Do do doja të falenderoja Presidentin e Republikës i cili, duke dëgjuar

zërin e opinionit publik,

zërin e Unionit të Gazetarëve,

zërin e 156 firmëtarëve të peticionit,

zërin e Opozitës,

si dhe së fundmi por jo për nga rëndësia, zërin e Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian në ushtrimin e duhur të kompetencës kushtetuese e ktheu në Kuvend për rishqyrtim  amendimin e njeanshëm të ligjit të Medias për Radio Televizionin Shqiptar.

Do të përgëzoja Unionin e Gazetarëve dhe 156 reporterë e njerëz të penës që apeluan e nënshkruan peticionin ku kërkohej kthimi i ligjit në Kuvend dhe rivendosja e procedurës konsensuale për Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH.

Do të falennderoja edhe Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian i cili të martën e javës së shkuar në rezolutën që miratoi për Shqipërinë shprehte shqetësim për amendimin e njeanshëm e apelonte për mënyrë konsensuale në emërimin e Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH.

Të mos harrojmë se ishte PS e Ramës në opozitë që në vitin 2012 vuri si kusht për konsensusin ndaj këtij ligji shumicën e cilësuar në Këshill Drejtues të RTSH për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm. Mazhoranza e PD asokohe e pranoi kushtin e opozitës dhe e votoi kështu ligjin.

Sot  mes dy kandidatëve të përzgjedhur nga Këshilli Drejtues, që të dy me jetë aktive politike në PS prej 25 vjetësh, si shenjë kompromisi e bashkëpunimi, anëtarët nga opozita përkrahin njërin prej tyre. Por jo detyrimisht mikun familjar të Edi Ramës. Ndryshimi i ligjit ad hominem, ishte veprim shumë i  gabuar i mazhorancës PS-LSI.

Uroj që mazhoranca të reflektojë  e të mos votojë me nxitim e me inat për ligjin e RTSH.


Deklarata për mediat e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Medias, Genc Pollo, 1 Prill 2016