Pavarësisht se është mbrojtur kaq shumë nga kryeministri ynë nuk kisha dëgjuar deri më sot mbrojtje më të mirë juridike që i është bërë Armando Prengës nga ligjërata e ministres parafolëse, e cila në fakt nuk na tha se ku e gjeti kartën e votimit dhe se a ndihen të sigurtë kolegët e mi në komision kur u vjen Armando Prenga. Nuk e kuptoj ku është e keqa e miratimit të kësaj shtese. Sigurisht që nuk e kishim parashikuar. Kush mund të mendonte se një deputet i mazhorancës të bënte horror në mes të ditës, të vriste e të qëllonte mbi qytetarët.

Në fakt unë nuk do të flas shumë për brendësinë e ligjit por për atë që është kriminale dhe që e shkaktoni ju përditë.

Nuk kam bukë, ha një herë në tre ditë, jam pa ngrënë, është refreni që kemi dëgjuar dhe dëgjojmë përditë, çdo ditë dhe më shumë në qeverisjen tuaj. Të gjithë i prek një realitet i tillë i dhimbshëm veç kryeministrit tuaj i cili zor se ka e mund të ketë e të përjetojë një emocion të tilë. Se duhet të jesh njerëzor që ta kesh, jo djallëzor e të mundohesh të grabisësh ç’të mund e të shtypësh me këmbë sovranin, popullin. Ose duhet të jesh i marrë, ose të dyja bashkë. Kjo e keqe mbjell të keqe dhe ky është shqetësimi, njerëzit vuajnë e nuk i konsideron askush, madje i kanë harruar, i kani braktisur, sikurse vetë thonë, u shkoni vetëm në fushatë sikurse ankohen përditë në qeverisjen tuaj. Por që s’veni ti takoni kjo është e keqa më e vogël, të tjerat janë ku e ku më të mëdha. Nuk i lini të marrin frymë të jetojnë, i shtydhni si të mos jenë njerëz. Në fakt për në qeverisjen tuaj dele siç preferon ti quaj kryeministri juaj. Por, njerëzit nuk janë dele edhe kur dikush ka një psikikë ujku dhe i sheh me perceptimin e shtrëmbëruar si ushqim.

Meqë jam këtu dëshiroj të përcjell një mesazh nga qytetarët. Presin që tu veni se i keni harruar. Ose kështu i thënçin se për ti shfrytëzuar nuk i harroni. Taksë këtu e taksë atje. Nuk janë këto preptimet që u keni dhënë. Nuk u keni premtuar varfërinë, rrënimin ekonomik, skampjen, shkatërrimin e biznesit, bujqësisë, shëndetësisë. U keni premtuar punë, shëndetësi falas, mbështetje ndaj biznesit. Ju i keni harruar premtimet që u keni dhënë, qytetarët jo. Ata i vënë ato në dukje përditë se janë ata që i vuajnë gënjeshtrat tuaja dhe abuzimet me pushtetin, jo ju, ju e keni humbur ndjeshmërinë. Një qeveri që i ngjan kaq shumë shëmbëlltyrës së atij që e drejton.

Varfëria është në kulm. Ju strukeni. I keni lënë në kushte të mbijetesës dhe me krimin që kulmon vërdallë. Shporreni na thonë. Një mllef i pafund. Kjo është krenaria e kësaj qeverie, zemërim pafund, indinjatë.

Po ç’keni bërë që ju urrejnë kaq shumë? S’është dhe aq e vështirë ta gjesh:

Ca i vdisni shtretërve nëpër spitale. Ca i vdisni rradhëve nëpër spitale. Ca i vdisni nga mjekimet e skaduara dhe këta janë edhe më shumë brënda e jashtë spitalit. Dializën në Sarandë, miratimin në Tiranë dhe një i sëmurë në gjëndje të tillë duhet të shkoj vetë në Tr që ta marr këtë miratim. Po kush është falas këtu? Shëndeti në rrugëtim dhe paratë rrugës? Rradhë të gjata për një analizë. Ilaçe nuk ka. Qytetarët duhet ti blejnë vetë sepse në spitale nuk ka medikamente. Po ka në farmaci. Ky është turpi juaj. Pajisje që blihen sa për inagurim dhe më pas lihen si qiparise si për tu kujtuar të sëmurëve që luftojnë me jetën se ju as nuk e doni e as që mendoni për jetën e tyre.

Përse shqiptarët ju urrejnë kaq shumë?

Po si mos t’ju urrejnë kur pamjet në bizneset ushqimore, jetiket, është kaq e trishtë. Asgjë nuk ka aty vetëm Kanata. Ku vemi?

Si mos t’ju urrejnë kur familje të dëmtuara nga tërmeti në Cërrik e në Belsh dy vjet më parë jo vetëm që nuk kanë marrë asnjë kompenism por nuk u japin as leje të riparojnë shtëpitë e tyre. Më është dëmtuar shtëpia thotë dikush, bashkia nuk më lë as që ta riparoj. Po a ka më kriminale se sa kaq?

Meqë jemi tek tërmeti ju kujtoj se i keni braktisur ata banorë. Edhe pse dëmet ishin kaq të mëdha dhe shkatërrimet të shumta ju as që u kujtuat. Këta banorë vazhdojnë të jetojnë ende edhe sot nën këto banesa që vetëm banesa nuk janë. I premtuat kompensim por i keni lënë në mëshirë të Zotit. Unë jam sot këtu edhe për të njoftuar dhe paralajmëruar një fatkeqësi të mundshme pasi të jetosh në banesa më mure të çarë tej për tej dhe të shkëputur, me kova e legena për të mbledhur ujin që rrjedh si jashtë edhe brënda, me tavanin gjysëm të rënë etj, etj, sigurisht që nuk ka siguri. U kam bërë thirrje që të largohen nga ato banesa. Ku të shkojmë më thonë? Në fakt ku të shkojnë?. A nuk është kriminale dhe kjo. Të mos kujtohesh kurrë për popullin ndërkohë që këtu recitoni kaq bukur. Shkoni shikoni se ku jetojnë.

