Thellohet padrejtësia dhe paligjshmëria, të mitur dhe të sëmurë mbahen në qeli

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ishte sot në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për të parë gjendjen e protestuesve që mbahen të ndaluar në mënyrë të paligjshme. Paloka u takua me familjarët e të ndaluarve dhe ngriti shqetësimin se në qeli po mbahen edhe të mitur dhe persona që nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Paloka denoncoi para mediave thellimin e paligjshmërisë.

“Jemi përpara Drejtorisë së Policisë ku vazhdon të konsumohet një padrejtësi e madhe sepse qytetarë të pafajshëm që dje protestonin në të drejtë të plotë të tyre, janë dhunuar jo vetëm dje nga policia në mënyrë të kundraligjshme, por pasi janë dhunuar janë marrë dhe janë plasur në qelitë e policisë, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe të drejtës së tyre si qytetarë. Unë jam këtu bashkë me familjarët e të shoqëruarve në Drejtorinë e policisë të cilët që prej ditës së djeshme janë këtu bashkë me miq të të ndaluarve dhe presin të marrin një përgjigje jo nga kjo polici që dje e vërtetoi që është polici e krimit por nga drejtësia, ne jemi këtu për të kërkuar drejtësi për ata njerëz që ndodhen të mbyllur brenda padrejtësisht, dhe një herë e përsëris, në kundërshtim të plotë me ligjin. Përpara ligjit duhej të ishin Edi Rama, Erion Veliaj dhe të gjithë ata drejtues të policisë që urdhëruan dje dhunën që ushtruan ndaj qytetarëve, ndaj deputetëve.

Dua t’u bëj me dije se në qelitë e policisë ka edhe minorenë të cilët mbahen aty dhunshëm në kundërshtim me të gjitha të drejtat e njeriut. Ju mund të jeni në dijeni si gazetarë, që një i sëmurë, i cili u dërgua urgjentisht në spital dje, u rrëmbye nga policia me gjithë se nuk lejohej nga mjekët të lëvizte u rrëmbye nga policia dhe u soll në qelitë e  Drejtorisë së Policisë.

Pra, këtu kemi të bëjmë me një shtet shtazor, me një shtet antiqytetar, me një shtet që lufton kundër interesave të qytetarëve të tij. Prandaj deri në fund ne do të vazhdojmë këmbënguljen që të vendoset drejtësia, e përsëris, ata që janë brenda, qytetarët janë në të drejtë, jo vetëm të Zotit, janë në të drejtë të tyre, në të drejtë të ligjit.

Ata që i kanë futur brenda, janë ata që kanë shkelur ligjin, dhe duhet të përgjigjen para ligjit.

Janë këtu, ju thash, edhe familjarët të cilët mund të duan të thonë diçka sepse janë direkt të prekur nga dhuna policore dhe nga kjo padrejtësi e radhës e kësaj qeverie”.


 

Deklaratë e nënkryetarit të PD, Edi Paloka, 29 mars 2016