I nderuar drejtues i seancës,

Kolegë deputetë !

Bllokimi i Komisioneve Hetimore në Parlament fakton barrikadën shtetërore për të penguar zbardhjen e abuzimeve me pseudoreformat që vodhën Shqipërinë, burgosën shqiptarët, larguan qindra mijëra shqiptarë drejt vendeve të BE për të kërkuar azil dhe po dëbojnë cdo ditë investitorët e huaj.

Si për koincidencë, në kohën që Kryeministri ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA, Departamentit Amerikan të Shtetit publikoi raportin për të Drejtat e Njeriut 2015 për Shqipërinë. Në dokumentin e qeverisë amerikane thuhet se të drejtat e njeriut në Shqipëri kërcënohen kryesisht nga korrupsioni në të gjitha degët e qeverisë, vecanërisht në sistemin e shëndetësisë dhe nga rritja e dhunës në familje dhe diskriminimi i grave, diskriminimi i romëve dhe egjiptianëve etj.

Rasti skandaloz, precedent për hetime të thelluara, u shënua dje në Lushnjë, kur Kryetari i Bashkisë kërcënoi dhe ushtroi dhunë verbale ndaj një nëne, të cilës do ja fuste portofolin në gojë vetëm sepse kërkoi të drejtën e saj për punë! Por si reagoi qeveria, për këtë akt dhune?? Ministri i Mireqënies vrapoi ta dekorojë zyrtarin dhe i vuri bizhu në qafë, një medalje për partinë!!! Unë e kam akuzuar Kryeministrin Rama për nxitës të dhunës ndaj grave e tashmë nën shembullin peronal të Kryeministrit Rama, deputetë apo kryevendorë janë shndërtuar në fyes arrogantë dhe dhunues të cdo të drejte…Edhe pas publikimit të videos, ku zyrtari me zë dhe figurë dhunon një grua, edhe pas reagimit të PD, Avokatit të Popullit në lidhje me këtë ngjarje, nuk ka asnjë hetim administrativ dhe as penal, ndërkohë që në Kodin Penal dhunimi dhe diskriminimi i grave cilësohet vepër penale dhe dënohet si e tillë.

Raporti i DASH për të dytin vit rradhasi thekson që korrupsioni në shëndetësi shkel të drejta themelore të qytetarëve që të shumtë, në 2013, votuan Ramën se besuan në premtimin e shëndetësisë falas dhe për të gjithë…

Raporti i Departamentit të Shtetit është një thirrje për aksion politik e qytetar për të ndalur degradimin e Shqipërisë dhe vjedhjen shtetërore. Partia Demokratike ka kërkuar me urgjencë amendimin e ligjit për komisionet hetimore për të ndërgjegjësuar jo vetëm publikun, por edhe për të tërhequr vëmendjen e selive diplomatike në Tiranë për manovrat e mazhorancës për të penguar kontrollin opozitar dhe reformën në drejtësi.

Mazhoranca e votave të blera, po përdor taktika antikushtetuese për të penguar të drejtën e kontrollit opozitar. “Pushtet dhunuesit” e Tiranës e kanë “fshirë” edhe rezolutën e miratuar në prag krishtlindjet e 2014-ës, të ndërmjetësuar nga Parlamenti Europian.

“Krimi dhe korrupsioni ka uzurpuar të gjitha zyrat shtetit” – thotë raporti  DASH. Politikat qeverisëse janë vënë në shërbim të pasurimit të oborrit qeveritar dhe shqiptarët janë lënë në harresë…Në opozitë ëndërrimtari për karrigen e kryeministrit pagoi për mbi 1500 protesta për të bllokuar anëtarësimin e Shqipërisë në Nato, heqjen e regjimit të vizave dhe reformën për statusin e vendit kandidat në BE. Sot, i njëjti po bllokon haptazi celjen e negociatave që do t’i jepte jetë projektit 25 vjecar të Shqipërisë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Edi Rama sot po përdor pushtetin e sovranit për tju bllokuar shqiptarëve dhënien e një drejtësie të pakapur e të pakorruptuar, një qeverisje dhe administrate të dekriminalizuar, dhe një shtet funksional bazuar në parimin kushtetues të check and balance…

Kur hetimet bllokohen në Parlament, institucionet ekzekutive fitojnë “imunitet” për abuzimet. Ministria lapidare e korrupsionit pasi ka dhënë 338 milionë euro me koncension të gjitha shërbimet shëndetësore dhe po pregatitet për pazarin e Urgjencës dhe laboratoreve, i është futur me kokë planit për vjedhjen e fondit për barnat dhe terapitë dhe aparaturat e kimioterapisë. Meqënëse makutëria ju ka zënë veshë e sy, Ministri i centralizoi të gjitha tenderat spitalorë, cdo tender do e bëjë ai vetë në Ministri…asnjë qindarkë të mos ju shkonjë jashtë xhepit të miqve e klientëve…

Shkak i tenderave abuzivë, korruptivë…është edhe situate Tronditëse dhe kriminale në spitalin e Onkologjikut në Qëndren Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Pacientë të prekur nga sëmundjet tumurale sfiliten që në orët e para të mëngjesit, shkallëve apo korridoreve të pavionit, në shpresë të një trajtimi mjekësor.

