Ju falenderoj për praninë këtu në këtë bashkëbisedim, të cilin mendova ta organizoj së pari për t’ju informuar në vetë të parë për vizitën time në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përmes jush teleshikuesit tuaj, opinionin publik, ndonëse vizita ka pasur një jehonë të gjerë në median shqiptare, dhe s’ka se si të jetë ndryshe sepse është një vizitë e rëndësishme për Shqipërinë, jo vetëm për opozitën. Si kryetar i opozitës kam mirënjohjen e madhe për organizimin e kësaj vizite dhe mikpritjen nga zyrtarët më të lartë të Kongresit, të Senatit, administratës amerikane, si edhe një sërë institucionesh të tjera të politikëbërjes amerikane veçanërisht në rrafshin e demokracisë, shtetit ligjor dhe politikës së jashtme.

Natyrisht, në Uashington kthehem jo si një i panjohur, si një Ministër i Jashtëm në një kohë intensive me partnerin tonë strategjik përsa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe kohës së përgaditjes së pavarësimit të Kosovës dhe më vonë njohjes së saj ndërkombëtare, por po kështu si Ministër i Brendshëm në një kohë sfidash të sigurisë globale të cilat i kemi përballuar me sukses dhe dinjitet duke bërë pjesën tonë, dhe shpeshherë sipas vetë partnerëve tanë amerikanë më shumë se pjesën tone, në mënyrë që të ndërtojmë vektor kontribuimi në një marrëdhënie e cila në këto 25 vite, madje do të thoja këto 100 vite të ekzistencës së shtetit shqiptar, ka qenë kryesisht një marrëdhënie përfitimi nga shqiptarët, nga Shqipëria, nga kombi shqiptar siç është rasti i anëtarësimit në NATO apo i pavarësisë së Kosovës në kujtesën e freskët, apo mbështetja e jashtëzakonshme që SHBA dha për përmbysjen e diktaturës komuniste dhe hapjen e Shqipërisë dhe fillimin e rrugëtimit të saj.

Vizita ime e sapo përfunduar është vizita e parë si kryetar i opozitës. Vjen në një kohë sfidash të mëdha globale dhe të brendshme për SHBA-në, dhe në valën e primareve presidenciale, kur bota përballet me sfida të mëdha globale siç është terrorizmi, lufta kundër terrorizmit, ISIS, siç janë krizat në Ukrainë, në Siri, krizat e tjera të brendshme të reflektuara në partnerët kryesorë të SHBA-së në veçanti në Bashkimin Europian, situata politike në Britani, në Francë dhe në Gjermani njihet fare mirë. E megjithatë, SHBA, zyrtarët më të lartë të këtij vendi mik ndanë kohë, vëmendje dhe treguan fokus të veçantë për Shqipërinë duke më rezervuar mua si kryetar i opozitës, jo vetëm kohën e takimeve, jo vetëm vëmendjen e takimeve, por edhe garancitë dhe mbështetjen e plotë për Shqipërinë me sfidat e mëdha me të cilat jo përballet.

Dhe kjo në vetvete është një inkurajim i madh, jo thjesht për PD, jo vetëm për demokratët, për opozitarët në Shqipëri, por për të gjithë shqiptarët.

Eshtë një inkurajim i madh dhe më sjell para jush, para opinionit publik me një optimizëm të arsyetuar, të mbështetur se sfidat kryesore të Shqipërisë do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me një optimizëm të plotë se Ligji për Dekriminalizimin nuk do të mbetet në sirtar. Se personat me rekorde kriminale do të nxirren nga institucionet sipas këtij ligji dhe gjithçka tjetër është e papranueshme, – citoj -, garanci e marrw gjatë takimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – e papranueshme për partnerin tonë strategjik, dhe nuk do të tolerohet.

Vij me optimizmin se SHBA do të jenë pranë opozitës, Partisë Demokratike por në fakt Shqipërisë dhe çdo shqiptari për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme duke i dhënë zë një shqetësimi mbarë popullor për domosdoshmërinë e garantimit të votës së lirë si hapi themelor i një demokracie, si themeli i një shoqërie të lirë, e ky është një lajm i veçantë që unë e kam ndarë me publikun shqiptar edhe gjatë kohës që isha në SHBA, përmes mediave tuaja, përmes Zërit të Amerikës, por dua ta ndaj posaçërisht sot këtu.

Mbështetja e SHBA do të jetë për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe në veçanti për shqetësimet tona përsa i përket shit-blerjes së votës, pra parasë korruptive dhe kriminale që shkon në blerjen masive të votës, angazhimit të kontingjentit kriminal për të indimiduar votuesit për të intimiduar administratën zgjedhore, për të prishur procesin e votimit, apo procesin e numërimit, lirisë së medias dhe medias së lirë dhe garantimit të aksesit të barabartë dhe proporcional si dhe garantimit të profesionalizimit të raportimit në media nga gazetarët përtej presioneve politike apo të natyrave të tjera. Monitorimi i rreptë i shpenzimeve në fushatë, në mënyrë që paraja kriminale dhe paraja e korrupsionit të mos diktojë rezultatin përfundimtar.

Të gjitha këto shqetësime të cilat i ngrita me fakte dhe argumenta bazuar edhe mbi masakrën elektorale të 2015-ës, kanë gjetur rezonim të plotë dhe unë vij sot me garancinë se procesi formalisht i saponisur i reformës zgjedhore do të ketë të njëjtën vëmendje, të njëjtin përkushtim dhe një kalendar koherent, pra të shpejtë mbështejeje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ekspertizë, me vëmendje politike, në mënyrë që shqiptarët të kenë atë që meritojnë, zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve evropiane, sipas standardeve amerikane.

Pra vij me këtë mesazh, që nuk është vetëm mesazh inkurajimi por është shuarja e shpresës së oligarkëve shqiptarë të lidhur me mafian dhe të veshur me pushtet se mund të deformojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Do të përballen jo vetëm me PD-në, jo vetëm me qytetarët shqiptarë, por do të përballen edhe me fuqinë më të madhe mbi rruzull, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Së treti, vij me optimizmin dhe inkurajimin se Byroja Kombëtare e Hetimit, në veçanti dhe Reforma në Drejtësi, në përgjithësi, do të kryhen sipas rekomandimeve të Venecias, sipas standardeve evropiane. Se askush nuk do të mund të ndalë, të deformojë, apo të devijojë këtë vullnet që në fakt buron nga qytetarët shqiptarë për të pasur një drejtësi funksionale, për të pasur një drejtësi të pakorruptuar, të pavënë nën presionin e politikës, por në gjendje madje të hetojë politikën, të hetojë korrupsionin në nivele të larta, ta vërë atë para përgjegjësisë.