Mjafton të kursejë pak nga udhëtimet e tij të gjata që bën kryeministri ynë , nga tenderat abuzivë dhe paratë që u vidhni qytetarëve për ti ndihmuar këta banorë që  të jetojnë si njerëz.

Po, Varfëria është fenomen por fenomen e bëtë ju. Kërkon reforma. Ku janë reformat tuaja për uljen e saj. Deri më tani të gjitha reformat kanë qenë për rritjen e saj. Më e larta në këta vjet. Dhe, nuk është populiste të thuash se ju e keni bërë atë sot të skajshme, është vërtetësi, është konstatim nga mëngjesi në darkë, në çdo rrugë, në çdo biznes, në çdo derë, në çdo familje. Nuk është populiste të takosh këta njerëz nga afër dhe të njohësh fukrallëkun e tyre të thellë. Nuk është populiste të thuash se u keni prishur njerëzit shtëpitë dhe me arrogancë e dhunë I nxirri në rrugë duke u dhënë kompensime qesharake, është grabitje.

Populiste është të mburresh se po bën reforma, se ka rritje ekonomike kur gjithçka flet kundër, raportet kombëtare e ndërkombëtare, kur ke harruar ti prekësh njerëzit nga afër që të shikosh me sy vuajtjen e tyre. Kjo është populiste. Të jesh në hava e të thuash varfëri ska.

Nuk ka pamje më të shëmtuar se ajo që kemi parë këto ditë bizneseve dhe familjeve, mjerim mund të thuhet, borxhe pa fund.

A është kjo krenaria juaj? Një popull i trembur dhe i dhunuar por edhe një popull i zemëruar.

Erdhën për të më prerë dritat thotë dikush, ca ‘punonjës” që më shumë ngjanin si horra se sa si njerëz. –po i kam paguar mor i thashë, unë jam i rregullt. Shkova të takoj eprorin. Prit më tha duke bërtitur, nuk e shikon që po flas në teelefon?

Deputetët nuk i kemi parë kurrë. Na kanë harruar bashkë me atë të gjatin thonë, që për zgjedhje nuk janë dukur më.

E kam lënë shkollën përgjysëm thotë një i ri se nuk e përballoja dot nga taksat. I keni çuar dyfish. Në vend që të mbante dy me aq para një prind sot mund të mbajë vetëm një fëmijë në shkollë. Kë të zgjedhë e kë të lërë. I shqyet studentët. As librat nuk blejnë dot më nga taksat.

Në fakt ky kryeministër njihet që e do Shqipërinë analfabete. Ndryshe nuk ke si ti vërsulesh ashtu frikshëm dijes nëpër shkolla, universitete. Të denigrosh pa fund figurën e mësuesit dhe atë të pedagogut. Ankohen të rinjtë dhe fëmijët. Na i kanë mbushur shkollat me militantë partie. Kanë hequr mësuesit profesionistë dhe i kanë mbushur shkollat me militantë. Nuk na iket më në shkollë dhe ministrja e arsimit nuk di të shpjegojë se si pavarësisht se del fitues në testim mësuesi nuk punësohet dhe vendin e tij e zë një militant, nuk di të shpjegojë se përse korigjimet dhe përgjigjet herët e fundit të testimit të tyre nuk u bënë online, se përse duhet nr i identifikimit në tezë apo fletën e testimit?

Meqë jemi tek shkollat dua të sinjalizoj në fakt se është ndezur alarmi i kuq në atë se çka ndodh sot nëpër shkolla. Në kushtet e një varfërie ekstreme, në kushtet kur duhet të punojnë pa orar për pak përfitime për të siguruar jetesën, prindërit kanë gjithnjë e më pak kohë të merren me fëmijët e tyre, kemi braktisur fëmijët thonë, ikim në mëngjes e vijmë në darkë. As që e marrim vesh se ku shkon gjithë ditën dhe shkolla nuk është se po na ndihmon shumë pasi shumë prej mësuesve janë zëvendësuar bashkë me drejtorë, nuk janë profesionistë por militantë të pashkolluar.

Gjatë një vizite në qytetin e Cërrikut një nënë e moshuar vjen me të madhe, mallkon ministrinë e Shëndetësisë se po i vdes me ilaçe të skaduara –shkova në Greqi mi hodhën poshtë, ç’farë pini ju atje më thanë doktorët, nuk i pushonte zemërata aq shumë ia kishit plasur shpirtin asaj, dhe si asaj me qindra e mijëra shqiptarëve. Përveç ajrit nëpër spitale asgjë më tjetër nuk u keni falas pacientëve dhe familjarëve të tyre. Ke një këmbë të prerë, nuk e merr pensionin e invaliditetit. Je militant partie e merr pensionin e invaliditetit. Jë i varfër nuk e merr ndihmën ekonomike. Ke tenxhere në shtëpi, që edhe mund të ta kenë falur? Nuk e merr ndihmën ekonomike? Ke gomar në shtëpi? Nuk e merr ndihmën ekonomike? Se sa vlerë kanë gomerët ec e mere vesh, si duket do u jetë rritur çmimi kohët e fundit. Ke ndonjë pulë a zog në shtëpi nuk e merr ndihmën ekonomike, ke ajër në shtëpi nuk e merr ndihmën ekonomike? Po kush e merr dhe kur e merr?

Vaj me det për Shqipërinë, vaj me det për këtë popull.


Fjalimi  ne Kuvend e deputetes Arbjola Halimi, 14 Prill 2016