Z.Kryetar i Kuvendit,
Në seancën e kaluar ku maxhoranca në abuzim të plotë të pushtetit, rrëzoi kërkesën e PD për të çuar para drejtësisë dy deputetë të cilët dyshohen se kanë përfituar fonde publike, është akti më i rëndë, pas mbajtjes dhe futjes në parlament të deputetëve me rekorde të tmerrshme kriminale. Injorimi me arrogancë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nuk i lë asnjë hapësirë Parlamentit, por kërkon që të gjithë deputetët që dyshohen se kanë përfituar fonde publike të shkojnë para drejtësisë, është padyshim grusht shteti ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe është një fund i parlamentarizmit dhe funksionimit të një demokracie parlamentare.
Abuzimi me pushtetin duke mbrojtur një vit më parë deputetin Kokëdhima na detyroi që ti drejtohemi Gjykatës Kushtetuese duke e pyetur, në interpretim të Kushtetutës. Se çfarë ndodh kur Kryeministri mbron deputetët kur akuzohen për marrje fondesh me leje të tij? Çfarë ndodh me deputetët që marrin para me leje të kryeministrit? A bëhen të paprekshëm për drejtësinë se kryeministri nuk i lëshon, nuk ia dërgon drejtësisë? Pa asnjë më të voglin dyshim mburoja kryeministrore për deputetët për t’i bërë të paprekshëm është abuzive, është vrastare për Kushtetutën, është vrastare për shtetin ligjor, është vrastare për demokracinë, për parlamentin, dhe pa dyshim për Gjykatën Kushtetuese.
Qeveria që qeveris jashtë normave dhe kornizave ligjore dhe kushtetuese, është tirani. Shkruhet kështu në kështu në muret e Kongresit Amerikan. Një qeveri që e bën zero Gjykatën Kushtetuese e injoron me arrogancë atë, nuk ka asnjë sjellje tjetër përveçse një sjellje prej grushti shteti. Prania e opozitës brenda parlamentit, është elementi më i rëndësishëm për një demokraci funksionale. Detyra e opozitës është të sigurojë transparencën në vendimmarrjen politike. Ndaj pyetëm Gjykatën Kushtetuese. Çfarë ndodh kur kryeministri me arrogancë kërkon ti mbrojë e ti bëjë të paprekshëm deputetët e tij kur ata dyshohen se kanë abuzuar me fonde publike. Gjykata Kushtetuese, një vit më vonë, pak muaj më parë, foli dhe nxori këtë vendim. Vendimi nr. 7, dt. 24.02.2006, që flet për z.Kokëdhima por bën edhe interpretimin e Kushtetutës, gjë që sipas Kushtetutës është e njëjtë me normën Kushtetuese. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është kthyer në normë kushtetuese. Dhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, thotë se Kryeministri, maxhoranca nuk mund të bëhet mburojë. Nuk mund ti kthejë deputetët në të paprekshëm ndaj sistemit të drejtësisë. Detyra e opozitës, thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në paragrafin 13 të tij është të bëjë transparencë për procesin e qeverisë. Detyra e opozitës është të kërkojë llogari. Detyra e opozitës është të bëjë denoncime. Për denoncimet e opozitës nuk është maxhoranca që vendos, është drejtësia. Këtë thotë Gjykata Kushtetuese.
Në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ishte një nga tre pikat për të cilat u bë marrëveshja e 24 dhjetorit. Dhe ja ku është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili u injorua dhe u shkel me arrogancë vetëm e vetëm për të mbrojtur nga drejtësia të paprekshmit, ata që kanë përfituar fonde publike me leje personale të kryeministrit dhe duke ushtruar pushtetin e shumicës.
Nëse kryeministri në përgjigje të pyetjes që bënte opozita se çfarë ndodh në rast se kryeministri kërkon ti mbrojë deputetët edhe kur ata kanë marrë fonde publike dhe nuk ia dorëzon drejtësisë?
Nëse do të pranohej kjo që ka bërë ky parlament një vit më parë, Gjykata Kushtetuese thotë se ky do të ishte një pushtet i tillë, i pakufizuar i Kuvendit. Atëherë vetë Kushtetuta, vetë Gjykata Kushtetuese do të zhvishej nga qëllimi për të cilin është krijuar dhe do të përbënte abuzim të rëndë me pushtetin e shumicës. Do të ishte, thotë, në kundërshtim të fortë me parimin e ndarjes dhe barazisë së vetë pushteteve. Këtë e thotë Gjykata Kushtetuese në Tetor. Ajo që ndodhi në seancën e kaluar në fakt është pikërisht thikë në zemër, vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës së vendit.