Dhe ky është thelbi i Reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi nuk është abstrakte, Reforma në Drejtësi nuk është një qëllim në vetvete, qëllimi i reformës në drejtësi është ti japë fund krekosjes, arrogancës, pështyrjes në fytyrë të qytetarëve shqiptarë, pasi qeveria u vjedh kacidhen e fundit nga xhepi, përmes bashkëqeverisjes me krimin dhe diktimin nga krimi të qeverisjes, pra “Al Kapones” të ulur në karriken e kryeministrit, i cili natyrisht pastaj përkthehet e përthyhet në dhjetra “Al Kapone” të tjerë që vendosin sot se kush merr tenderët se kush emërohet në dogana, se kush emërohet në komisariatet e policisë, se kush do të marrë e do të përfitojë frytet e privatizimit, se kanabisi i kujt do të kultivohet e do të kalojë përmes pikave kufitare të kapura nga mafia dhe kanabisi i kujt nuk duhet të kalojë, e kështu me radhë.

Takimet në SHBA i kam përfunduar me bindjen e thellë se asnjë sfidë aktuale, globale e sigurisë, apo e brendshme nuk ka hequr dhe nuk mund të heqë vëmendjen e partnerit tonë strategjik nga gjendja alarmante në Shqipëri. Po kështu, me përkrahjen se tek PD nuk sheh vetëm opozitën e vendit, si jetike për demokracinë, jetike për përballjen me të keqen, por edhe alternativën e të nesërmes, qeverisjen e të nesërmes, shpresën për të nesërmen.

Kjo vjen e mishëruar përmes programit që PD ka përfunduar, dhe një pjesë të së cilës tashmë e kemi konsultuar edhe me qytetarët shqiptarë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo vjen përmes koncepteve perëndimore, me të cilat PD po ringrihet duke përfshirë këtu edhe avancimin tonë për zgjedhjet e ardhshme për ti dhënë përfaqësimin më demokratik kandidatëve tanë për deputetë.

Unë kam njoftuar para se të nisesha për në vizitë drejt SHBA-së, një hap në këtë drejtim që është propozimi për Këshillin Kombëtar që 35 përqind, pra 39 nga 140 kandidatët e ardhshëm, të vijnë nga rinia shqiptare dhe të zgjidhen përmes një procesi primarësh. Dhe për këtë kam kërkuar dhe kam marrë mbështetjen e institucioneve të specializuara në SHBA, siç është Instituti Ndërkombëtar Republikan, dhe instanca të tjera, po ashtu, kam marrë inkurajimin dhe përgëzimin për këtë vizion perëndimor, evropian, euroatlantist, dhe garancitë e mbështetjes së këtij vizioni në të gjitha format dhe mënyrat si rruga e drejtë, si rruga evropiane, si rruga euroatlantike për të ardhmen e Shqipërisë, që është ajo e përfaqësimit legjitim të qytetarëve në politikë e në veçanti në shtresat më të larta të përfaqësimit politik që janë deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë.

Po kështu, kam diskutuar edhe për planet tona ekonomike për Shqipërinë, siç është paketa jonë fiskale që synon të kthejë Shqipërinë në vendin më konkurues në Ballkan sa i përket regjimit fiskal, pra uljes së taksave, taksën e sheshtë 9 përqind, me uljen e TVSH-së me 15 përqind, me paketa stimuluese për biznesin e vogël, me përcaktimin e prioriteteve të qarta përsa i përket investimeve të huaja, për ti hapur atyre dyert, në veçanti për investimet amerikane në sektorë strategjikë siç është sektori i energjisë, sektori i infrastrukturës, veçanërisht ai i infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe portuale shqiptare, si dhe aspekte të tjera të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë me potenciale të mëdha dhe të pashfrytëzuara siç janë investimet në turizëm, në burimet minerare dhe në bujqësi.

Siç ju thashë, në Uashington nuk kthehem si një i panjohur, por vizita për herë të parë si Kryetar i opozitës më obligon edhe një herë të shpreh mirënjohjen e madhe për SHBA, për përfaqësuesit e lartë  që takova në të dy degët e legjislativit në Kongres dhe në Senat, dhe në Administratën amerikane dhe tek mikpritësit e tjerë, të shpreh po kështu besimin e madh se me mbështetjen që i dhanë opozitës shqiptare, Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës, SHBA ka vlerësuar dhe kanë vendosur besimin e tyre tek një partner i qëndrueshëm tek një kolonë e vlerave europiane dhe euroatlantike dhe tek një alternativë e fortë dhe e besueshme për një Shqipëri ndryshe. Për një Shqipëri të vendosur për kursin e saj perendimor, së pari në rithemelimin e demokracisë shqiptare, duke siguruar siç është bërë e nevojshme të sigurohet për herë të dytë qytetarin shqiptar dhe komunitetin Euroatlantik se pushteti në demokraci i takon qytetarëve dhe ushtrohet nga qytetarët përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe jo oligarkëve, dhe se lufta për çmontimin e oligarkisë nuk do të njohë pauzë deri në fitoren e saj.

Së dyti, për një proces të thellë reformues i cili do të bëjë të pamundurën që zullumbërësit me pushtet të sotëm, të nesërm apo të çfarëdo kohe të mund të marrin arratinë me frutet e korrupsionit, me frutet e alenacës së tyre të krimit, por të përballen përmes një drejtësie të pakorruptuar dhe të aftë të bëjë drejtësi. Dhe së treti përmes izolimit, goditjes dhe largimit të elementëve kriminalë nga qeverisja, nga pushteti, pra zbatimit të ligjit të dekriminalizimit si një domosdoshmëri për çdo hap tjetër që do të hedhë përpara Shqipëria si në raport me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ashtu edhe në raport me Reformën në Drejtësi dhe komponentë të tjerë të drejtësisë dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Aspekte të tjera të vizititës u përqendruan sigurisht edhe për gjendjen në rajon, veçanërisht në Kosovë, Maqedoni, të shqiptarëve në Mal të Zi, në Preshevë, Bujanovc, Medvegjë, marrdhëniet tona me fqinjët dhe pa dyshim rolit që Shqipëria ka luajtur gjatë qeverisjes së mëparshme e do të vazhdojë të luajë pavarësisht prej cilës qeverisje është në pushtet, për të përmbushur detyrimiet e saj si anëtare e NATO-s, për të përmbushur pjesën që i takon, marrëdhënien me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky ishte në mënyrë të përmbledhur fillimi i këtij bashkëbisedimi, mendoj se mund ta zbërthejmë më lehtë edhe për qytetarët nëse e ndërtojmë pjesën tjetër të bisedës tonë me pyetje-përgjigje.

Pyetje: Dje tryeza e dialogut politik ka marrë kthesë ndryshe nga dita e parë e negociatave, ku palët gjetën dakordësinë duke arritur marrëveshje për disa çështje shumë të rëndësishme për reformën në drejtësi. Ju sapo keni qenë në SHBA dhe deklaruat se i vetmi kusht për opozitën është moskapja e sistemit të drejtësisë. A do ta shikojmë ne javën që vjen opozitën sërish në tryezën e dialogut politik? Do të japë konsensus për çështjet e mbetura pezull?

Basha: Së pari, dua të vlerësoj faktin se pas dy vitesh insistim për dialog politik dhe në mbyllje të vizitës time në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më në fund maxhoranca pranoi atë që duhej të kishte bërë dy vite më parë, të ulej dhe të diskutonte në një dialog politik të hapur me opozitën për një reformë shumë e rëndësishme për vendin që është reforma në drejtësi. Kemi humbur dy vite.

