Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me banorë të zonave Fan, Kthellë dhe Rubik. Banorët e kanë njohur zotin Basha me varfërinë e madhe që ka pushtuar këto zona, papunësia e lartë, pamundësia për të paguar energjinë ka bërë që shumë familje të jetojnë në errësirë. Banorët u ankuan për arrogancën e pushtetit. Sot, thane ata s’ke ku të ankohesh për një shqetësim, për mbifaturime apo nevojat për investime e mbështetje në bujqësi.
Basha: Këta që bërtasin shtet-shtet-shtet, shtetin e paskan për Emilianon, shtetin e paskan për Koço Kokëdhimën, shtetin e paskan për bijtë e tyre që të marrin tenderat e shqiptarëve, të marrin tenderat e OSHË-së, të marrin hekurudhën shqiptarëve, të veshin syze 60-mijë euro, aq saç është ndihma ekonomike në muaj për Mirditën. Ku qenka shteti? Shteti ku OSHË-ja vetëm në një vit ka abuzuar me fondet, me taksat, me tarifat që iu merr shqiptarëve 21 milionë dollarë. Shteti ku vitin e kaluar vetëm për karburant dhe për makinat e shtetit janë abuzuar 34 milionë dollarë. Imagjinoni se çfarë shifrash bëhet fjalë, sa për të ngrit pensionet e gjithë Shqipërisë.
Kryetari i Partisë Demokratike pa nga afër dhe qendrën ditore të ngritur nga motrat në Fan ku u shërbehej fëmijëve të zonës si dhe vizitoi familjet e Lekë Shtinja (Bajraktari). Familje nga e cila regjimi komunist ka pushkatuar rreth 20 burra dhe në familjen Benardin Bliu një i përndjekur, i larguar padrejtësisht nga puna. Ata i bënë të ditur zotit Basha se jo vetëm qeveria nuk po mban premtimin për të përndjekurit por po i përndjek e persekuton edhe sot duke i larguar nga puna e lënë në mes të rrugëve.
Në takimin me fermerët e zonës se Kthellës, zoti Basha ka shpalosur platformën për bujqësinë. 150 milionë euro në vit do të jetë buxheti tha zoti Basha, 100 prej të cilave do të përdoren për subvencione të drejtpërdrejta për fermerët.
Banorë: I mori krejt paret e dritave Edi Rama një kabinë s’mund e bleu, një kabinë elektrike me dy bombina.
Banorë: Jemi duke ble farna të pakontrollume. Absolutisht mbjell misër të dalin boca.
Basha: 50 milionë euro në vit do të shkojnë vetëm për infrastrukturën bujqësore, për vaditje, për kanalizim, për kullim. 100 milionë euro në vit, vitin e parë do të shkojnë drejtpërdrejtë për subvencionim e fermerëve.
Në Rubik zoti Basha u ndesh me shqetësimin e qytetarëve për ilaçet e skaduara dhe burgosjen për një kasolle të ndërtuar për bagëtinë.
Banore: Marr 90 mijë lekë ilaçe në muaj. Na japin ilaçet e shtrenjta, as s’pyet as për të sëmurin, as për të shëndoshin. Ilaçet kam frikë se mos ilaçet janë të skadume. Pijë gjithë ato ilaçe edhe tensioni nuk ik.
Banorë: Për një kasolle që më bëri djali të thiut, se largova thiun edhe lopën ma larg, ma futën në burg dy ditë e dy net.
Ndërsa ka shprehur shqetësimin për situatën e rendit ku biznesi kërcënohet me armë nga banditë të lidhur me ministrin e Brendshëm, zoti Basha tha se zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Basha: Si mund të hapen vende pune kur biznesi i cili kërkon kushte të favorshëm për të investuar i rritet me 50 përqind taksa apo kërcënohet nga banditët, nga shullazët me gjoba, me tritol?! Si mund të hapen vende pune kur krimi dhe njeriu që është ngarkuar me Kushtetutë të luftojë krimin janë bërë një e nuk dallohet ku mbaron krimi e ku fillon ministri i Brendshëm.
Zgjedhjet e ardhshme do të jenë nën mbikëqyrjen më të rreptë ndërkombëtare që prej vitit 1991 sepse bota e ka kuptuar se çfarë oligarkësh janë këta dhe se shpresën e fundit e kanë për të vjedhë zgjedhjet. Ndaj së bashku me partnerët tanë do të marrim të gjitha masat që të mos i prekin zgjedhjet.
Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 24 Prill 2016