Qëndrimi i grupit parlamentar do të mbetet i njëjti përderisa nuk ka ende një reflektim nga mazhoranca për çështjet që ne kemi ngritur që tashmë ju i njihni shumë mirë. Atë që lidhet me ligjin e dekriminalizimit, funksionimin e komisioneve hetimore dhe dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të deputetëve, të cilët ne na rezultojnë se janë në shkelje të kushtetutës dhe konfliktit të interesit përderisa kanë përfituar fonde publike. Javën e kaluar ju patë që pati një votim për Koço Kokëdhimën por nuk u votua kërkesa jonë për deputetin Suli, kërkesë e cila do të votohet nesër dhe shpresojmë që qëndrimi i mazhorancës nesër të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese kërkesën e opozitës, më pas kemi një kërkesë edhe për znj. Leskaj për të njëjtën çështje e cila pritet të diskutohet nga Këshilli i Mandateve për të marrë edhe ajo rrugën e saj drejt Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu amandamentet tona për Ligjin e dekriminalizimit dhe komisionet hetimore janë në pritje pët t’u diskutuar në komisionin e ligjeve fillimisht dhe më pas në seancë plenare.
-Ju do të jeni vetëm për çështjen e z. Suli në seancë nesër?
Qëndrimi i grupit parlamentar nuk ka ndonjë ndryshim. Aq ,më tepër që jo vetëm nuk shohim reagim nga mazhoranca por shohim që kryeministri bën krejt të kundërtën e asaj që pritet prej tij dhe që është zbatimi i ligjit, zbatimi i Kushtetutës, por në rradhë të parë ndjekja e disa parimeve morale që i kërkohen jo vetëm nga opozita, jo vetëm nga shoqëria shqiptare por edhe nga ndërkombëtarët. Kemi një qëndrim krejtësisht arrogant të kryeministrit në kundërshtim edhe me vetë ligjin që miratoi për dekriminalizimin. E shohim që ata që bëri sikur i nxori nga dritarja si të inkriminuar, po i fut haptas apo fshehtas nga dera.
-A do t’i shtohet këtyre kushteve ngritja e Byrosë së Hetimit brenda 2 javëve. I referohem këtu një postimi të z. Berisha në FB.
Për momentin byroja e hetimit mbetet një çështje që duhej të ishte zgjidhur. Ne prej kohësh kemi deklaruar që duhet që Byroja e Hetimit sipas rekomandimeve të Venecias të kalonte në parlament sa më parë, nuk ka asnjë arsye për t’u vonuar. Sigurisht grupi, nëse kjo çështje do të ngrihet, do ta diskutojë si çështje për tu zgjidhur, jo si kushte. Ne kërkojmë që amazhoranca të zbatojë ligjet që ka miratuar vetë dhe Kushtetutën e vendit.
- Paloka, është e vërtetë që opinioni final i Venecias ka rrëzuar Partinë Demokratike me kërkesat dhe parashtrimet që ka bërë opozita, si edhe për reformën në drejtësi?
Nëse do të merrnim për të vërtetë këtë do të merrej si e vërtetë fakti që Komisioni i Venecias ka vendosur kapjen politike të institucioneve të drejtësisë shqiptare. Nuk ka asnjë gjë të tillë. Sigurisht, Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandimet e tij finale që përputhen plotësisht me parimet kryesore që ne kemi dhe që Komisioni i Venecias i ka qëndruar që në fillim. Që janë parimet kryesore, jo pikat dhe detajet, sepse ato sigurisht i diskuton Komisioni i Reformës, por parimet kryesore tonat janë, moskapja, moslejimi i kapjes së drejtësisë dhe dialogu politik. Zgjidhja e të gjitha çështjeve politike, kompromisi dhe marrëveshja. Të dyja këto pika Komisioni i Venecias i ka theksuar që në fillim dhe nuk I ka ndryshuar asnjëherë qëndrimet e saj. Ne jemi plotësisht të njëjtë me Komisionin e Venecias dhe do të vazhdojmë të ngulim këmbë që të fillojë sa më shpejt dialogu politik për ti dhënë rrugë edhe Reformës në Drejtësi. Po presim reagimin e palës tjetër e cila duket që nuk e ka këtë qëndrim.
Prononcim për media e kryetarit te Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 16 mars 2016