Unë besoj se të gjithë ne do të kishim jetuar shumë më mire, nëse nuk do të kishim nevojë për ligjin për dekriminalizimin, për ta detajuar e për ta bërë atë të zbatueshëm. Do të ishim të gjithë të nderuar nëse nuk do të kishim nevojë ta ngrinim dorën sot, për të futur këto rregulla të forta për një arsye të vetme; dekriminalizimin e parlamentit dhe të institucioneve.

Për ta bërë këtë duhet kurajo, integritet, burrëri për ti qëndruar themeleve që mbajnë një shtet demokratik, kushtetutës dhe normave të deçencës demokratike

Por ishte e qartë që kur objektivi është që të fitohen me çdo kusht zgjedhjet, çdo gjë ndodh dhe një nga gjërat ishte kriminalizimi i skajshëm i kësaj salle dhe, jashtë saj.

Një temë më shumë se dy vjeçare, sot po përmbyllet vetëm faza ligjore. Mesa duket nuk kishte aspak mundësi që nëpërmjet vetëm vullnetit, ne ta mbanim të keqen jashtë, por na duhej ky ligj dhe ky vendim që ka formën e një karantine për të keqen.

Na u desh një vit për konsensusin e 24 Dhjetorit që ta materializonim me një ligj, nga 24 dhjetori 2014, në 7 Dhjetor 2015. U deshën dhe tre muaj të tjerë që konsensusin e 17 Dhjetorit ta kthenim në këtë akt, që do ta votojmë sot dhe do të  hyjë në fuqi. Është shumë kohë për kaq pak nene, për një çështje të një rëndësie kaq të madhe publike. Shqiptarët presin nga ne që ta miratojmë, sepse presin nga ne që kriminelët të largohen nga parlamenti dhe institucionet e tjera.

Një pakt, kur bëhet respektohet dhe nuk tërhiqet zvarrë,  zbatimi bëhet menjëherë, sepse kjo tregon vullnet të mirë dhe mirëbesim. Kjo që ka ndodhur ka treguar krejt të kundërtën. Nuk kishte pse çdo gjë të arrihej në limitet e fundit,  nëse do të kishim pasur vullnet, do ta kishim bërë kohë më parë. Por ishte presioni i opozitës dhe i ndërkombëtarëve që më së fundi të arrihej sot në këtë ditë, për të miratuar këtë akt. Ky që kemi sot përpara të nderuar kolegë, ky që miratoi Këshilli për Regulloren dhe Mandatet, siç kishte përcaktuar Kuvendi është një projektvendim shumë i detajuar i cili nuk lë shteg në gjykimin tonë që kriminelët ti shpëtojnë qoftë ata që janë sot në institucione dhe ata që do të vijnë nesër për të kandiduar në zgjedhje, apo për tu emëruar nga dikush, as të kenë shtegun për të hyrë, dhe as ata që duan ti fusin një alibi, nuk e dija e mora dhe e futa dhe këtë.

Por gjithashtu u ra dakord përfundimisht dhe për një element mjaft të rëndësishëm që është një formular vetëdeklarimi i detajuar, është ai që do të bëjë mbledhjen e të gjitha të dhënave, fakteve indicieve që pastaj do të bëjë të mundur që ligji dhe organet e ngarkuara nga ligji, ti largojnë të inkriminuarit.

Sigurisht, ju e dini që këtu duhet dhe një projektligj tjetër për të larguar edhe një kategori tjetër të rrezikshme , ata që arrestohen në flagrancë për kryerjen e një krimi kundër jetës, pra vrasje apo plagosje. Ne kemi deputetë, të cilët akuzohen për këtë. Gjithsesi kjo është një betejë tjetër, por ajo që përmbyllim sot është faza legjislative e largimit të kriminelëve.

Sot fillon beteja e madhe për shqiptarët dhe për opinionin publik,  që këta kriminelë të largohen, duke zbatuar ligjin.

Sigurisht ne nuk do të tolerojmë për asnjë çast që ligji të kthehet në një gërmë të vdekur, por ky ligj të jetë në funksion dhe të largojë duke filluar nga ata që mbajnë imunitete kushtetuese, funksione kushtetuese, deri tek nëpunësi më i thjeshtë civil i cili ka hyrë atje vetëm për faktin se ka një cv kriminale dhe i ka kryer shërbime dikujt, dhe jo sepse e meritonte të qëndronte në administratën publike, ti shërbente me besim publikut. I falenderoj të gjithë kolegët që kanë kontribuar në këtë çështje.

Unë besoj që dhe ata që kanë diçka për të deklaruar apo të fshehur në këtë formular, sigurisht do të ngrenë dorën për të dhënë votën. Gjithsesi mbetet në nderin e këtij parlamenti jo vetëm ta miratojë por ta cojë përpara deri në fund zbatimin e këtij ligji.


Fjala në Parlament e deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, 4 mars 2016