Dy ditë më parë u zbulua skandali i drejtorit të Spitalit të Gjirokastrës, i cili planifikoi largimin e punonjësve përmes shortit me letër me vrimë. Mbarë publiku është tronditur nga ky standard i qeverisjes. Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji dhe kreu i degës së Gjirokastrës, Roland Bejko u takuan me mjekët dhe personelin shëndetësor atje. Përfaqësuesit e PD denoncuan këtë abuzim para medias dhe u shprehën se përgjegjësit do të japin llogari para ligjit.

“Publiku në Gjirokastër dhe në mbarë vendin është njohur përmes mediave me një skandal që ka ndodhur në spitalin e Gjirokastrës ku drejtori i këtij instritucioni kërkoi të largojë disa punonjës nga puna duke i hedhur në short, me letër me vrimë. Ende nuk është dhënë largimi i këtyre punonjësve ndaj dhe sot ne kemi dalë për të ngritur zërin në dobi të punonjësve, në dobi të meritokracisë dhe për të dënuar këtë turp të madh që ndodh në institucionet shtetërore. Eshtë e pafalshme që sot kur shteti shqiptar i ka rregulluar marrëdhëniet mes pudhëdhënësit dhe punëmarrësit përmes ligjit, të zbatohen këto metoda primitive të cilat nuk i shkojnë as Gjirokastrës, dhe as këtij institucioni që është drejtuar nga personalitete si doktor Laboviti. Ne sot jemi këtu për të protestuar edhe për qytetarët që marrin shërbime në këto ambjente të papërshtatshme. Ketu kemi një foto e kryer në ambjentet e brendshme të banjos ku shikohet gjendja. Po protestojmë që kjo qeveri të reagojë që qytetarët shqiptarë të marrin shërbimet, për ata që blejnë ilaçe, për ata që vijnë në urgjencë por shohin se nuk ka kirurgë por vetëm një reaminator dhe dy kirurgë për të gjitha operacionet. Jemi sot këtu edhe për të gjitha ata qytetarë që u gënjyen nga kjo qeveri duke u thënë që shëndetësia do jetë falas por që realisht, që nga ilaçet dhe shërbimet i blejnë me paratë e tyre. Jemi sot këtu edhe për abuzimet që bëhen në këtë institucion dhe kërkojmë largimin e drejtorit si të paaftë”, tha Bejko.

“Kjo është gjendja, dhe për këtë llogaria i kërkohet qeverisë dhe qeveria duhet të mbajë përgjegjësinë e saj jo vetëm me votë përpara qytetarëve në momentin që vijnë zgjedhjet por duhet të mbajë përgjegjësinë e saj para ligjit dhe ti drejtojë institucionet ashtu siç parashikon Kushtetuta dhe ligji. Këtu jemi në rastin e plazmimit të modelit të Ramës, ku Rama është ligji në kryeministri, ku Beqja është ligji në ministri dhe ku drejtori këtu pretendon se është ligji duke hedhur letër me vrimë se kush duhet dhe kush nuk duhet të qëndrojë, tallet me një profesion që duhet të trajtojë jetët e qytetarëve. Ketu jemi në rastin ku jeta e qytetarëve, si koncept, po tenderohet. Përderisa e bën ministri Beqja me 300 milionë euro, ka fytyrë ta bëjë edhe ky zotëria këtu që nuk po merr ndërshkimin e merituar, që nuk po e merr sot, por ta harrojë çdo drejtues institucioni që shkel ligjin të PS apo të LSi, do të mbajnë nesër përgjegjësi para ligjit në momentin që PD do të vijë në pushtet. Së dyti, ju e shihni që shtet për qytetar nuk ka. Shteti dhe qeveria janë për tu shërbyer qytetarëve. Ketu jemi në rastin që kemi 4 shtete. Një shtet e ka Rama, një shtet e ka Meta me Tavon këtu, një shtet e kanë banditët e tyre dhe një shtet tjetër e kanë oligarkët. A jemi në kushtet që të themi që është qeveria e shërbimit, që duhet të zbatojë ligjin dhe që duhet të kujdesët për jetën e qytetarëve. Eshtë rol primar. Nga shëndetësi falas kemi ardhur në letra me vrimë për të jetuar ose jo. Jemi në situatën traumatike dhe nëse nuk merren masa nga ana e ministrisë për të shkarkuar drejtorin këtu dhe kudo që ka shkelje, PD do ti përshkallëzojë protestat dhe do të thërrasë qytetarët për të marrë në dorë si sovranë që janë fatet e veta”, tha Salianji.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 7 Prill 2016