Qytetarët të revoltuar nga faturat e kripura për energji të pakonsumuar. Deputetja Halimi: Prokuroria të nisë hetimin për këtë abuzim 

Qytetarët e Cërrikut protestojnë në lidhje me mbifaturimet abuzive të energjisë elektrike. Ata denoncojnë faktin se faturat e tyre të muajit mars janë më të shtrenjta se faturat e muajve të dimrit, kur shpenzimi ka qenë më i madh.

Madje, qytetarët thonë se në zyrat e pagesave u kërkojnë të paguajnë faturën, pasi muajin pasardhës fatura do u vijë me çmim më të ulët.

“Nuk e kam kaluar asnjëherë 15 mijë lekëshin. Nuk kam asgjë në shtëpi. Nuk kam as dush. Kam një televizor dhe një dritë. Si të paguaj unë tani 45 mijë lek?”, thotë një qytetare. Ndërsa një tjetër shton: “Na ka vajtur thika në palcë të kurrizit. Pa punë unë, pa punë çuni. Nusja pa punë. Asistencë nuk marr. Me çfarë t’i paguaj unë?”

“Gati 68 mijë lek faturimi. Çfarë do bëj unë tani? Muaj më parë kam paguar nga 30, 35 mijë lek. Jemi 13 veta në shtëpi me një pension. Çfarë do të bëj me një pension unë? Do të përballemi ndryshe, sepse nuk kemi fuqi më. Kemi shkuar në fund”, denoncon një tjetër qytetar.

Një qytetare thotë se në muajt dhjetor – janar është ngrohur me energji elektrike. “Me kursim jam ngrohur, ka vajtur deri në 32 mijë lek. Këtë muaj më ka ardhur 42 mijë lek”.

Ndërsa një tjetër zonjë dëshmon se në faturë i janë shtuar në mënyrë fiktive 101 KW. “Paguaj 25 mijë lek akt-marrëveshjen, plus energjinë elektrike, nuk e përballoj dot me asistencë. Çfarë do hamë, vetë i katërt?”, thotë ajo.

Deputetja e Partisë Demokratike Arbiola Halimi, e cila dëgjoi nga afër shqetësimet e banorëve të Cërrikut, tha: “Nuk janë militantë partie. Janë qytetarë që kanë një hall, që është mbifaturimi dhe është mbifaturim abuziv. Të marrin masa sepse problemi është shumë sensitiv dhe siç e thanë edhe vetë këta qytetarë masat e tjera që do të merren nuk do të jetë një protestë e thjeshtë, por do të ketë edhe bllokim rrugësh. I bëj thirrje prokurorisë të nisë hetimet se përse është bërë ky abuzim”.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 28 prill 2016