Deputetët Keta, Hoxha dhe Shehu shohin kushtet e mjerueshme dhe dëgjojnë ankesat e pacientëve
Deputetët e Partisë Demokratike Roland Keta, Bedri Hoxha dhe Sherefedin Shehu, panë nga afër gjendjen në spitalin e Bulqizës dhe dëgjuan shqetësimet e paciantëve dhe familjarëve të tyre.
Pas vëzhgimit, deputetët u shprehën se spitali ndodhej në gjendje të mjerueshme me mungesa të shumta të investimeve në infrastrukturë.
Familjarët e pacientëve sjellin nga shtëpitë e tyre ngrohëse, batanije, çarçafë, jastëkë.
Përveç kushteve skandaloze, ky spital ka mungesë të personelit mjekësor.
Prej 11 mjekësh që duhet të shërbejnë në spital, ndodhen vetëm 6 prej tyre, për një popullsi prej 45 mijë banorësh.
Mjekët që mungojnë janë, kirurgu, gjinekologu, neurologu etj, domosdoshmëria e të cilëve është jetike në këtë qark.
Në këtë spital, marrin ndihmën e parë edhe 3500 minatorë të gjithë nga Bulqiza duke përfshirë edhe Martaneshin.
Deputeti i Qarkut Dibër, Roland Keta tha pas takimit me pacientët se të shohësh gjendjen e Spitalit sot është më keq se 50 vite më parë.
“Nuk ka mjekë specialistë, nuk ka gjinekologë, kardiologë, mungojnë edhe shumë specialistë të tjerë. Ju e patë vetë është një infrastrukturë e shkatërruar. Nuk është nuk është spital, as qendër shëndetësore nuk mund t’i thuash. Eshtë një spital që i shërben 45 mijë banorëve, është një spital që shërben 2 qytete minatorësh, Krastës dhe Bulqizës. Ka mbi 3500 minatorë të cilët çdo ditë mund të kenë aksidente dhe nuk ka kirurgë. Mendoni se si mund të pritet një lindje, vijnë qytetarët nga Ostreni apo nga Martaneshi dhe nuk gjejnë mjekun specialist dhe sorollaten nga Spitali i Bulqizës në Spitalin e Peshkopisë dhe nga Peshkopia në Tiranë. Qytetarët e Bulqizës nuk e kanë të sigurt shërbimin shëndetësor. Çfarë ndodh. Ka dy vjet që nuk bëhet asnjë investim. Nuk ka shtretër, nuk ka aparat kardiologjie, ka mungesë ilaçesh, nuk ka batanije. Unë dua të falenderoj mjekët dhe personelin mjekësor por nuk është faji i tyre, por mungesa e politikave, mungesa e vullnetit të kësaj qeveri për të shërbyer në shëndetësi. Unë dhe e gjithë opozita kemi ngritur zërin sepse nuk është i rëndësishëm check-up, por fondi nga buxheti i shtetit të financohet në sistem. Që do të thotë të çohen fonde në spitalet bashkiake, rajonale, të investohet në aparatura, në qendra shëndetësore. Ka 3 vjet nuk eshtë ndërtuar një qendër shëndetësore në rrethin e Bulqizës pothuajse në të gjithë qarkun e Dibrës. Unë kam një apel për Ministrin e Shëndetësisë, qeverinë që të kthejnë vëmendjen nga Spitali i Buqizës”, tha Keta.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Shkurt 2016