Lungomarja një mashtrim. Drejtuesit dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në krah të qytetarëve vlonjatë

Qindra qytetarë të Vlorës kanë protestuar sot me abuzimin e madh financiar e mjedisor, siç është projekti i Lungomares.

Drejtues të PD-së Vlorës dhe përfaqësues të partisë ishin në krah të qytetarëve dhe kërkesave të tyre.

Ata iu bashkuan protestës së vlonjatëve, për katastrofën mjedisore që po shkakton projekti i Ramës.

Qytetarë shprehen të revoltuar me shkatërrimin e perlës së Jugut, duke e kthyer atë në një gërmadhë shtufi.

Jemi këtu, sepse na dhimbset Vlora dhe na tmerron kjo pamje, thanë protestuesit.

“Jemi mbledhur sot për të protestuar. Ka një thënie, se një pamje vlen më shumë se  një mijë fjalë. Mjafton që kameramanët të pasqyrojnë pamjen dhe kuptohet se sa e drejtë është protesta jonë paqësore. Ka tre vjet kjo gjendje, tre vjet që qytetarët e Vlorës edhe nëse duan të bëjnë një shëtitje buzë detit ku janë rritur, jo vetëm që nuk kanë mundësi por ambienti është mbytës. Mashtrim i madh duke marrë parasysh propagandën që na u bë para zgjedhjeve se do ju bëjmë Lungomaren si një mrekulli të Vlorës”, tha një protestues.

Deputetja e PD-së Liliana Elmazi e krahasoi gjendjen e Lungomares me shkatërrimet e tritolit në të gjithë bregun e jugut.

“Nga informacionet që kam, pasi ky projekt nuk është fare transparent, nuk ka fare projekt, janë harxhuar 1.7 milionë euro, por çfarë kanë bërë. Kanë marrë rërë dhe shtuf, çakull e në fund mbulohet me rërë. Ky është projekti madhor i kryeministrit për Vlorën. Unë nuk habitem aspak, por as qytetarët”, tha ajo.

Sekretari për Aksionin Qytetar Ervin Salianji duke iu referuar protestës së Partisë Demokratike në çdo cep të Shqipërisë, theksoi se ky është i vetmi mjet që u ka mbetur shqiptarëve, përballja, protesta dhe rezistenca deri në në largimin e së keqes që ka kapluar këtë vend.

“Është fatkeqësi e madhe që Rama është kryeministër, të cilën po e tregon me modelin e tij qeverisës. Është dy herë fatkeqësi që është deputet i Vlorës sepse i vetmi investim serioz që mendon Edi Rama për Vlorën, është investimi i Koço Kokëdhimës si deputet, si pasha’ i zonës, si njeriu i cili kontrollon çdo interes dhe çdo influencë në Vlorë. Ka tre vjet që kryeministri tregon skica, projekte nëpër media dhe ka 3 vjet që e famshmja Lungomare e Vlorës nuk po bëhet, ka tre vjet që gjendja në këtë qytet, si më atraktivi dhe turistik i Shqipërisë, është në gjendje skandaloze”.

Kryetari i PD-së në Vlorë Moisi Meminaj e cilësoi situatën e krijuar nga projekti i dështuar i Lungomarës si një makth.

“Turizmi po falimenton, biznesi po falimenton. Është një investim pa projekt. Dua t’i çoj një mesazh, sepse sipas zërave më të fundit, ai po përshpejton letrat e dhënies me konçension të Pasha Limanit për ta kthyer në demontim anijesh; Vlora nuk do të ndalet me protestën e sotme, ato do të vazhdojnë. Në rast se ndodh kthimi i Pasha Limanit në demontim ne do të bllokojmë hyrjen e bazës”, tha Meminaj.

Rrëzimi i kryeministrit Rama do të vijë nga Vlora aty ku edhe morri mandatin e deputetit, ishte mesazhi i protestës në Vlorë.


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 6 mars 2016