Denoncimi i PD-së për lokale që po bëhen edhe në det. Malltezi: Standard i dyfishtë dhe kriminal, nuk zbatohet ligji por interesi i Koços
Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike Jamarbër Malltezi, denoncoi abuzimet me ndërtimet pa leje në bregdetin e Jugut të cilat kanë hyrë deri në det.
Nga Porto Palermo, Malltezi bëri publike shkatërrimin mjedisor që i bëhet bregdetit me ndërtime abuzive dhe të paligjshme.
“Këtu jemi në një zonë bregdetare, në një zonë të ndjeshme mjedisore dhe ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Për fat të keq ne mund të shikojmë një lokal që po bie brenda në det. Jo vetëm që nuk po mban distanca por po bie i gjithi në det, ndërtuar nga Koçot e pushtetit. Kjo është dyfytyrësi, ky është standard i dyfishtë në zbatimin e ligjit. Ligji normalisht duhet të jetë i njëjtë për të gjithë dhe nuk mund të jenë disa ta favorizuar e disa të nëpërkëmbur”.
Ndërsa në një prej perlave të bregdetit shqiptar, në Qeparo, Malltezi denoncoi ndërtimin e deputetit të PS-së Koço Kokëdhima, i cili është jashtë çdo kriteri ligjor dhe urbanistik.
“Jemi sot në Qeparo, në të cilin dyfytyrësia e qeverisjes është akoma më evidente. Për fat të keq qytetarëve edhe në maj të malit ose në mes të Tiranës u prishen shtëpitë e tyre, qoftë edhe të trashëguara, ndërkohë që lejohen ndërtime të paligjshme siç është rasti konkret i denoncuar me dhjetëra dhe qindra herë ndaj deputetit Koço Kokëdhima. Këtu shkelen disa ligje njëherësh. Ne kemi bërë denoncimin në Prokurorinë e Përgjithshme në të cilën kemi 10 ligje dhe 2 plane urbane të cilat dhunohen nga deputeti Koço Kokëdhima. Për fat të keq kemi 1 miliardë e 850 milionë lek nga taksat tona që shfrytëzohen për ti bërë një Lungomare vetëm Koço Kokëdhimës dhe askujt tjetër. Përse, kështu duhen shpenzuar paratë e taksapaguesve shqiptarë? Dhe po të shikojmë ky investim tjetër që bëhet, është për ti bërë fresk sarajeve të Koços, por gjithashtu cënon edhe një ekosistem me vlera të mëdha mjedisore siç është ligatina e Qeparoit. I kanë vendosur një barrierë të pakapërcyeshme me tel gabion dhe gurë ligatinës së Qeparoit. Në çdo vend të botës, ligatinat janë ekosisteme shumë të rëndësishme, janë shumë sensitive, të cilat shërbejnë qoftë për shpendët migratorë, qoftë për botën e gjallë dhe duhej të ishin një objekt me shumë interes për turistët e zonës. Për fat të keq këtu thjesht vetëm nga interesat e Koços i gjithë shteti shkel ligjin dhe shpërdoron taksat tona. Vetëm për ti bërë fresk z. Koço Kokëdhima. Kjo është një mënyrë tjetër e dyfytyrësisë së pushtetit e standardeve të dyfishta që po përdor kjo qeverisje e sotme”, tha Malltezi.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 30 prill 2016