Fjala në Parlament e deputetit Eduard Halimi

Një gjë, për t’iu përgjigjur drejt dhe shkurt propagandës së kryeministrit në mëngjes, se medemek ne nuk qenkemi në tavolinën e reformës në drejtësi. Ja ku jemi pesë deputetë ne këtu, a jemi në tavolinën e reformës në drejtësi, zoti Majko, zonja Hysi, jemi apo jo? Janë këta që gjenden këtu. Jemi në tryezë prej ditës kur parafolësja pranoi ti dorëzohej Gjykatës Kushtetuese. Prej asaj dite, ne jemi në tryezën e reformës në drejtësi. E kemi braktisur ne? Pra ju lutem shumë, t’u themi shqiptarëve të vërtetën. A ishim ne para një jave zoti Majko, zonja Hysi, meqënëse z.Xhafa nuk është këtu se, që thamë ta votojmë sot draftin, përsa i përket reformës në drejtësi në pjesën e Byrosë së Hetimit, jo siç e donte kryeministri, por siç tha Venecia. I thamë para një jave, a dolëm e thamë? Nuk është sjellë akoma.

Kemi gati draftin, tha Rama, por nuk e votojnë. Eshtë gati drafti zoti Majko? Nuk është gati drafti. Pse? Sepse ekspertët ndërkombëtare me ekspertët tanë dhe me ekspertët tuaj, po e rishikojnë draftin që ta përputhin me Venecian. Dhe po ju them këtu, që ditën e parë që ekspertët ndërkombëtarë do sjellin draftin për Byronë kombëtare të  hetimit, për Prokurorinë Speciale, për kontrollin e gjithë gjyqtarëve për aspektet e korrupsionit, atë  ditë, të nesërmen,  grupi parlamnetar do të shkojë ta votojë. A e kemi thënë këtë në komision zoti Majko, zonja Hysi. E kemi thënë pra. Dhe e them prapë këtu, dhe kjo është përgjigje e drejtpërdrejtë. Atë ditë që do të vijnë ato amendamente kushtetuese që siç ramë dakort në komision do të shoqërohen bashkë me ligjet që kanë të bëjnë me Byronë Kombëtare të Hetimit, me Prokurorinë Speciale me kontrollin e gjithë gjyqtarëve,  ne do të vijmë ti votojmë që të nesërmen. A kemi thënë këtë para një jave? Dhe po ashtu,  a ramë dakort që nuk do të bënim retorikë jashtë? Por, meqënëse kryeministri mashtroi, jam i detyruar ta them këtë. Opozita është  aty dhe është gati menjëherë që nesër të votojë të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me byronë, por jo siç e donte Edi Rama, që në program e kishte në Ministrinë  e Brendshme,  por siç tha Venedia, të jetë tek Prokuroria Speciale.

Tani, dua të theksoj një gjë. Këtë javë ka një ngjarje e madhe. Eshtë një ngjarje që të paktën i madh e i vogël gjeti një ngushëllim. Eshtë arrestuar Mili, është arrestuar Mili. Doli kryeministri dhe bëri dhe atë që avokati i Milit nuk e bëri. Nuk e tha avokati i Milit që prokuroria kishte hezituar dhe kishte nxjerrë urdhër me vonesë, sepse për gjykatën kjo do të thotë që arrestimi është i paligjshëm, se shoqërimi është i paligjshëm. Nuk e tha, nuk arriti ta thonte dot avokati i Milit. E tha kryeministri këtu. Po në çdo vend normal, kryeministri, kur arrestohet kreu i një bande, se të gjithë ju e dini që Mili kreu i një bande ishte, për këtë dini dhe bini dakort të gjithë që kishte bandë, apo jo, del dhe e përshëndet organin e akuzës.

Por si nuk doli një herë kryeminsitri të falenderonte sot Prokurorinë. Çfarë janë ata? Edhe ata kanë nevojë për pak mbrojtje, kanë nevojë për pak kurajo. Si nuk doli të lavdëronte punën e prokurorisë? Ti dilte në krah grupit të prokurorëve. Por të vetmen gjë që bëri, sulmoi prokurorinë.  Sulmoi prokurorinë duke thënë prit se aty ka disa kleçka. Madje arriti deri atje sa tha që ka përgjime ilegale dhe se policia nuk bën përgjime ilegale. Pra, duke hedhur dyshime, supozoj unë, si njeri i të Drejtës, mbi ato prova që ekzistojnë aty për Milin e partisë.

Tani Mili i partisë dhe reforma në drejtësi bashkohen në  një pikë. Ky është një hap i rëndësishëm dhe nuk e kemi lancuar ne si opozitë, jua ka thënë ambasadori amerikan, u ka thënë prej gjashtë muajsh, arrestoni Milin e partisë dhe arrestimi i Milit të partisë në mënyrë të padiskutueshme është hapi i parë i reformës në drejtësi.


 

Fjala e deputetit të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, 21 prill 2016