Shqipëria në Bashkimin Europian nuk mund të jetë Shqipëria e Prengëve, Bushëve, Ndokëve, Roshëve por duhet te jetë Shqipëria e demokratëve dhe socialistëve të ndershëm me ofertë dhe program të besueshëm.Me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me drejtësi të pakapur politikisht dhe me rregulla loje që funksionojnë, me shtet ligjor që funksionon, me Kushtetutë që zbatohet, me vendime të Gjykatës Kushtetuese që implementohen.

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua sot me Përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë znj. Federica Mogherini. Situata aktuale politike dhe ekonomike në vend, krimi dhe korrupsioni,  dekriminalizmi, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe Reforma në Drejtësi kanë qenë çështjet kryesore të diskutuara në këtë takim.

“Situatën aktuale politike në vend, pasojat e rënda që ka kjo për qytetarët shqiptarë por edhe për Bashkimin Europian i cili vitin e kaluar është detyruar të presë mbi 100 mijë shqiptarë që u larguan nga vendi i tyre duke u rreshtuar të dytët pas sirianëve në statistikat gjermane dhe të vendeve të tjera për kërkesat për azil politik ka qenë një prej çështjeve të diskutuara. Kjo  situatë  është shkaktuar si rezultat i krimit, korrupsionit, zhbërjes së garancive dhe sigurisë ligjore, pra të shtetit ligjor, shtetit të së drejtës dhe padyshim edhe zmbrapsjes së Shqipërisë nga standardet demokratike, siç u vërtetua në zgjedhjet e qershorit 2015. Për opozitën shqiptare, kushtet fondamentale të daljes nga kjo situatë janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit, shteti ligjor, zbatimi i ligjit.Në radhë të parë nga përgjegjësi kryesor për zbatimin e ligjit që në fakt është edhe dhunuesi kryesor i ligjit sot, vetë qeveria shqiptare. Dhunimi i ligjit fillon që me normat më të larta siç janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat janë të padiskutueshme e për të cilat kjo qeveri u zotua në Krishtlindjet e vitit 2014 se nuk do ti vinte më në pikëpyetje. Ndërsa sot vazhdon të tërheqë këmbën për një vendim të qartë të Gjykatës Kushtetuese që detyron të çojë mandatet e tre deputetëve të akuzuar se kanë përfituar fondet e shqiptarëve, pasuritë e shqiptarëve duke shkelur Kushtetutën.”

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur në këtë takim shqetësimin për bllokimin që maxhoranca i bën punës së komisioneve hetimore parlamentare duke pamundësuar hetimin e çështjeve të rënda të korrupsionit  si dhe shkarkimeve masive dhe emërimeve kriminale në administratë.

“Për mirëfunksionimin e demokracisë parlamentare që do të thotë që opozitës nuk mund t’i mohohet e vetmja e drejtë që i jep Kushtetuta, komisionet parlamentare hetimore, të cilat pasi u ngritën nën trysninë e marrëveshjes politike nuk funksionojnë sepse maxhoranca tërheq kuorumin sa herë që dëshiron duke pamundësuar hetimin e çështjeve të rënda të korrupsionit apo të shkarkimeve masive dhe emërimeve kriminale në administratë. Në kundërshtim me një kriter fondamental për Bashkimin Europian që është kriteri i administratës publike”.

 

Cështje kardinale e diskutuar në takimin mes liderit të opozitës Lulzim Basha dhe Përfaqësueses së  lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë znj. Federica Mogherini ishte procesi i dekriminalizimit dhe sfida që i bën këtij procesi kryeministri Rama, i cili nga njëra anë refuzon futjen në zbatim të tij dhe nga ana tjetër shfaqet në krah të personave subjekt i këtij ligji.