Dje me kolegë të Komisionit Parlamentar te Shëndetësisë degjuam nga afër shqetësimin e pacientëve dhe kërkuam shpjegime për mungesën e ilaceve, analizave dhe funksionimit të aparaturave në spitalin Onkologjik. Vizituam të gjitha pavionet, akseleratorin (investim i Qeverisë Berisha prej 2.5 mln eurosh) që Rama e inaguroi fshehurazi, në ditën ndërkombëtare të kancerit…ditë në të cilën për herë të parë u furnizua onkologjiku me herceptinë pas shumë javësh mungesa …

Stafi i terrorizuar, i detyruar më parë të dalë në prononcime të gënjeshterta, i porositur që të mos jepnin asnjë informacion për askënd …nuk guxoi as të na takonte e as të na shoqëronte. . .përndryshe mund të humbnin edhe vendin e punës… Edhe një infermier që guxoi të priste Kryetaren e Komisionit të Shëndetësisë dhe deputetë të opozitës, u telefonua, u kërcënua në telefon nga lart dhe u urdhërua të mos na shoqëronte pasi “ne deputetët e opozitës shkonim në spital si kriminelë”.

Por cila është kriminale? Të shkosh e të interesohesh për qytetarët? Për mbarëvajtjen e shëndetit të tyre?? Apo të vjedhësh qindra milionë euro që duhet të shkonin për barna e trajrime shëndetësore??? A është kriminale të fusësh pacientët në pajisje që nuk funksionojnë si duhet e që më shumë shkaktojnë dëme në shëndet se sa shërojnë dhe pa i paralajmëruar për efektet negative anësore??

A është kriminale që ti sjellësh qytetarët që me mëngjes, tu kërkosh të bëjnë vetë të gjitha analizat te klinikat private e në fund të ditës pas shumë orësh pritje të largohen të dëshpëruar se s’kanë mundur të marrin kurën që do ju shpëtojë jetën sepse nuk kanë ti paguajnë nga xhepi i tyre???

A është kriminale që 338 milionë euro të shkojnë për pasurim personal ndërkohë që mund të kishin shkuar për ndërtimin e dhjetëra spitaleve ultramodernë më kapacitete të lartë e me nevoja të plotësuara për banra, pajisje e aparatura???

A është kriminale të ndryshosh ligjin për barnat vetëm që të lejosh të futen barna të fallsifikuara, të pakontrolluara, të pa certifikuara, kontrabandë në shqipëri??? Dhe ju i dini shumë mirë rastet e denoncuara nga familjarë të pacientëve për humbje jetësh nga përdorimi i barnave fallco…

Sigurisht që kjo është kriminale, e ne do vazhdojmë ta denoncojmë derisa të marrë ndëshkimin që meriton.

Edhe pas denoncimeve, qeveritarët tallen dhe në vend që të përmirësojnë shërbimet dhe të sigurojnë medikamentet jetike dhe kujdes paliativ për të sëmurët me tumor, hajdutët mblidhen në bodrumet e propagandës qeveritare për të sajuar një tjetër vjedhje, kësaj radhe edhe kohën telvizive dhe radhët në gazeta për të gënjyer për shërbimin e munguar në spitale.

Të nderuar kolegë,

Para një jave, ashtu arrogant e prepotent Ministri me camcakëz në gojë u shfaq duke shkuar në një mort tragjik …I kompleksuar prej intervistës në Washington nga gazëtarët profesionistë të Voice Of America, të cilët nuk i lejuan mashtrimin e rradhës sulmoi duke e ofenduar korrespondentin e Voice Of America në Shkodër Pëllumb Sulo…  i cili më pas u kërcënua nga shoqëruesit e tij teksa filmonte në spitalin e Shkodrës,  ku ndodhej i plagosuri nga aksidenti ajror në Malësinë e MAdhe. Sigurisht, Ministri i sulmon gazetarët sepse kanë qenë ata që kanë denoncuar korrupsionin në shëndetësi.

