Deputetë dhe drejtues të PD shohin nga afër kushtet e spitalit dhe dëgjojnë shqetësimet e pacientëve dhe familjarëve të tyre.

Deputetët e Partisë Demokratike Luçiano Boçi, Arbiola Halimi si edhe kryetari i degës së PD-së në Elbasan Aurel Bylykbashi, panë sot nga afër kushtet e spitalit dhe dëgjuan shqetësimet e pacientëve e familjarëve.

Nga vëzhgimi dolën mjaft problematika, ku më i rëndi ishte heqja nga puna, pa asnjë motiv, i infermierëve dhe sanitarëve nga drejtoresha e këtij spitali, me urdhër të Ministrit Beqaj.

“Punoj në repartin e kirurgjisë me përkushtim ndaj punës. Profesioniste me 40 vjet eksperiencë dhe të hidhem në rrugë në moshën 58 vjeçare kjo është e padrejtë. Vendimi i drejtoreshës është i padrejtë”, thotë një infermiere.

Ndërsa një sanitare shton: “Më thërret drejtoresha dhe më thotë se ky është urdhër i Ministrit, është reformë. Nuk ka asnjë motiv, gjejnë arsye shkollën, por janë hequr edhe me shkollë. Kërkojmë zgjidhje por ku ta gjejmë. Ne jemi të mbaruar, vetë i katërti pa punë. Vetëm unë punoja të ushqeja fëmijët. Ata po ngelin rrugëve”.

Protestës së tyre iu bashkuan përfaqësuesit të PD-së të cilët theksuan se kjo është një heqje politike por edhe korrupsion i Ministrit.

“Vumë re që ambientet janë të degraduara, gjë e cila evidentohet edhe nga pacientët, te cilët janë të kënaqur nga përkushtimi i stafit. Kushtet janë skandaloze. Mediat u penguan të hyjnë por ne bëmë disa foto të cilat do ti publikojmë. Problemi kryesor mbetet shkarkimi dhe largimi nga puna i stafit ndihmës, sanitare dhe infermierë. Janë larguar infermierë të cilët kanë një përvojë të gjatë 40-45 vjeçare, ndërkohë në profesione të tjera si specialist i oksigjenit dhe sanitare kanë vite të tëra që punojnë dhe sot largohen në mënyrë të paargumentuar dhe të pajustifikuar nga puna thjesht me një urdhër të drejtoreshës të marrë nga Ministria. Kjo është një tentativë për të mbushur gropën e madhe që Beqja e ka shkaktuar me konçensionet e tij, ka gjetur një mënyrë alternative pasi nuk mjaftojnë vetëm taksat e shqiptarëve por u dashkan edhe pagat e sanitarëve për të përballuar konçensionet qindra milionë euroshe që Beqaj vazhdon t’i japë me shumë dashamirësi për klientët, për interesa personale dhe politike. Në vend që këto para të shndërrohen në investime për spitalet, në rroga për infermierët, në shërbime më të mira, shkojnë atje ku do Beqaj dhe ku do Rama. Kjo është një gjendje skandaloze, dramatike e cila duhet të ndryshojë. Njerëzit që janë pas nesh nuk mund të hidhen në rrugë. Janë kryefamiljarë. Ka nga ata që janë të vetëm të punësuar, me zor mbajnë familjen, me zor mbajnë familjet e tyre dhe sot janë në udhëkryq. Nuk dinë ku të shkojnë për të kërkuar zgjidhjen e jetës dhe punës së tyre. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim, në protestën e tyre, në kërkesën e tyre dhe do të kërkojmë me insistim rikthimin ne vendet e punës, sikurse do të vazhdojmë të denoncojmë këtë gjendje skandaloze të spitaleve si këtu ne Elbasan dhe kudo në Shqipëri”, tha deputeti Luçiano Boçi.

“Në kohën kur Ministri Beqaj bashke me Edi Ramën jep konçensione duke grabitur buxhetin e shtetit duke ia kaluar privatit e miqve të tyre, nuk gjejnë dot hapësira per të mbajtur në punë infermierë dhe sanitarë të cilët i kanë shërbyer spitalit të Elbasanit për shumë vite. Të shqyrtohen rast pas rasti pasi pjesa më e madhe e tyre vijnë nga familje me probleme të thella financiare, ekonomike dhe sociale”, theksoi deputetja Halimi.

Partia Demokratike do të ndjekë në vazhdimësi nga afër situatën në spitalet e Shqipërisë, për të paraqitur në realitet degradimin që po përjeton shëndetësia nën drejtimin e Ministrit Beqja e kryeministrit Rama, të cilët premtuan në fushatë kushte më të mira për pacientët si edhe shëndetësi falas.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 9 Shkurt 2016