Departamenti i Mjedisit dorëzon kërkesën. Malltezi: Çdo mjet për të bërë të mundur dëgjimin e zërit të qytetarëve
Partia Demokratike apeloi sot në kolegjin zgjedhor vendimin e para një muaji të KQZ, që nuk lejoi mbajtjen e referendumit lokal, ku qytetarët e Tiranës të shpreheshin e të vendosnin për projektet e Bashkisë që po dëmtojnë parqet me afera klienteliste e korruptive.
Departamenti i Mjedisit në PD depozitoi sot kërkesën pranë Gjykatës së Apelit.
“Partia Demokratike po apelon sot në Kolegjin Zgjedhor vendimin e militantëve të shumicës së shullazëve të KQZ për të refuzuar dhënien e formularëve ndaj qytetarëve të Tiranës për të mbledhur mbi 20 mijë firma që duhen për referendumet vendore. KQZ e shullazëve e ktheu Kushtetutën dhe Kodin zgjedhor njësoj si statutin e partisë socialiste ku nenet nuk zbatohen, por interpretohen sipas dëshirës së shullazëve të KQZ dhe të pushtetit. Për fat të keq, ne jemi këtu për të kërkuar një e drejtë që na e njeh Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, por ne do të përballemi për vlerat kushtetuese, do të përballemi për të drejtat e qytetarëve që nëpërkëmben përditë dhe që përqeshen nga oligarkët e pushtetit që paturpësisht edhe gënjejnë sikur nuk do të ketë beton nëpër parqe. Ne do të mundësojmë që qytetarët të shprehen, që zëri i tyre të dëgjohet dhe do pranojmë cilido qoftë mendimi i tyre. Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe ne do të bëjmë çmos që kjo gjë të bëhet e mundur me çfarëdo lloj mjeti demokratik”, u shpreh për mediat kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 21 prill 2016