Mirëdita të rinj e të reja të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, dega Shkodër,
I nderuar zoti kryetar i Partisë Demokratike dega Shkodër,
I nderuar zoti kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës,
Të nderuar deputetë,
I dashur Edi Paloka nënkryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i Grupit Parlamentar,
I dashur Belind, kryetari i sapozgjedhur i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, me parimin “një anëtar-një votë”,
Të nderuar miq,
Dua të shprehë gëzimin e madh me të cilin jam nisur sot për të ardhur përsëri në mesin tuaj në një ditë më të vërtetë me mot të vrenjtur, me shumë shi këtu në Shkodër, ashtu si edhe në Tiranë. Por që nuk i ndali dot e nuk i ndal dot të rinjtë e të rejat e Shkodrës në këtë manifestim, në këtë festë të demokracisë që janë zgjedhjet për kryetarin e ri të Forumit Rinor, degës Shkodër me parimin “një anëtar-një votë”.
Të dashur të rinj e të reja, në mesin tuaj ndodhen sot burra dhe gra që ndoshta veten e tyre e shohin akoma si para 25 vitesh, kur në një moshë, sa mosha juaj sot 25 vite më parë u ngritën kundër diktaturës më gjakatare, diktaturës më të egër, diktaturës më gjakatare që i zhyti shqiptarët në mjerimin më të thellë që një popull europian njohu në 50 vitet e fundit.
25 vite më parë nuk i ndali dot diktatura e terrorit, frika që donin të ngjallnin në shpirtin e njerëzve që kishin vendosur të hidhnin tutje vargonjtë e robërisë sepse besonin, besonin në një ideal, besonin tek demokracia, besonin te vota e lirë, besonin tek vendimmarrja për veten tonë, për familjen tonë, për qytetin tonë, për atdheun tonë, për kombin tonë si njerëz të barabartë, me dinjitet. Sepse besonin që secili prej nesh ka një vlerë të pamohueshme si shpirt dhe qenie njerëzore para Zotit, para natyrës, para Kushtetutës, para ligjeve dhe se vendimet më të drejta janë ato që merren kur konsultohet i gjithë komuniteti i votuesve, qoftë kjo për lagjen, qytetin apo vendin tonë. U ngritën pra dhe përmbysën një diktaturë të armatosur deri në dhëmbë me urrejtje, me propagandë, por po kështu me tanke, me sigurimin e shtetit që përgjonte në çdo vrimë teksa bisha e plagosur jepte shpirt. Këta 22,25,30-vjeçarë të 25 viteve të kaluara i përshëndesim sot, jam i sigurtë që përshëndetjes time i bashkohet rinia e sotme e Shkodrës me nderimin e madh për sakrificën dhe veprën e tyre 25 vite më parë.
25 vite më parë edhe një javë i kishte mbetur diktatorit Enver Hoxhës simboli i diktaturës që e shembi rinia e para 25 viteve.
Sot, vëllezër e motra Shkodra lëngon, Shqipëria lëngon sepse pas 25 viteve zigzage në demokracinë shqiptare, pas etjes për para dhe arritjen së disa stacioneve të rëndësishme. Ajo kërcënohet përsëri nga një diktaturë e re, nga një tirani e varfërisë, e korrupsionit dhe e krimit që ka instaluar sot në vend nga oligarkia e Edi Ramës, Ilir Metës dhe kriminelëve dhe bandave të lidhur me ta. Kjo është oligarkia, sundimi i pakicës por tashmë jo si një byro politike por si një byro mafioze njerëzish të cilët duan të marrin të gjitha vendimet në emër të shqiptarëve por jo për shqiptarët, jo për interesin e shqiptarëve, jo për interesin e Shkodrës, as të rinjve dhe të rejave shkodranë, por për interesin e një grushti njerëzish që përfitojnë sot 1/3 e buxhetit të shtetit, i cili në vend që të kthehet në shkolla, në qendra shëndetësore, në shërbim, në punësim, vidhet dhe shpërdorohet nga oligarkët Edi Rama dhe Ilir Meta.
Kjo oligarki, kjo pakicë, sot mundohet të imponojë me mjete dhe forma të reja modelin e vjetër, ku vendimin nuk e keni më ju, ku vendimin nuk e kanë më qytetarët por një grusht njerëzish të cilët diktojnë se sa lekë do të jetë çmimi i naftës, të cilët diktojnë se kur do të ndërtohet, sa do të ndërtohet dhe ku do të shkojnë paratë me të cilat do të ndërtohet.
Një grusht njerëzish që vendosin që ilaçet të mos blihen por paratë e ilaçeve t’u jepen oligarkëve e të ndahen me Edi Ramën dhe Ilir Beqëjn.
