Dy ditë më parë kryeministri francez doli në një deklaratë publike për të shpallur që Benzamen, futbollist, lojtar që luan me Realin e Madridit, nuk mund të luajë me Kombëtaren franceze, sepse ai është i akuzuar jo i dënuar, i akuzuar se i ka bërë shantazh një kolegu të tij. Dy vite më parë në Itali plasi një skandal  dhe u dhanë disa dorëheqje zyrtarësh vetëm sepse një të dyshuari si mafioz ju lejua një ceremoni mortore e bujshme. Pse i përmendi këto gjëra? Për të bërë diferencën midis asaj ku duam të shkojmë apo pretendojmë të shkojmë dhe asaj ku po na çon kryeministri ynë.  Nuk ka qytet të Shqipërisë ku shkon, të mos dëgjosh të njëjtin refren për zyra drejtuesish të mbushur me njerëz që nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre dhe janë drejtorë, janë shefa në institucione të rëndësishme. Nuk dinë të vendosin as firma, por ama të gjithë kanë një gjë, kanë nga një CV të pasur kriminale. Dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe kur kemi një kryeministër që çdo ditë promovon krimin, na shkroi një letër para disa ditësh ky Ministri i Brendshëm për rastin e një gjyqtari që paska liruar një të kapur apo të akuzuar për armëmbajtje pa leje. Ishte shumë i revoltuar ministri dhe e shqetësonte padrejtësia e madhe,  pabarazia e madhe në zbatimin e ligjit.

Por nuk u shqetësua ministri ditën kur një nga këto gjykata liroi një deputet të mazhorancës i cili jo vetëm akuzohet për armëmbajte pa leje por akuzohet se më këtë armë pa leje ka plagosur dhe qytetarë të këtij vendi. Nuk u shqetësua as ministri dhe as kryeministri për këtë. Sigurisht, sepse ishin ata që i bënë presion gjykatës për ta liruar këtë deputet.

Amendameni që ne kemi sjellë lidhur me këtë çështje për dekriminalizimin, lidhet pikërisht me një nga këto raste. Pse nuk votohet amendamenti ynë? Një gjë fare evidente elementare që zyrtarë, deputetë të cilët janë kapur në flagrancë me krime të rënda ndaj jetës së njeriu si plagosje apo vrasje deri në një vendim gjykate, të mos vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre zyrtare. Nuk e di a mund të ketë një njeri normal që ti dalë kundër këtij amendamenti përveç,  Edi Ramës . Unë dhe opozita e dimë që Edi Rama e ka dhënë tashmë urdhërin edhe për këtë amendament. Nuk do ta votojnë. Dhe hajde ta gjejmë pse. Është evidente për këdo. Njeriu që promovon çdo ditë krimin. E dimë të gjithë se edhe ligjin për dekriminalizimin e miratoi i detyruar dhe të nesërmen e filloi paradën me kriminelët duke i nxjerrë nga njëri qytet në tjetrin në krah të tij për ti thënë që ligjin e miratova por juve nuk ju çoj . Shqiptarët  po ashtu si ne janë koshientë se, kjo qeveri ky kryeministër paktin nuk e ka me ta me qytetarët e këtij vendi. Paktin e ka me krimin dhe oligarkinë. Kjo qeveri nuk është e qytetarëve kjo qeveri është e Prengëve,  është e Kokëdhimëve.

Prandaj këtyre as nuk u shkon ndër mend të shohin interesat e qytetarëve. Prandaj nuk u investojnë por vetëm vjedhin sepse presin që nesër me kriminelë, me para të pista, me para të grabitura tu marrin prapë votat e qytetarëve të këtij vendi. Ti detyrojnë që t’i mbajnë prapë në pushtet. Kjo është çështje për tu zgjidhur dhe unë jam i bindur që nuk e zgjidh dot ky parlament. Përderisa nuk përfaqëson interesat e qytetarëve. Sidoqoftë ne si opozitë do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë edhe këtu në parlament. Të presim që aktet tona të miratohen. Por ne e dimë shumë mirë që detyra jonë kryesore është të përfaqësojmë qytetarët e këtij vendi. Dhe do t’i përfaqësojmë ata sipas interesave të tyre aty ku ata të na i kërkojnë. Dhe në qoftë se kjo qeveri dhe ky parlament nuk mund t’i përfaqësojë më interesat e qytetarëve ne do të bashkohemi me ta. Edhe sot siç ju kemi vënë në dijeni publikisht, grupi ynë do të vazhdojë të mbajë qëndrim të kushtëzuar ndaj këtij parlamenti. Ne do të marrim pjesë në votimin e akteve që kemi kërkuar vetë por nuk mund  të  vazhdojmë të marrim pjesë në aktet që i shërbejnë grabitjes së qytetarëve të këtij vendi.


Fjala e kryetarit të Grupit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 17 mars 2016