Kryetari i PD-së së Vlorës, Meminaj denoncon ngjarjen nga vendi ku dyshohet se është ulur avioni me lëndë narkotike
Kryetari i Partisë Demokratike në Vlorë, Moisi Meminaj, ishte në zonën ku dyshohet se është ulur një avion me lëndë narkotike, dhe u shpreh se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një trafiku të vazhdueshëm droge të ndihmuar nga strukturat e shtetit.
Vendi ku dyshohet se është ulur avioni është mes fshatit Akerni dhe Poro në një rrugë e cila përshkohet vetëm nga makina të mëdha.
Në një prej parcelave të kësaj zone janë qarta gjurmë gomash të cilat nuk duken as si automjeti dhe as si motorri, ndërkohë që banorët e zonës tregojnë se pikërisht në këtë vend është ulur dhe avioni.
Gjurmët janë në një vijë të drejtë dhe në një pikë duket se ka pasur një frenim të fortë. Ajo që bie në sy është se disa gjurmë janë të freskëta dhe disa më të vjetra, çka shton dyshimin se kjo lëvizje mund të mos ketë qenë e vetmja lëvizje e mjetit fluturues.
Kryetari i PD-së së Vlorës, Moisi Meminaj, tha në vendin e ngjarjes se kjo nuk është e vetmja herë kur është ulur një avion.
Që nga viti i kaluar dëshmitë flasin për dhjetra sinjalizime të uljes së mjeteve të tilla.
“Ka pasur shumë raste të tilla madje një herë kur e kapën një avion të tillë vitin e kaluar e lanë përsëri të lirë sepse e nxorën sikur avioni ishte pjesë e një filmi”, tha Meminaj, duke shtuar se, krimi ka gjetur mbështetjen e shtetit dhe ndaj lulëzon në këto forma trafiku i drogës.