Unë e kam thënë dhe dua ta përsëris, këto dy vite i kemi humbur sepse Edi Rama nuk e do, nuk e ka dashur asnjëherë reformën në drejtësi. E ka konceptuar atë gjithmonë si një vello për të mbuluar synimet e tij për drejtësinë, që janë kapja e drejtësisë, shfrytëzimi politik i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Edi Rama e ka kapur tashmë drejtësinë në tërësi. Ajo për të cilën bëhet fjalë është mos-çimentimi i kësaj kapje. Këtë thotë edhe “Venecia” në opinionet e saj, në opinionin e saj të parë dhe të dytë dhe kjo është një detyrë e madhe dhe e rëndësishme jo vetëm për opozitën shqiptare por edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë. Mosçimentimi i kapjes do të thotë që ne t’i heqim instrumentat e ndikimit politik në vendimmarrjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Pra, që Edi Rama nga zyra e tij apo nga makina e tij të mos jetë në gjendje t’i bjerë telefonit të prokurorit apo gjyqtarët e ti thotë: “këtë hetoje e këtë mos e heto”, “këtë denoje, atë mos e dëno se përndryshe të pres këmbët”.

Kuptohet që motivet e këtij kryeministri për të ndërmarrë një reformë që i pamundëson, pra i heq këtë levë që ka për ushtrimin arbitrar të pushtetit, ushtrimit oligarkik të pushtetit, janë zero.

Edi Rama është përpjekur për dy vite me radhë ta sabotojë reformën në drejtësi, të sabotojë Byronë Kombëtare të Hetimit. Ju kujtoj se sa baste u vunë tre ditë apo katër ditë para vizitës së sekretarit Kerry këtu se projekti i Byrosë Kombëtare të Hetimit, paskësh qenë ai që shpallte i krekosur Edi Rama nga Parlamenti.

Pra, versioni i Byrosë Kombëtare të Hetimit nën sqetullën e Saimir Tahirit, apo nën sqetullën e Edi Ramës. Ka një problem të madh këtu. Nuk do shumë mend për të kuptuar se një produkt i tillë vjen nga një fantazi e shfrenuar antieuropiane, anti-atlantike. Nuk mund të ketë Byro Hetimi që drejtohet nga Kryeministri apo nga Ministri i Brendshëm në asnjë realitet politik euroatlantik.

Ndoshta në realitetin e stepave oligarkike apo në realitetet e shkretëtirave autokratike, por realitetet euroatlantike nuk e njohin që subjektet potenciale të hetimit për korrupsion, që janë vetë qeveria, – për faktin e thjeshtë sepse kontrollon vendimmarrjen për milionat dhe miliardat, – të jenë ato që drejtojnë edhe hetimin.

Ndaj dua tu them të gjithë atyre që me arsyet e tyre dyshuan në drejtësinë e vizionit dhe projektit tonë për Byronë Kombëtare të Hetimit, në sinqeritetin e bashkëpunimit tonë, mbështetjes tonë për këtë projekt të rëndësishëm që ka po kështu mbështetje speficike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: le të shërbejë e vërteta për Byronë Kombëtare të Hetimit si një çertifikatë e qëllimeve dhe vendosmërisë euroatlantike të Partisë Demokratike, të Lulzim Bashës. Standardi europian, standardi euroatlantik është kushti i vetëm që ne kemi vendosur që prej fillimit të reformës në drejtësi dhe nga ana tjetër, kemi një palë që edhe këtë rast donte ta përdorte për të pasur më shumë pushtet politik. Por Byroja Kombëtare e Hetimit do të bëhet dhe do të bëhet sipas standardit europian, euroatlantik, sipas standardeve të transparencës, llogarëdhënies dhe ndarjes së pushteteve.

Byroja Kombëtare e Hetimit ka një qëllim, të parandalojë dhe të dënojë rastet e abuzimit flagrant me pushtetin të pushtetarëve që sot e shohin veten e tyre të paprekshëm dhe mbi ligjin, dhe si e tillë nuk mund dhe nuk do të jetë kurrë nën varësi të pushtetarëve. Ne kishim të drejtë. PD kishte të drejtë. Ne ishim të hapur dhe të sinqertë, ndaj gjej rastin të përshëndes faktin që më në fund edhe maxhoranca duket se po i afrohet konceptit të “Venecias”, konceptit euro-amerikan për Byronë Kombëtare të Hetimit që është Byroja Kombëtare e Hetimit nën prokurorinë dhe jo nën qeverinë.

E njëjta, vlen edhe për shqetësimet e tjera që kemi ngritur. Asnjë shqetësim nuk ka të bëjë me interesat e Partisë Demokratike. Të gjitha kanë të bëjnë me interesin e qytetarit shqiptar.

Reforma bëhet për qytetarin shqiptar nuk bëhet as që të shpëtojë Edi Rama nga ndjekja penale, as që të futet Edi Rama me zor nën hetim. Interesi i qytetarëve shqiptarë është për një gjyqësor që jep drejtësi eficente, të shpejtë dhe të drejtë, që nuk mbahet peng, që nuk i mbahet dora as nga pushteti as nga krimi. Dhe për këtë duhet që ata që emërojnë gjyqtarët, ata që disiplinojnë gjyqtarët, ata që promovojnë gjyqtarët t’i kenë duart e pastra. Por po kështu të japin llogari para qytetarëve, jo para kryeministrit, kushdo qoftë ky, as para kumbarëve, as para Al Kaponëve, por vetëm para qytetarëve.

Prandaj insistojmë në një skemë të thjeshtë, transparente dhe sipas standardit europian të emërimit të gjyqtarëve, të kontrollit të gjyqtarëve, të disiplinimit të gjyqtarëve, të kualifikimit të gjyqtarëve, e njëjta gjë vlen edhe për prokurorët.

Prandaj insistojmë në një balancë, një formulë të balancuar, mundësisht jopartizane, në vend që të jetë bipartizane, mundësisht jo partizane por profesionale që të mbikqyrë të gjitha këto hallka të rëndësishme, të mbikqyrë po kështu kualifikimet e gjyqtarëve dhe po kështu performancën e gjyqtarëve. Kjo është reforma në drejtësi.

Pyetje: Si është sot situata?

Basha: Sot, Edi Rama për hesap të vet, Ilir Meta për hesap të vet, secili ka levat e tij që i tërheqin në të gjitha instancat e gjyqësorit dhe duan që këto leva ti transferojnë edhe në gjyqësorin e reformuar përmes skemave pak më të stërholluara por të vazhdojnë të kenë këtë pushtet tek gjyqësori. Eshtë gabim të kuptohet kjo si një luftë, sikur këto leva tani do t’i kapë Partia Demokratike. Jo! Partia Demokratike do të heqë duart e politikës dhe dëshiron një skemë të standardit europian ku gjyqësori të vetëqeveriset por ama edhe kjo vetëqeverisje të jetë transparente dhe llogaridhënëse sipas modeleve të përcaktuara në mënyrë që të shmanget korporatizmi. Pra, sjellja e gjyqësorit si një qeveri apo si një shtet brenda shtetit që s’jep llogari edhe kur bën zullum. Dhe për këtë ne kemi dalë me propozime të qarta.