Por Ministri i Shëndetësisë, në korrespondencën e tij ose jep informacion që s’ka asnjë lidhje me kërkesën, ose gënjen zyrtarisht në përpjekje për të bllokuar informacionin për koncensionet e Check-up, sterilizimit të pajisjeve mjekësore dhe hemodializës. Tenderokrati Beqaj refuzon të japë dokumentacionin me pretendimin që nuk e disponojnë pasi e ka sekuestruar prokuroria (tre shkresat e Beqes). Atëherë ju drejtova me një shkresë zyrtare prokurorisë duke i kërkuar informacion në lidhje me sekuestrimin e dokumentacionit të 3 koncesioneve. Por në shkresën me nr prot 3423 dt 4-4-2016, prokuroria në konfirmim të hetimeve deklaron se dokumentacionin e koncensioneve e ka fotokopjuar dhe e ka kthyer dosjen në ministrinë e shëndetësisë. Atëherë pse Ministri refuzon të zbatojë detyrimin ligjor për t’i dhënë këtë informacion një deputeti të Kuvendit?? Cfarë e bën këtë Ministër kaq arrogant sa të shkelë mbi kushtetutë e ligje duke refuzuar praninë në dëgjesat e komisioneve parlamentare apo dhënien e informacionit legjislativit???

Por le ti kthehemi cështjes që po diskutojmë: pse Maxhoranca nuk do ngritjen dhe mirëfunksionimin e komisioneve hetimore??? Sepse kërkon të varrosë skandalet shtetërore…

Është tronditëse që historia e vjedhjes së fondeve të shëndetësisë vazhdon edhe në këto moment që po flasim! Po rendis më poshtë disa fakte për skandalet e njëpasnjëshme që kanë mbuluar sektorin më jetik – shëndetësinë!!!

  • Për arsye tërësisht përfitimi dhe gjobvënie, Ministri në funskionin e tij si Kryetar i Këshillit Administrativ të Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore ka marre nje Vendim për kriteret e lidhjes se kontratave me farmacitë. i ankimuar edhe në Autoritetin e Konkurrencës, edhe në Gjykatën Administrative, ky vendim përmban një sërë kriteresh antiligjore të cilat lënë vend për abuzime dhe nuk eshte as Ministri e as Fondi autoriteti qe duhet të marrin kompetencat e ligjit.Ndaj i kërkoj Drejtoreshës së re të Fondit të mos bëhet palë me abuzuesit e pushtetit, por të thërrasë menjëherë mbledhjen e Këshillit Administrativ për të shfuqizuar këtë vendim abuziv të Ministrit.
  • Lista e ilaceve të rimbursueshme për 2016-ën është bërë zakon që dalë në 1 prill…por ende nuk është publikuar ….janë duke pritur urdhër nga sponsorët e shefit të ministrit..,
  • Të sëmurët me HIV/AIDS kanë javë të tëra pa mjekim edhe pas disa kërkesave që janë dërguar në Ministri nga spitali, medikamentet nuk gjënden as në spitale dhe as nuk blihen dot në farmaci gjë që e bën edhe më tragjike situatën e pacientëve të prekur nga kjo sëmundje.
  • Kordinatori i korrupsionit po bën “hapa dollapa” edhe me policinë për Omegafarmën, njëri pronar i së cilës është në burg për abuzim me ketosterilin sipas prokurorisë 2.2 mln EURO. Ndërkohë që pronari tjetër, i jati, arrestohet për kontrabandë ilacësh por dhe lirohet nenjëherë me detyrim paraqitje pasi sic dukej ju duhej ndërmjetesi i tenderave jashtë. …ndërkohë që Ministri, pavarësisht denoncimeve nga ana jonë, vazhdon i pashqetësuar të paguajë heshtjen e tij në burg në këmbim të tenderave të barnave spitalore.

Besoj se janë të kuptueshme pra arsyet e bllokimit të hetimeve parlamentare nuk jane politike, por arithmetike !‎

Me refuzimin e iniciativave të PD KM Rama deshmoi dhe nje here se eshte kryeministri palë në korrupsionin i tenderave,  antiligjin, eshte kryeministri me refuzues i shqiptareve dhe i halleve te tyre.

Ndaj kësaj qeverie i ka filluar countdown. Është viti i tyre i fundit dhe një fillim i ri për shqiptarët. Është fillimi i ndryshimit, është shpresa e ringritjes së shqiptarëve pas rrëzimit të klikës në pushtet.


Fjalimi ne Kuvend e deputetes Albana Vokshi, 14 Prill 2016