Një grusht oligarkësh që e dinë që kjo qeverisje nëse përballet me votën e lirë të qytetarit shqiptar, dihet që sot, që tani! Dhe se në themel të logjikës së vet përmes vjedhjes dhe propagandës ka shkatërrimin e votës së lirë. Themeli i demokracisë, themeli i sistemit që ndërtuam sëbashku për t’i dhënë fund mjerimit, shtypjes, propagandës, injorancës, arrogancës së 25 viteve më parë.
Po ja tek na kthehen përsëri, shtypja. Po, po shtypja, ku 38 mijë shqiptarë merren zvarrë nëpër komisariate për arsye nga më të paqenat por kryehajdutët, ata që duhet të jenë të parët prapa hekurave e para gjyqtarëve Ilir Beqës, Arben Ahmetajt, Saimir Tahirët më në krye kapobandën Edi Ramën dhe aleatin e tij Ilir Meta. Nuk i hy asnjë ferrë në këmbë.
Përmes injorancës në vendimmarrje, injorancës në komunikim publik, injorancës si themeli i qeverisjes së shtrembër dhe mbi të gjitha përmes kapjes dhe shkatërrimit të votave, të zgjedhjeve të lira.
Jua thanë komisionerët e OSBE/ODIHR-it në qershor të vitit 2015, jua tha Parlamenti Europian në shtator 2015, jua thanë vetë anëtarët e familjes së tyre politike në dhjetor 2015, se zgjedhjet e vitit 2015 ishin zgjedhje të dështuara ku oligarkia në vend që të ballafaqohet me zullumet, me mashtrimet, me dështimet e veta bëri bisht gjykimit popullor duke kapur dhe shkatërruar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duke iu mohuar shqiptarëve të drejtën për të ushtruar të drejtën më themelore, më sovranen, të drejtë që shqiptarët kanë në demokraci, atë të zgjedhjes së qeverisë lokale e të përgjithshme me votë të lirë e të ndershme.
Dhe sot ka një revansh total kundër zgjedhjeve, kundër votës së lirë që po i shtrin edhe në shtëpitë e tyre, përballë këtij modeli, përballë oligarkisë që e ka mendjen vetëm të vjedhë, vetëm të gënjejë, vetëm të mashtrojë dhe kostos së jashtëzakonshme që kjo ka për shqiptarët.
Është detyra jonë sot që të ngrihemi edhe një herë si para 25 viteve, të ngrihemi për t’i dhënë një model tjetër Shqipërisë, të demokracisë së re, demokracisë pjesëmarrëse së çdo qytetari, çdo qytetareje duke e nisur nga demokracia brenda familjes tonë, brenda shtëpisë tonë, duke e nisur me vendimmarrjen “një anëtar-një votë” për të gjitha vendimet e rëndësishme në Partinë Demokratike.
Kush tjetër përveç demokratëve mund të ofrojë sot këtë shpresë për të çarë një rrugë të re, për një model që e kërkon sot i madh dhe i vogël, për një model që përfaqësohet më së miri nga të rinjtë dhe të rejat shqiptarë. Për modelin tek i cili investohet sot aleati ynë strategjik, SHBA dhe BE ku ata që abuzojnë me besimin popullor duhet dhe do të përballen me gjykimin popullor dhe me zgjedhje të lira e të ndershme do të largohen për shkak të votës popullore.
Për një model të ri, ku ata që abuzojnë dhe vjedhin fondet publike, ku ata që u heqin kafshatën e gojës fëmijëve të Shkodrës, nënave të Shkodrës, pensionistëve të Shkodrës për të ndërtuar vilat dhe sarajet e tyre luksoze, për privatizuar, zhvatur e plaçkitur pasuritë e shqiptarëve, për të transferuar miliona euro jashtë shtetit do të përballen me drejtësinë e do të dënohen si armiq.
Për një demokraci, për një shtet ligjor që bashkohet rreth vlerave e normave, standardeve mbi të cilat është ndërtuar demokracia perëndimore, demokracia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Europian. Koha për oligarkinë shqiptare po mbaron, të bashkuar në vlera, të bashkuara në standarde qëndrojnë sot sup më sup demokratët shqiptarë, shqiptarët e lirë, SHBA, BE, oligarkë po ju vjen fundi!
Ne miratuam sëbashku ligjin për dekriminalizimin. Jemi e vetmja opozitë në Europë sot që ndonëse nuk ka numrat në Parlament as për të imponuar një veto minoritare detyroi këtë shumicë të babëzitur, të inkriminuar e të korruptuar me ndihmën e partnerëve tanë, me ndihmën e qytetarëve shqiptarë të vendosim standardin më të lartë, atë të përjashtimit të kriminelëve nga Parlamenti, nga institucionet e tjera vendore dhe ndalimit me ligj të kandidimit të tyre në zgjedhjet e ardhshme.