Pikërisht dhunohet Kushtetuta të cilën për ironi dhe cinizëm, ne jemi mbledhur prej dy ditësh dhe diskutojmë sesi ta përmirësojmë Kushtetutën, të bëjmë një Kushtetutë më të mirë, si të bëjmë një Kushtetutë që të paprekshmit të mos jenë të paprekshëm, që të gjithë zyrtarët e lartë të shkojnë përpara drejtësisë.
Nga ana tjetër këtë Kushtetutë që kemi këtu, këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili kërkon që të paprekshmit ata që marrin fonde publike me lejen e kryeministrit, duhet të shkojnë përpara drejtësisë, ne i shkelim me këmbë. A ka cinizëm më të madh se ky?
Kur luftojmë korrupsionin në nivelin e zyrtarëve të lartë, ndërkohë shkelim me arrogancë Kushtetutën, shkelim me arrogancë Gjykatën Kushtetuese dhe i mbajmë në strehë dhe nuk ia dorëzojmë drejtësisë deputetët të cilët abuzojnë dhe me leje të kryeministrit kanë përfituar fonde publike. Për qytetarët opozita dhe faktori ndërkombëtar, kjo mburojë, ky abuzim me pushtetin është tërësisht i papranueshëm. Ky parlament që refuzon ti dorëzojë deputetët drejtësisë, nuk është një parlament funksional dhe që respekton Kushtetutën. Parlament që shkel me të dyja këmbët Kushtetutën nuk mund të jetë një parlament i një demokracie funksionale, një parlament që mbron të paprekshmit dhe nuk ja dorëzon drejtësisë, një parlament që abuzon me pushtetin, thotë pikë më pikë dhe gërmë për gërmë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Është njën parlament që mbron të paprekshmit mbron ata të cilët me armët e pushtetit gjakosin qytetarët shqiptarë dhe nuk mund të kenë vend në këtë parlament. Ky parlament nuk mund të jetë kurrë i banditëve, ai i abuzuesve të cilët fitojnë fonde publike me leje të kryeministrit.
Një parlament që refuzon të miratojë një ligj që ti lejojë opozitës që komisionet hetimore të zbulojnë dhe të bëjnë transparencën e të gjitha horlliqeve të qeverisë nuk mund të jetë një Parlament funskional. Dhe ja ku jemi sot, kemi një Parlament ku kanë hyrë persona me rekorde të tmerrshme kriminale me leje personale të kryeministrit dhe rrinë krah për krah me ne. Kemi një parlament ku deputetët marrin fonde publike me leje personale të kryeministrit dhe ku kryeministri dhe parlamenti refuzon t’i çojë para drejtësisë duke i mbajtur ata të paprekshëm. Kemi një parlament që Gjykata Kushtetuese dhe ju si Parlament nuk keni asnjë të drejtë të trajtoni nëse deputeti ose jo e ka shkelur apo jo Kushtetutën, por këtë atribut e kam vetëm unë.
Kemi një parlament që kërkon të marrë atributet Gjykatës Kushtetuese. Kemi një parlament që shkel Kushtetutën dhe mbron të paprekshmit që kanë përfituar fonde publike. Ky parlament nuk mund të jetë një parlament funksional. Ky parlament nuk mund të jetë një parlament funksional sepse shkel Kushtetutën mbron deputetët që kanë abuzuar me fondet publike dhe refuzon të ekzekutojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Me qëllim me dashje realizon një grusht shteti kundër Gjykatës Kushtetuese, kundër demokracisë.
Ndaj dhe në këto kushte opozita dhe gjithë qytetarët janë të vendosur që ky parlament nuk mund të vazhdojë funksionet e veta pa larguar deputetët dhe pa dorëzuar para drejtësisë deputetët, të cilët dyshohen se kanë abuzuar me fondet publike dhe pa ekzekutuar gërmë më gërmë çdo pikë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Fjala e deputetit të Partisë Demokratike në Kuvend, Eduard Halimi, 24 mars 2016