Sot Edi Rama konfirmoi se është personi mbrapa betonizimit të Tiranës, se ai i është rikthyer programit të betonizimit të Tiranës që nisi dhe e vazhdoi për 11 vite me radhë. Për këtë arsye ka emëruar një kukull në krye të bashkisë, për të realizuar projektet e  tij të betonizimit me anë të cilit ka përfituar sipas mediave ndërkombëtare të paktën 200 milion euro. Ai ka vendosur të kriminalizojë shtetin, të kriminalizojë Policinë e Shtetit të ushtrojë dhunë ndaj qytetarëve, ndaj të rinjve, ndaj pleqve, ndaj grave, ndaj burrave, ndaj përfaqësuesve të opozitës, siç bëri sot me një përshkallëzim të qartë të situatës që nuk lë vend për mëdyshje. Kemi të bëjmë me një tirani, me një tirani që e shikon veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin. Kemi të bëjmë me një kryeministër i cili nuk kufizohet nga ligji dhe Kushtetuta siç e dikton republika parlamentare, por e shikon veten mbi ligjin dhe Kushtetutën për të plotësuar interesat e tij, babëzinë që i ka errur sytë përmes betonizimit të parkut të liqenit, përmes shkeljes së Kushtetutës sa e sa herë me radhë dhe mbrojtjes së deputetëve së tij të  korruptuar përmes goditjes dhe kërbaçit.  Qytetarët  burgosen se  guxojnë të venë një tjegull pa leje në çatitë e tyre, apo po të lyejnë fasadat  pa leje, ndërkohë që ky guxon të futet në Parkun e Liqenit, ta rrëthojë, ta betonizojë, pa leje mjedisore, pa leje ndërtimi dhe me një leje të Këshillit Kombëtar të Territorit qartësisht në kushte fallsifikimi, siç është denoncuar dhe botërisht në media.

Faktet e dala në dritë janë tronditëse. Nuk bëhet fjalë për mijëra katrorë gjelbërim, e vetmja mushkri e kryeqytetit, bëhet fjalë për rënien e shtetit ligjor, garancisë së vetme që qëndron mes dajakut arbitrar dhe arrestimit arbitrar torturës, dhunimit të të drejtave të njeriut, vrasjes shtetërore dhe  një shoqërie civile,  europiane dhe demokratike. Qytetarët  kanë pyetur prej dy muajsh  pse po ndërtohet pa leje mjedisore , pse po ndërtohet pa leje ndërtimi, pse po dhunohet parku i tyre me një leje të fallsifikuar të Këshillit Kombëtar të Territorit.  Kanë dy muaj që qytetarët i bëjnë këto pyetje dhe nuk ka përgjigje. Nuk ka përgjigje, por ka dhunë. Dhuna nuk e ndalon një popull që ngrihet për këto vlera. Dhuna e përdorur sot ndaj opozitës është dëshmi se ky rregjim është në grahmat e tij të fundit. Kriminalizimi i policisë, prania e njerëzve të policisë  me armë në brez në kundërshtim me ligjin, prania e policëve pa shenjën identfikuese të tyre, urdhëri për dhunë, urdhëri për të penguar përmes dhunës shtazarake vendosjen e tendës së shoqërisë civile nga ky njeri që gjithë qytetarët e Tiranës e mbajnë  mend sesi bllokoi bulevardin Dëshmorët e Kombit tre muaj me tendat e tij me pseudokauzën e tij,  dëshmon se shteti ka rënë. Kushtetuta dhunohet, ligji shkelet. ndërtohet pa leje në mes të parkut dhe askush nuk jep llogari.

Qytetari dhunohet, qytetari  merret dhe plaset në burg për 30 mijë lekë të vjetra, ky nga babëzia do të vjedhë vetëm në park 700 milionë, miliona të tjera ka zhvatur sipas vetë statistikave të shtetit të tij vetëm vitin e kaluar. Unë i bëj thirrje Prokurorisë të mos heshtë, ka një muaj që janë bërë kallëzimet. Heshtja komprementon rëndë, heshtja tregon që nuk ka më asnjë shpresë për shtetin ligjor se është koha që qytetarët të marrin në dorë të drejtën e tyre.

Unë i bëj thirrje mediave dhe gazetarëve të mos heshtin! i bëj thirrje pronarëve të mediave të mos ulin kokën nga presioni, as nga llokumi i pushtetit. Përgëzoj punën e gazetarëve sepse punojnë në kushte shumë të vështira, kushte të presionit të jashtëzakonshëm financiar e të drejtpërdrejtë mbi ta e ju them të kenë kurajo. Kjo është linja ku ndahet historia e Shqipërisë. Do të vazhdojë të jetë një demokraci parlamentare që aspiron për një shoqëri të lirë e stilit perëndimor apo do të bjerë demokracia, do të bien edhe një herë të drejtat e njeriut, liritë themelore të individit për të cilat kemi luftuar e sakrifikuar, për të cilat kemi ndenjur 45 vite nën terrorin komunist e të cilat do ti sakrifikojë sot Edi Rama për veten e tij dhe për hesap të oligarkisë që ushqen me milionat që ka fshehur në bankat “off –shore” dhe pasuritë e tij.

Zonja dhe zotërinj, pak momente më parë me një stil banditesk të panjohur, policë me maska kanë rrëmbyer kryetarin e Partisë Demokratike të degës 5 Tiranë, Ndriçim Babasi në mes të një lokali në kryeqytet.

i bëj thirrje çdo qytetari të na bashkohet sot në një protestë jo për një njeri, as për një parti por për ndryshimin e madh midis një regjimi që shkel dhe dhunon qytetarët, që iu merr bukën e gojës, që iu prish vendin e punës ndërkohë që vetë pasurohet dhe një Shqipërie siç e duam ku ligji është mbi këdo, edhe mbi kryeministrin, edhe mbi policinë, ku të gjithë jemi të barabartë para ligjit.

Kjo qeveri është mbi ligjin e jashtë ligjit.

Kjo qeverisje e sheh veten mbi Kushtetutën e mbi ligjin.

Qeverisja mbi Kushtutën e mbi ligjin është tirani. Tiranitë kanë vetëm një fat, ato përmbysen.

Faleminderit!


Deklarata për mediat e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 28 Mars 2016