bindur deri në përulje. Ka kohë që e ka harruar atë termin që e përdorte aq shpesh sa dhe kombëtares tonë nuk po i shkonte më përcaktimi skuadër.

Në këtë situatë kuptohet që lëvizjet e tij janë kaotike dhe e vetmja që e sjell në vete është vetëm vila 31, ose më saktë frika  e humbjes së karriges ku është ulur gabimisht në këmbë.

Sulmi i tij konsiston thjesht dhe bukur, në lënien e parave të publikut, në duart e të besuarit më të sigurt se i mëparshmi,  për ti përdorur ato me efikasitetin e duhur për interes të përcaktuar personal, si t’ia dojë kokrra e qejfit,  në momentet e vështira që ai pret ti ndodhin, në zgjedhjet e parakohshme që duken gati të pashmangshme.

Madje brenda saj ka dhe një sens karshillëku, të cilin ai mundohet t’ia pozojë opozitës, meqenëse ministri i ekonomisë është ndër më të akuzuarit e saj për afera dhe korrupsion.

Kjo është një lloj norme e zbatuar me ndërgjegje të plotë nga kreu i shtetit. Këtë karshillëk, ai ja shet jo vetëm opozitës por në shumë raste dhe ndërkombëtarëve.

Jo më kot pas vizitës se Sekretarit Amerikan të shtetit i cili foli me entuziazëm, për iniciativën e politikës për të larguar të inkriminuarit nga radhët e saj, ai takimin e radhës e bën pikërisht me një nga ata që gëzojnë rekorde kriminale të pakundërshtueshme.

E  jo më kot promovon dhe vendos përsëri në krye të partisë së tij njerëz të larguar nga politika, pikërisht për arsye të penaliteteve të rënda kriminale.

Nisur nga e gjithë kjo, kuptohet  që këtu nuk bëhet më fjalë për performancë, për interes publik, për investime, apo për ato fjalët mikluese, që hidhen sa andej këndej në takime formale, për konsum mediatik, brenda të cilave përputhja me të vërtetën është vite-drite larg.

Kjo rokadë dëshmon qartë që kurrë nuk në Shqipëri nuk ka pasur dhe nuk ka reforma ekonomike, sikurse nuk ka pasur e nuk ka reforma të tjera.

Ka pasur dhe ka vetëm reprezalje ekonomike, depresion ekonomik, kanalizim të interesave ekonomike në destinacione klienteliste, rënie dhe dështim të pandalshëm ekonomik.

Me këtë ndërrim kjo qeverisje firmos në heshtje përtej entuziazmit fals, dështimin e vet spektakolar e dëshmon së ajo vetë është farsa më e madhe që i ka ngjarë këtij vendi. Është më saktë  një lodhje politike dhe mentale, e trupëzuar në qeverisje.

Shqetësimi ynë nuk është avokatia e disi më të mirit, ndër të këqijtë e kësaj shpure. Është avokatia e interesit publik, i cili ndihet shumëfish  i kërcënuar dhe i hapur ndaj abuzimeve të pushtetit.

Rama mund ta shesë spostimin e bërë, sikur Ministri i Ekonomisë të na ishte AS-i nën mëngën e tij, duke na ndryshuar dhe kontekstin e lojës, për të trullosur dhe opinionin.

Por kjo nuk ndryshon asgjë, pasi të gjithë në këtë sallë dhe jashtë saj do ta lexojnë atë si blofin e radhës.

Do ta lexojnë si blof, sepse askush nuk e ndan dot, se cilit i takon lëvdata më e madhe në dështimin e ekonomisë, sot, në këtë lëvizje: ministrit të financave apo atij të ekonomisë, pasi të gjithë e dimë më së miri se të dy janë të zhytur deri në fyt, në mossukses!

Askush nuk e kupton se, cila është merita e ministrit të ekonomisë, në raport me atë të financave, në këtë mjerim të financave  shqiptare, në këtë varfërim galopant të individit shqiptar dhe falimentim progresiv të sipërmarrjes së ndershme.

Do ta lexojnë si blof, sepse shqiptarët e dinë shumë mirë që borxhi i rritur, rritja anemike e ekonomisë, mos kreditimi efikas,  janë “merita”, që i shkëlqejnë, jo vetëm Shkëlqimit të financave, por dhe Ahmetajt të ekonomisë.

Sepse, ata nuk kanë më shpresë se ky i riu i vjetër, do jetë më dorëlëshuar në taksa, se sa ai i vjetri i vjetër.

Sepse, askush nuk beson më se, në dogana nuk do vazhdohet të bëhet kontrabandë, në tatime nuk do vazhdohet të vidhet, të sulmohet, të ndëshkohet, të persekutohet padrejtësisht.

Sepse, askush nuk beson më se, financat nën drejtimin e ekonomisë, do japin efekt në punësim, në mirëqenie, në rritje pagash në ulje çmimesh.

Sepse, ata punonjës të Albpetrolit, që sot kanë pesë muaj pa rroga dhe që për këtë arsye nuk gjejnë dot rrugën për në shtëpitë e tyre, do vazhdojnë të mbeten po pa rroga, pasi dhe ky i riu i vjetër ka qenë ekzekutues i zbrazjes së xhepave të tyre.

Megjithatë, personalisht ndërrimi i vendeve, në këtë situatë, nuk më duket as si rrufe në qiell të pastër. Cani, ndryshe nga të tjerët u emërua ministër me fishek në pajë.

Ky fishek ishte mandati i ruajtur i deputetit, një pakt i heshtur, i cili e bënte atë ministrin më të prekshëm në goditjen e radhës, ose thënë ndryshe, të planifikuar për tu lëvizur në momentin kyç të pragzgjedhjeve.

Pak a shumë si njeriu që do lëvizte fondin e Partisë së dikurshme.

Me një ndryshim, që ky fond Partie nuk është më ai i mbledhur për çdo vit dhe i depozituar diku jashtë, por është mundi, djersa dhe gjaku i gjithë shqiptarëve i grumbulluar në termin buxhet, çelësat e të cilit, do i marrë tashmë jo Besniku i Partisë, por Besniku Ramës.

Ky moment duket se ka ardhur para datës së parashikuar në fillim nga Rama, i cili  kërkon me çdo kusht të përdorë paranë publike si mall pa zot, për interesin e tij politik e personal, për të rifituar me zor, me shitje e blerje, besimin e publikut.

Kjo zhvendosje përcaktoi dhe kohën e rokadës, prandaj ajo krahas erës së pistë të aferave, të zhvatjeve, të korrupsionit të pashmangshëm, duket se paralajmëron stinën e zgjedhjeve të parakohshme, e përkthyer ndryshe në rrëzimin e Ramës nga qëndrimi në këmbë në karriken e pushtetit.


Fjala në Kuvend e deputetit Luçiano Boçi, 18 Shkurt 2016