Dita e parë është provë e vullnetit tonë, vullnet i cili nuk ka munguar që ditën e parë kur reforma në drejtësi u shpall – nëse nuk gabohem, ka qenë 5 tetori i vitit 2014 – ndonëse ne ishim në kushtet e bojkotit parlamentar për shkak të inkriminimit të parlamentit. Po bëhet një vit e gjysëm, që kur ne kemi kërkuar dialogun dhe shiko se çfarë ndodhi ditën e parë të dialogut. Arritëm dakordësinë për një pjesë të mirë të çështjeve që kishin mbetur në retorikën politike prej më shumë se një viti apo prej më shumë se 7 apo 8 muajsh.

Tani vjen problemi çfarë po ndodh aktualisht? A mund të ketë dialog kur njëra palë vë mbi tavolinë armën? A quhet dialog ky? Sigurisht që jo. Edi Rama nuk ka vënë armën mbi tavolinë, ka plasur bombën dhe jo bombë dosido, bombën atomike kushtetuese.

Po çfarë po diskutojmë ne? Që të bëjmë disa ndryshime në Kushtetutë, të bëjmë disa ndryshime ligjore apo të shpallim ndonjë ligj të ri për ta bërë drejtësinë më të pavarur, më të pakorruptuar, më të aftë për të dhënë drejtësi më shpejt dhe më mirë. Pra, bëhet fjalë që të biem dakord për rregulla kushtetuese dhe ligjore. E çfarë ndodh ndërkohë? Çohet Edi Rama dhe thotë nuk dua ta zbatoj rregullin aktual, rregullin e Kushtetutës që thotë se: “Në qoftë se një deputet kapet duke përfituar para publike ky humb mandatin dhe gjyqtari i kësaj pune është Gjykata Kushtetuese”. E shkeli një herë sepse donte të mbronte Koço Kokëdhimën që përfitoi 150 transferta financiare. Shkuam në Gjykatë Kushtetuese dhe pas afro një viti doli më në fund vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë qartësisht: “Parlament, nuk ke të drejti ti ta mbash kërkesën kur vjen nga 1/10 e deputetëve. E vetmja gjë që mund të bësh është të kontrollosh nëse të ka ardhur nga 1/10 e deputetëve? Në qoftë se të ka ardhur nga 1/10 e deputetëve, në qoftë se 14 deputetë e kanë firmosur ti s’ke të drejtë ta mbash më por duhet ta sjellësh në Gjykatë ta gjykojmë ne nëse deputeti në fjalë ka shkelur apo jo rregullat dhe meriton apo jo të jetë deputet”.

Kaq e thjeshtë. Kaq e thjeshtë duket, por u desh pothuajse një vit që Koço Kokëdhima të çohej në Gjykatë Kushtetuese, që t’i hapej rrugë shqyrtimit të mandatit të tij i cili në gjykimin tonë është i pavlefshëm sepse ai është kapur me presh në dorë duke përfituar 150 transferta financiare të kompanisë së tij, ndërkohë që veshet me mandatin e deputetit.

Dhe çfarë thotë Kushtetuta? Pse e thotë këtë Gjykata Kushtetuese? E thotë sepse Kushtetuta, sipas Gjykatës Kushtetuese, kushtetutëbërësi e ka vendosur këtë rregull me qëllim që të shmangë marrjen e pushtetit nga deputeti për ta përdorur për interesa private. Sepse deputeti nuk mund dhe nuk duhet të përfitojë financiarisht, ndërkohë që presupozohet t’i shërbejë Republikës si ligjvënës. Në interpretimin që i ka bërë Gjykata Kushtetuese nuk lë asnjë dyshim se ky është një rregull i përgjithshëm. Me të vërtetë merr shkak nga Koço Kokëdhima por është një rregull i përgjithshëm.

Dhe ne kemi dy raste të tjera, kemi Rakip Sulin i cili ka marrë 180 milionë lekë të OSHEE-së, të lekëve të qytetarëve shqiptarë që u shkon muaj për muaj kërbaçi derë më derë për t’iu marrë faturën e energjisë me çmime të rritura, me fatura aforfe të pajustifikuara, me kamatëvonesa mbi këto fatura aforfe të pajustifikuara, me dhunë, me njerëz që futen në burg, me njerëz që vrasin veten, mblidhen këto lekë. Dhe ku shkojnë? I merr Rakip Suli si qera për ndërtesën e tij apo Valentina Leskaj që merr 1/3 e hekurudhës shqiptare me koncesion për djalin e saj.

Cfarë po themi ne? Gjykata Kushtetuese siç e ka cilësuar këtu, duhet të marrë e të shqyrtojë këto dy raste. Maxhoranca i mbron, Edi Rama i mbron, Edi Rama refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, refuzon të zbatojë normën më të lartë detyruese në këtë vend për të mbrojtur korrupsionin, siç mbrojti krimin kërkon të mbrojë korrupsionin. Pse? Sepse këto janë dy këmbët e pushtetit të tij. Mbi këto dy këmbë qëndron pushteti i Edi Ramës sot dhe mbi këto dy këmbë do të ndërtojë edhe zgjedhjet e ardhshme, me para dhe me hu, dhe për këtë shkel Kushtetutën.

Refuzon zbatimin e një vendimi gjykate, jo gjykate dosido, Gjykatës Kushtetuese të vendit. Këtej fut në burg fermerë sepse shesin një kile qepë pa kupon sepse shesin apo blejnë një kile kripë pa kupon. Këta që marrin 180 milionë me një dorë para të OSHEE-së, këta që marrin 1/3 e hekurudhës koncension, këta nuk do t’i çojë as të humbin mandatin e deputetit.

Ky është aparteidi. Kjo është oligarkia. S’ka brirë oligarkia  – kjo është. Oligarkia është që ligji vlen dhe zbatohet me kërbaç për qytetarët e pambrojtur, për qytetarët pa akses, ndërsa për një grusht njerëzish që quhen oligarkë nuk vlen as ligji, as Kushtetuta, as vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Dhe në momentin që një qeveri sillet në këtë mënyrë ajo nuk është thjeshtë në shkelje të ligjit apo të Kushtetutës, ajo është ilegjitime.

Gjykata Kushtetuese në çdo vend është valvula që shmang konfrontimin fizik, konfrontimin në rrugë dhe në sheshe kur ka mosmarrëveshje të natyrës kushtetuese. Qeverisja kushtëzohet nga Kushtetuta, kur qeverisja del mbi Kushtetutën, nuk është më qeverisje është tirani dhe tiranitë përmbysen, nuk negociohet me tiraninë.

Prandaj qëndrimi ynë është fare i qartë: Nuk negociohet as Kushtetuta, as zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të negociohet me to, ato do të zbatohen. Edi Rama nuk ka asnjë diskrecion mbi këtë çështje, ai duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pa zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe dialogu me Edi Ramën është baraz dialog me terroristët dhe Partia Demokratike nuk dialogon me terroristët, qofshin këta edhe terroristë kushtetues.