“Por vesi del me shpirtin”, thotë populli –dhe” Ujku qimen e ndërron por zakonin se harron!”. Atë që ne u munduam ta bëjmë ligj dhe e kemi ligj, Edi Rama po mundohet ta shpërfill me shpirt duke transferuar kriminelët nga institucionet tek partia e tij. Por si e bën këtë? Duke shtypur instrumentin e vetëm që ka një familje politike, atë të zgjedhjes me votë të lirë, atë të zgjedhjes nga anëtarët me votë të lirë e të drejtpërdrejtë të kursit, vendimeve politike dhe të njerëzve më të aftë.
Ky është ndryshimi i madh sot midis një Partie Socialiste që është katandisur në një çiflig i satrapit oriental, në një fole të personave kriminale që diktojnë çdo vendim. Dhe një Partie Demokratike që është ringritur e po ringrehet mbi normat, vlerat dhe standardet perëndimore që përbëjnë ADN-në tonë, shpirtin tonë, identitetin tonë. E ku më bukur për ta theksuar identitetin tonë perëndimor në vlera, në besime, në norma dhe në Shkodrën e lirisë, në Shkodrën e kuvendit, në Shkodrën e qëndresës, në Shkodrën e ringritjes 2015 dhe në Shkodrën që do ti prijë fitores në zgjedhjet e ardhshme.
Por parakushti i besimit të qytetarëve është besimi mes nesh, besimi mes njëri- tjetrit dhe nuk ka themel më të fortë se vota e lirë dhe e ndershme, e fshehtë dhe e respektuar për të zgjedhur drejtuesit tanë. E bëmë këtë në zgjedhjen e kryetarit të partisë, e bëmë këtë në zgjedhjen e kryetarëve të degëve me votë të lirë e të ndershme, me konkurrencë të hapur zgjodhëm kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe sot demokratët e Shkodrës nën moshën 35-vjeç do të zjgedhin me votë të lirë e të fshehtë mes tre kandidaturash të shkëlqyera që paraqiten për të marrë besimin tuaj.
Ata nuk vijnë për privilegje dhe nuk do të fitojnë privilegje, por do të fitojnë përgjegjësinë për të drejtuar rininë shkodrane në betejën që na pret. Sepse prap po thërrasim trumbetat e një beteje të re, betejës me oligarkinë, betejës me krimin, betejës me korrupsionin. Shikoni qartë kush tjetër përveç nesh do t’i dalë përballë? Kush tjetër përveç demokratëve do përballet dhe do të fitojë për Shqipërinë, për Shkodrën, për demokracinë? Ju dhe vetëm ju!
Ndaj jepini krahë energjisë, vizionit, patriotizmit, atdhedashurisë dhe profilit tuaj perëndimor. Jepini zë votës tuaj. Vendosni sot vëmendshëm por vendosi për përgjegjësinë, për sakrificën. Vendosni për Shqipërinë e nesërme që do të jetë e ndryshme nga Shqipëria e sotme. Shqipëria e nesërme nuk është ëndrra ime. Shqipëria e nesërme nuk është ëndrra juaj. Shqipëria e nesërme po vjen, Shqipëria e nesërme është Shqipëria e standardit ta vendosim duke respektuar standardin sot këtu në Shkodër e nesër anembanë Shqipërisë !
Urime edhe 14 degëve të tjera të Forumit Rinor që zhvillojnë zgjedhjet sot. “Një anëtar-një votë” në 15 degët në një ditë të vetme. Tradita demokratike nuk është e mirëqenë, ajo kërkon të konfirmohet, të rritet, të ujitet, të forcohet por sot kapaciteti i Partisë Demokratike, të Forumit Rinor tregojnë se tradita e vendimmarrjes me votë është kthyer në një traditë e cila nuk mund dhe nuk do të zmbrapset në shtëpinë tonë politike. Në familjen tonë politike i pari nuk është dhe nuk do të jetë kurrë kryetari, i pari është dhe do të jetë gjithmonë i pari anëtari. Në vizionin tonë i pari do të jetë qytetari. Humbja e oligarkisë, hapja e demokracisë së re do të kërkonte dhe ne do t’ia japim!
Urime dhe suksese më të mirit!
Urime anëtarëve të Forumit Rinor për të zgjedhur në këtë garë më të mirin e për t’u bërë edhe një herë pjesë e betejës tonë partinë për shembjen e oligarkisë dhe hapjen e rrugës së re të demokracisë së re, të demokracisë gjithëpërfshirëse, të demokracisë perëndimore, të demokracisë europiane dhe euro-amerikane.
Të nisë nga Shkodra !
Urime Shkodrës!
Rroftë Partia Demokratike!
Rroftë Forumi Rinor!
Suksese!
Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në konventën e FRPD-së në Shkodër, 13 Shkurt 2016