“Diskutuam për çështjen kyçe të dekriminalizimit, ku refuzimii derisotëm për të futur në zbatim ligjin për dekriminalizimin,  bashkë me shfaqjet e shëmtuara të kryeministrit krah personave me rekorde të tmerrshme kriminale si Artur Bushi, Elvis Roshi, Arben Ndoka, Armando Prenga risjell sjell kujtimet e këqija të shqiptarëve për qëndrimin e kreut të mazhorancës në krah të krimit, që është një qëndrim mbështetës, inkurajues i krimit dhe sfidues ndaj ligjit të dekriminalizimit, ndaj mesazheve të aleatëve tanë dhe ndaj domosdoshmërisë së Shqipërisë për të bërë dekriminalizimin e Parlamentit dhe politikës.”

Lidhur me Reformën në Drejtesi zoti Basha u shpreh se “Partia Demokratike mbetet faktori më i interesuar për një drejtësi të reformuar, të pakorruptuar, të pashantazhuar dhe të pashantazhueshme e të pakapur politikisht përballë një mazhorance e cila ndonëse e ka të domosdoshme dialogun dhe konsensusin me opozitën për të miratuar reformën në drejtësi sipas rekomandimeve dhe kritereve të Venecias, refuzon deri më sot dialogun politik. Refuzon t’i japë një shans konsensusit politik. Demonstron pra se është vetë i painteresuar për reformën në drejtësi.E sigurova znj.Mogherinise opozita ka qenë dhe është e përkushtuar për çdo reformë që e sjell Shqipërinë më afër anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ne mbajmë meritën dhe përgjegjësinë e çdo hapi që Shqipëria ka hedhur në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Stabilizim Asocimit, aplikimi, plotësimi i pyetësorit dhe miratimi nga Komisioni Europian i vendimit për dhënien e  statusit kandidat. Ne duam që Shqipëria të nisë sa më shpejt negociatat për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian sepse besojmë se kjo i shërben interesave të çdo shqiptari dhe Shqipërisë sot e në dekadat që do të vijnë.

Prandaj jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka në dorën tone. Por Shqipëria në BE nuk mund të jetë Shqipëria e Prengëve, Bushëve, Ndokëve, Roshëve por duhet te jetë Shqipëria e demokratëve dhe socialistëve të ndershëm me ofertë dhe program të besueshëm, me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me drejtësi të pakapur politikisht dhe me rregulla loje që funksionojnë, me shtet ligjor që funksionon, me Kushtetutë që zbatohet, me vendime të Gjykatës Kushtetuese që implementohen” -theksoi zoti Basha.

Duke iu përgjigjur interesimit të medias për votën e Partisë Demokratike për Reformën në Drejtësi, zoti Basha u shpreh:

“Reforma në Drejtësi është një proces, jo një ligj që pret sot në Parlament. Që ky proces të shndërrohet në amendamente kushtetuese dhe në ligje lypset dialog politik. Kushtet për dialog politik kjo qeveri nuk i ka krijuar, përkundrazi ka investuar dhe investoi deri dje, – të shohim se çdo të bëjë sot –  për konfliktin politik. Parakusht për të ecur përpara është dialogu politik që çon drejt konsensusit bazuar mbi kriteret e Venecias.Për këtë Partia Demokratike ka qenë, është dhe mbetet e qartë dhe e vendosur.”

 

Lideri i opozitës u shpreh optimist se BE do të vazhdojë të luaj rol pozitiv duke stimuluar dialogun politik, konsensusin, duke mbështetur dekriminalizimin dhe shtetin ligjor.

“Takimi i sotëm është një takim jashtëzakonisht i frytshëm dhe inkurajues, si takimi në format delegacioni ashtu edhe takimi kokë më kokë që pata me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian. Mendoj se mesazhet e mia u kuptuan qartë dhe kam shumë shpresë dhe besim se Bashkimi Europian do të vazhdojë të luajë një rol pozitiv duke stimuluar dialogun politik, konsensusin, duke mbështetur dekriminalizimin, shtetin ligjor dhe reformën në drejtësi si prioritete absolute të Shqipërisë dhe shqiptarëve.”


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 4 mars 2016