Pyetje: Zoti Basha ju lutem a mund të na e sqaroni këtë situatë. Shumica rrëzoi kërkesën tuaj për mandatin e zotit Suli të enjten e kaluar e pavarësisht kësaj ju të premten arritët një marrëveshje. Të mërkurën komisioni zgjidhi pothuajse gjysmen e kërkesave të PD-së. Çfarë ndryshoi nga mbrëmja e të mërkurës tek paraditja e së enjtes?

Basha: Ndryshoi pritshmëria jonë që këtë të enjte shumica do të ndryshonte qëndrim, do të reflektonte siç u bë e qartë nga disa kanale komunikimi. Pra, do të ishte fare e pritshme. E papritshmja, e çuditshmja, ulëritësja këtu është që këta shkelin Kushtetutën, nuk zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj flasin për ndryshimet e Kushtetutës. Pra, PD dhe unë kemi operuar në këto 4–5 ditë nën presupozimin që këtë të enjte maxhoranca do të ndryshonte qëndrim për herë të dytë. Sepse ju e dini Rakip Suli fillimisht kërkoi vetë ta çonte çështjen në Gjykatë Kushtetuese. Ndaj vendimi i të enjtes ishte një surprizë besoj edhe për Rakip Sulin. Duke e kujtuar këtë një lajthitje të radhës, një lajthitje të Edi Ramës e duke pritur që të enjten e radhës, ditën e djeshme, të kishte një reflektim nga shumica. Mosreflektimi i shumicës, mosreflektimi i Edi Ramës, tallja ashiqare me një çështje kaq të rëndësishme për stabilitetin politik dhe shoqëror të shoqërisë ka çuar në reflektimin dhe vendimin me të cilin tanimë jeni të informuar.

Pyetje: Një javë më parë ju kishit deklaruar se nuk kishte kushte. A kanë të drejtë kritikuesit tuaj të thonë se nuk e doni reformën në drejtësi?

Basha: Jo nuk kanë aspak të drejtë sepse ky nuk është kusht. Ky nuk është kusht. Kushte për reformën në drejtësi janë kushte që kanë të bëjnë me substancën e reformës në drejtësi. Pra, kusht është të thuash që ne nuk mund të pranojmë, që kryeministri të emërojë gjyqtarë, që kryeministri të shkarkojë gjyqtarë, që kryeministri përmes levave të tij të emërojë apo të shkarkojë prokurorë. Këto janë kushte dhe ne këto i kemi bërë të qarta dhe më pare.

Ndërsa ti kërkosh opozozitës të negociojë siç thashë me bombë në tavolinë dhe jo bombë dosido por bombë atomike, siç është refuzimi për të zbatuar vendimin e gjykatës kushtetuese, që është një krim kushtetues…çfarë të presim atëherë. Çfarë mekanizmi ka?

Për fat të keq republika nuk ka një mekanizëm, sepse ka vende si rasti i Austrisë përshembull, ku Presidenti i Republikës zbaton vendimin e gjykatës kushtetuese. Dhe e dini çdo të thotë të zbatosh vendimin e gjykatës kushtetuese, e dini ju çfarë janë reperkurpsionet për një parlament që nuk zbaton vendimet e gjykatës kushtetuese? Eshtë rrethimi me tanke, nëqoftëse nuk pranon të shpërbëhet.

Pyetje: Në Rusi?

Basha: Jo jo në Perëndim. Nëqoftëse një parlament e shikon veten mbi kushtetutën ai parlament bie dhe nëqoftëse nuk bie, zbatuesi, gardiani i Kushtetutës merr çdo masë që ai Parlament të bjerë. Dhe sovraniteti i kthehet qytetarëve.

Të mos zbatosh vendimin e gjykatës kushtetuese është krim kushtetues.

Çfarë të bëjmë të therrësim divizionin 82 të parashutistëve të SHBA ta zbatojë? Të thërasim divizionin parat të NATO-s ta zbatojë? Karabinierët italianë? Kë të thërasim të zbatojë kushtetutën e Shqipërisë?

Nëqoftëse kushtetuta nuk zbatohet, nëqoftëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohet, qytetarët kanë detyrimin dhe të drejtën të përmbysin tiraninë! Sepse nuk bëhet fjalë për qeverisje, por bëhet fjalë për tiraninë e çertifikuar. Sepse kjo tirani është, por tashmë të certifikuar dhe me Gjykatë kushtetuese.

Pra ky nuk është kusht, por kjo është domosdoshmëri. Po ju them dhe një here, kjo është bombë atomike në tavolinën e negociatave. Ne me terroristët nuk negociojmë. Ne me terroristë kushtetues nuk negociojmë. Prandaj zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është i panegociueshëm. Vetëm pas zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mund të kthehet një fije normaliteti në marëdhëniet opozitë – mazhorancë, PD – PS.

Pyetje: Z Basha, çmund të thoni mbi deklaratat e z Berisha për shkrirjen e Parlamentit?

Basha: Kursi i vendosur nga PD edhe pas diskutimit që patëm dje në grupin parlamentar, është ky që sapo shpreha.

Pyetje: Zoti Basha ju sapo thatë që keni patur kanale komunikimi nuk e di se me kë dhe për çfarë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, cilat janë këto kanale dhe çfarë pritshmërish keni patur në seancën e të enjtes?

Basha: Pritshmëritë kanë qenë që mazhoranca të tërhiqej nga pozicioni i saj i pajustifikueshëm, i paarssyeshëm dhe i papranueshëm i moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të mos mbronte dy deputetët. Pse i mbron dy deputetët? Nëqoftëse ata janë të pafajshëm, ta vendosë Gjykata Kushtetuese. Eshtë vetëm Gjykata Kushtetuese që vendos dhe askush tjetër, e keni vendimin dhe zyra e shtypit do tua shpërndajë. Shikoni çfarë thotë: “Gjykata vlerëson se në të tilla raste, Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t’ia nënshtrojë atë debatit parlamentar, por vendimmarrja e tij si organ kolegjial është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj Gjykate për t’u shprehur për themelin e çështjes. Për sa kohë që pa një vendim të shumicës parlamentare, Gjykata nuk mund të shqyrtojë kërkesa të tilla, vendimmarrja e Kuvendit në raste të tilla është në funksion të legjitimimit të këtij organi si një nga subjektet që mund të vërë në lëvizje juridiksionin kushtetues. Kuvendi në këto raste nuk mund t`i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete (180 milionëshi i Sulit dhe hekurudha e Leskaj ) të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese”.

Kush është kushtetutëbërësi? Eshtë sovrani, sepse e kemi vendosur me referendum Kushtetutën. Me fjalë të tjera, ndonëse verifikimi dhe vlerësimi i kritereve juridiko-formale të kërkesave të kësaj natyre është një çështje që i përket Kuvendit, pra e kanë firmosur 14 deputetët apo jo, një e dhjeta, vlerësimi i meritës së çështjes, pra nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur ndalimin kushtetues të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, pra humbjen e mandatit, kjo është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.

Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen. Në raste të tilla, hapësira e vlerësimit të Kuvendit lidhet vetëm me verifikimin e kritereve juridiko-formale, duke respektuar procedurat parlamentare të parashikuara në Rregulloren e këtij organi. Dhe pastaj thotë:

“Në rast se Kuvendi i Shqipërisë vihet në lëvizje me mocion të kryetarit të Kuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, dhe ky është kriteri juridikoformal në kuptim të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, ai duhet të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit”.

Kërkesa jonë është e shkruar nga një e dhjeta e deputetëve pra plotëson kriteret juridiko formale si e tillë duhet ti dërgohet Gjyaktës kushtetuese. Nuk ka asgjë të paqartë këtu.

Pyetje: Unë pyeta cilat ishin kanalet e komunikimit. A negociuat…

Basha: Jo nuk kemi negociuar sepse nuk mund të negocionim. Ne bëmë të qartë se do të kemi përshkallëzim të situatës dhe përmes kanaleve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë u presupozua që vendimi i të enjtes një javë përpara, do të korigjohej këtë të enjtë, që këtë të enjte të kishim një vendimarrje konform kushtetutës për mandatin e Rakip Sulit dhe Valentina Leskaj.

Pyetje: Nga kush u presupozua?

Basha: Nga ne sipas informacioneve që morëm.

Pyetje: Informacion nga qeveria, nga partnerët? Sepse kjo është shumë e rëndësishme sepse ju keni bërë një marrëveshje kur të enten bomba bërthamore kushtetuese shpërtheu. Pra keni bërë marrëveshje një ditë më pas?!

Basha: Jo jo nuk kemi bërë marrëveshje më përpara. Ajo që është plotësuar nga mazhoranca është një kërkesë e kahershme, ka dy vite që e kërkojmë ne këtë. Dhe fakti që të premten qeveria ra dakort për të hapur negociatat, për të hapur dialogun politik, dialogun politik për reformën në drejtësi, ishte një informacion shtesë për mundësinë e ndryshimit të kursit qeveritar faqe dhe mesazheve të qarta që unë mora, por dhe publiku shqiptar mori përgjatë vizitës sime në SHBA pra të hapjes së një kapitulli, ku të paktën qeveria të merrte përsipër angazhimin e respektimit të shtetit të se drejtës, të ligjeve të kushtetutës nga njëra anë dhe të dialogut politik siç e kërkonte Venecia.

Pyetje: ju i kërkoni presidentit Nishani të sillet si një president Austriak me një kushtetutë shqiptare?!

Basha: Jo nuk thashë këtë. Në kushtetutën austriake është përcaktuar qartë roli i Presidentit si përmbarues i Kushtetutës.

Pyetje: Çfarë i kërkoni presidentit?

Basha: Unë përmenda për analogji rastin austriak për të thënë sesa themelore është për ekzistencën e një shteti ligjor, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në fakt, në kushtetutën shqiptare ekziston një hendek i tillë, sepse supozohet, siç supozohej që ishte e pamendueshme që Armando Prenga pasi qëlloi dhe plagosi katër qytetarë me armë zjarri, nuk mund të vinte prapë në parlament, pra është supozuar që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të zbatohej pa u vënë në diskutim nga ligjvënësit dhe në fakt të vetmit, të vetmit, që kanë vënë në pikëpyetje zbatimin e vendimit të gjykatës kjushtetuese janë mazhoranca e Edi Ramës dhe Ilir Metës, këto dy vite e gjysëm. Në dijeninë time nuk ka ndodhur më parë që një vendim i Gjykatës Kushtetuese të mos zbatohet.

Pyetje: Ju renditët disa çështje për të cilat thatë se, këto janë të papranueshme për Edi Ramën si dekriminalizimi, reforma në drejtësi, zgjedhjet. A ju ka thënë Departamenti i shtetit se çfarë është e papranueshme për ta, një veprim që ju mund të bëni?                                       

Basha: Një veprim që ne mund të bëjmë?

Pyetje: Po cfarë është e papranueshme për ata, veprimet që mund të bëjë opozita që ata nuk i pranojnë?

Basha: Nuk mendoj se PD ka lënë vend që të trajtohet në kuadrin e mesazheve të papranueshmërisë, përkundrazi ka marrë mbështetje dhe kur Sekretari i shtetit Kerry ishte këtu dhe vlerësimi për të vetmen reformë të zhvilluar në vend këto dy vite e gjysëm, që është reforma e dekriminalizimit.

Natyrisht, theksi është tek zbatimi i kësaj reforme, si dhe për rolin tonë konseguent dhe koherenet pra të qëndrueshëm dhe lehtësisht të kuptueshëm përsa i përket reformës në drejtësi.

Me produkte të tilla si konsensusi në parim për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe shpresoj, në përfundim me një produkt të plotë konsensual, ku piketat e vendosura nga PD të vërtetohen dhe një herë që nuk kanë qenë të vendosura për interesin e demokratëve apo të PD, por kanë qenë për interesin e qytetarëve shqiptarë dhe sjellja e mazhorancës tek këto piketa nuk është fitore vetëm e PD apo e Lulzim Bashës, por është fitore e Shqipërisë për të pasur një reformë të standartit europian dhe euroatlantik dhe jo një reformë allasoj apo një reformë të stepave oligarkike.

Pyetje: Zoti Vasili tha se nuk do të pranohet dialog me kushte me PD për reformën në drejtësi dhe se nuk sheh asnjë lidhje mes cëhstjes së dy mandateve për të cilët folët ju me reformën në drejtësi. Në këto kushte çfarë do të bëhet me tryezën e negociatave të fiksuara pikërisht në ditën që vjen komisioneri Hahn në vendin tonë…

Basha: Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është i panegociueshëm. Detyra e PD nuk është të edukojë as zotin Vasili as LSI, as Ilir Metën as Edi Ramën. Nëse ata nuk arrijnë të kuptojnë atentatin terrorist që i kanë bërë Republikës së Shqipërisë përmes mosbatimit të vendimit të Gjykatës kushtetuese kjo tregon se sa thellë janë zhytur në llumin oligarkik, sesa i ka verbuar lakmia për pushtet, sesa i ka verbuar korrupsioni dhe bashkëqeverisja me krimin dhe sesa urgjent është largimi i tyre nga pushteti. Por negociata për zbatimin e vendimeve të Gjykatës kushtetuese nuk ka dhe nuk do të ketë. Do të ketë vetëm përshkallëzim të qëndrimeve tona të cilat janë të pandryshueshme përsa i përket kësaj norme elementare të demokracisë. Ajo që mbetet të vendoset dhe do të vendosim është sesi do ti përshkallëzojmë veprimet e aksionit tonë politik.

Pyetje: Përtej zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese a po prisni diçka tjetër në lidhje për reformën në drejtësi? Çfarë u mbyll ditën e parë të negociatave dhe a mund ti konsiderojmë të mbyllura kushtet teknike?

Basha: Negociatat kanë një teknikë të veçantë një metodologji të rënë dakort mes palëve me negociimin e SHBA, të amabsadorit Lu, dhe ne i qëndrojmë asaj që kemi rënë dakort. Dita e parë ka qenë një ditë inkurajuese për ne, ka qenë një ditë inkurajuese dhe për partnerët ndërkombëtare dhe për ndonjë skeptik i cili ka ngrënë broçkullat e Edi Ramës këta dy vite dhe ka kujtuar se diareja i vinte nga ushqimi i toksikuar që ka përtypur, sepse ka kujtuar se Partia Demokratike ska vullnet. E kemi demonstruar që 24 orëshin e parë se çfarë vullneti kemi ne për Reformën në Drejtësi dhe është parë kush është penguesi i vërtetë i reformës në drejtësi, se kush i trembet gjyqtarëve dhe prokurorëve të pakorruptuar e të pavarur. Ky është Edi Rama. Kështu që ne kemi një interes madhor që të ecim përpara me reformën në drejtësi.

Pyetje: Jo të nisni nga e para?

Basha: Jo. Të ecim përpara për të përfunduar dialogun politik mbi 11 çështjet që ne kemi ngritur që prej fillimit që kanë të bëjnë me moskapjen politike të drejtësisë, me dhënien fund të kulturës së korporatizmit, pra të mosllogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe me vendimarrje të shpejta, të drejta dhe efikase në gjyqësorin dhe prokurorinë shqiptare.

Pyetje: Lidhur me mandatet e z.Suli dhe znj.Leskaj ka pasur intepretim nëse ligji për konfliktin e interesave na çon në faktet për nenin përkatës në atë që Gjykata Kushteteuse ka intepretuar për rastin Kokëdhima. A do të kërkojë PD inrpretim në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me këtë çështje?

Basha: Nuk do të kërkojmë asgjë përveç zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për ne është fare e qartë. Ja çfarë thotë ligji për parandalimin e konfliktit të interesave dhe këtë po e përcjellim që ta keni për kronikat sot. Neni 21: Asnjë individ, kur ky njësohet me një zyrtar në njërin nga funksionet e përcaktuara në ligj përfshirë deputetët, nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik. Rakip Suli përmes djalit të tij në moshë madhore me OSHEE-në dhe Valentina Leskaj me hekurudhën shqiptare përmes djalit të saj.

Neni 24: I njëjti ndalim, sipas nenit 21, zbatohet edhe për personat e lidhur me zyrtarin. Person i lidhur me zyrtarin është bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es dhe bashkëjetuesit/es.

Neni 35: “Në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur (bashkëshorti/ja dhe fëmijët madhor), ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit……”.

Neni 45: “Për zyrtarët, që njësohen ose janë anëtarë të organeve kushtetuese, zbatohen masat dhe procedurat e përcaktuara nga Kushtetuta dhe dispozitat ligjore përkatëse. Neni 71/2/c i Kushtetutës parashikon se: “Mandati i deputetit mbaron kur vërtetohet një nga kushtet e papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 70 paragrafët 2 dhe 3 të Kushtetutës”.

Për ne, është fare e qartë por nuk jemi ne Gjykata Kushtetuese. Dhe nuk është as Edi Rama dhe as Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese. Prandaj siç ka thënë Gjykata Kushtetuese, siç ka deklaruar dhe siç ka urdhëruar Gjykata Kushtetuese, një orë e më parë të dyja çështjet duhet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Edhe po të ishin çështje të tjera dhe jo më për çështje që kanë të bëjnë me korrupsion. Me marrjen e parave të shqiptarëve për t’ia dhënë deputetëve dhe fëmijëve të tyre madhorë ndërkohë që mijëra qytetarë humbin vendin e punës çdo ditë. Qindra mijëra të tjëra janë larguar nga Shqipëria apo kanë marrë hapa për tu larguar në SHBA dhe në Bashkimin Europian. Këta hedhin valle mbi paratë, mbi gjakun, mbi pasuritë e shqiptarëve dhe duan të mbajnë edhe mandatin e deputetit.

Dhe kur Gjykata Kushtetuese urdhëron që këta ta sjellin, të thonë jo. E them edhe njëherë; minimumi është aksioni që sapo kemi filluar. Aksioni do të përshkallëzohet, nuk negociohet zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Dhe kjo maxhorancë e pabesë u zotua me 24 dhjetor 2014, me rezolutë parlamentare, të nënshkruar në prani të Parlamentit Europian se do të zbatonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Pyetje: A ka negociata dhe deri të martën a pritet zgjidhje?

Basha: Deri të marten, është një afat tjetër që çështja të zgjidhet në suazën e ndërveprimit institucional.

Pyetje: Ka negociata me ndërkombëtarët?

Basha: Ka mbështetje të faktorit ndërkombëtar për të shkuar drejt një zgjidhje. Është qesharake dhe poshtëtuese për Shqipërinë të negociosh zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por opozita ime dhe unë do ti japim një shans zgjidhjes dhe sigurisht pa kompromentuar këtë vlerë elementare të demokracisë që është zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pyetje: z Basha, që në fillim ndërkombëtarët janë bërë faktor në një farë mënyre të kësaj reforme. Po lobojnë fort që ajo të kryhet. A po kushtëzoni ju në këtë mënyrë edhe ndërkombëtarët? Po u vendosni kushte edhe atyre? Cili do të jetë qendrimi i tyre nga këtij vendimi të PD?

Basha: Unë kam vlerësimin më të madh për kontributin e faktorit ndërkombëtar, në veçanti të SHBA-ve dhe ekspertëve të Bashkimit Europian. Natyrisht që përgjegjësia është e gjithë faktorëve vendas. Jemi ne ata që marrim vendimet që marrim. Askush nuk e shtyn Edi Ramën të shkelë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Askush nuk mund të detyrojë opozitën të bëhet urë për oligarkët e lidhur me krimin. Secili merr vendimet dhe ka përgjegjësitë e veta. Po ju them që qendrimi ynë nuk është një kusht për reformën në drejtësi por është një qendrim i detyruar nga nxjerrja në tavolinën e negociatave, të bombës atomike, e terrorit kushtetues nga pala që duhet të negociojë në mirëbesim.

Çfarë po negociojmë?! Ndryshimin e Kushtetutës?! Kalimin e normave të tjera kushtetuese?! Po zbatimin e normave aktuale?! Pra skenari është fare i qartë. Nuk ka kushte shtesë për reformën në drejtësi. Asnjë kusht shtesë për reformën në drejtësi. Por ti kërkosh opozitës dhe Partisë Demokratike të negociojnë me terroristët kushtetues të armatosur me armët drejtuar jo vetëm ndaj opozitës por ndaj gjithë qytetarëve dhe rendit kushtetues në vend është e tepërt dhe e papranueshme.

Pyetje: z Basha, ju flisni për terroristë kushtetues por po i referohem deklaratës së ambasadorit amerikan dje që tha që të dyja palët po e zvarrisin reformën në drejtësi. Nuk adresoi as maxhorancën dhe as opozitën por të dyja palët si shkaktare të vonesave për reformën dhe Byronë Kombëtare të Hetimit…

Basha: E para, nuk komentoj asnjë deklaratë të përfaqësuesve diplomatikë dhe të askujt tjetër. Nuk jam në pozitat e komentuesit. Këtë deklaratë nuk e kam dëgjuar. Mund t’u them diçka që nëse ka një faktor që ka bërë diçka për nisjen e dialogut politik prej ditës së parë të lançimit të reformës, kjo është Partia Demokratike dhe që zvarritja dy vjeçare e kësaj kërkese nuk vjen nga Partia Demokratike dhe kjo është evidente për fëmijët e cerdheve, kopshteve, shkollave dhe për të gjithë të rriturit pa përjashtim.

Pyetje: Kur flisni për përmbysje të tiranisë, a keni një skenar për zgjedhje të parakohshme, protesta…çfarë parashikon PD?

Basha: Siç u thashë, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i panegociueshëm. Hapi që kemi ndërmarrë është hapi minimal në mbrotje të Kushtetutës dhe në mbrotje të rendit kushtetues dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, mosplotësimi i këtij elementi elementar të demokracisë funksionale, do të na çojë detyrimisht drejt për përshkallëzimit të aksionit tonë politik me gjithë arsenalin demokratik që ka në dispozicion opozita dhe Partia Demokratike.

Pyetje: Deri në çfarë pike?

Basha: Me të gjithë arsenalin demokratik që ka në dispozicion opozita dhe Partia Demokratike.

Pyetje: Z.Basha, a ka Al Kapone në Partinë Demokratike? Ju përmendet Al Kapone në qeverisje…

Basha: Sipas jush kush është Al Kapone?! Definoje çfarë është Al Kapone.

Pyetje: i paprekshëm…

Basha: Jo nuk është thjeshtë i paprekshëm. Al Kapone është ai që qeveris me krimin. Al Kapone është ai që vjedh milionat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk jep llogari. Al Kapone është ai që mbron korrupsionin, që mbron krimin. Al Kapone është ai që kërcënon gjykatën që Ndokët dhe Prengët të dalin të lirë. Al Kapone është ai që zhduk 400 milionë dollarë nga doganat dhe 840 milionë dollarë nga prokurimet pa i hyrë një ferrë në këmbë. Këta janë të paprekshmit. Nuk bëhët fjalë për prekje fizike.

Pyetje: Z.Basha, gjatë kësaj kohe që po mbahet kjo konferencë z.Rama ka reguar për konferencën që ju po zhvilloni. Mund tua citoj: Vajmedet PD që kërcen si “prifti nga belaja” e di mirë ky popull sa e do reformën në drejtësi po e di edhe ti që do s’do do bësh sikur do! Nuk e di nëse keni një reagim?

Basha: Na e përktheni njëherë sepse kaq shumë ka filluar ti hyjë në qef vetja sa i duket se mund të flasë me paragrafet e Duçes. Çfarë do të thotë do, s’do?! Do, s’do, Byroja Kombëtare u bë siç thashë unë. Do, s’do, Byroja Kombëtare do të hetojë dhe ashtu siç ka hetuar edhe ata që ke takuar para disa javësh. Ja do i shohim hap pas hapi.

Pyetje: Kë ka takuar apo ata që ka thënë z.Berisha?

Basha: E dini ju të gjithë sepse nuk është informacion i privilegjuar se kë ka takuar. Ata që heton Byroja Kombëtare në disa vende të tjera. Ata që zhdukin miliona të qytetarëve të tyre, që ndërtojnë zgjedhjet mbi shitblerjet e votës, që bëjnë aleanca me krimin. Ky është problemi i Ballkanit, vetëm se këtu ka arritur në një pikë tjetër. Jo vetëm aleancë por edhe promovim krimit në politikë. Mendoni se kjo do të tolerohet në Shqipëri?! Mendoni se projektuesi dhe arkitekti i kësaj do ia hedhë?! Nuk ia hedh dot sado lekë të paguajë dhe çfarëdo akti të ndërmarrë, nuk do ia hedhë dot. Prandaj reforma do bëhet. Absolutisht do bëhet. Nuk do ia hedh dot, nuk do ta bllokojë dot reformën. Po nuk e bëri qeveria e tij do e bëjë qeveria ime.

Pyetje: Megjithatë keni muaj që keni këmbënglur që Byroja Kombëtare të nisë pa vonesë dhe të ngrihet sipas variantit të Venecias. Tani ka kaluar parimisht në komision si model. Megjithatë, fakti që ju tashmë keni vendosur një kusht zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, a jeni në kontradiktë duke e lënë pezull këtë?

Basha: Jo nuk jemi fare në kontradiktë. Ka disa gjëra elementare. Të biesh dakord që të bësh një ligj të ri kur nuk zbatohen ligjet aktuale, kjo do të thotë të tallesh me vetveten nëse jo me tjetrin. Prandaj ky nuk është kusht dhe nuk ka asnjë kusht shtesë Partia Demokratike për reformën në drejtësi.

Pyetjen mund ta shtrosh ndryshe. Pse nuk e zbaton ky, vendimin e Gjykatës Kushtetuese kur e di se kjo është e patejkalueshme. Mos kujton se përmes moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të sabotojë reformën në drejtësi, e do të sabotojë Byronë Kombëtare të hetimit? Por për këtë të jap përgjigjen sot; Byroja Kombëtare e Hetimit do të ngrihet. Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë juridiksion për të hetuar korrupsionin në nivele të larta, për të hetuar miqtë e Shullazit në politikë, për të hetuar miqtë e shullazëve, të xibrakëve e të avionëve me drogë, për të hetuar zhdukjen e 500 milionë eurove në bashkëpunim me CEZ-in për të cilin do të ketë një hetim parlamentar.

Dhe të jesh e sigurtë që hetimi parlamentar do të çojë në një hetim të plotë përmes Byrosë Kombëtare të Hetimit. Herët a vonë, ai që cicëroi sot do ta marrë atë që meriton për zhdukjen e 500 milionë euro të shqiptarëve. Janë shumë e nuk i fsheh dot. Nuk janë 500 mijë lekë por 500 milionë euro. Ska as Qipro dhe as Caymen Island që tia fshehë. Pra kjo do të bëhet.

Nuk e shmang dot këtë proces Edi Rama. Nuk i ikën dot Byrosë Kombëtare të Hetimit Edi Rama. I premtova në Shtator të 2014 që do të bëhet ligji për dekriminalizimin. E mbani mend se si tallej atëhere. Ka nevojë tia kujtoj njeriu?! E ka sot ligjin. Kërcen Koçoja nga belaja se “do e çojmë në Gjykatën Kushtetuese”. Por ligji për dekriminalizimin sot është realitet ligjor e shumë shpejt do të jetë një realitet me emra dhe mbiemra që do të largohen nga parlamenti, nga bashkitë e vendit dhe nga zyrat e pushtetit. Dhe është vetëm fillimi.

Pyetje: Nuk kemi parë asgjë akoma…

Basha: Eshtë vetëm fillimi. Krimi do të çmontohet, oligarkia do të çmontohet, demokracia do të triumfojë. Kjo është garancia me të cilën vij nga Uashingtoni.


Bashkëbisedimi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me gazetarët, 25 Mars 2016