Statusi i gruas në Shqipëri është dobësuar në mënyrë dramatike, pasi ato po vuajnë varfërinë e thelluar, largimet e padrejta nga puna, eksodin masiv.
Ky raportim u bë nga Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, deputetja Albana Vokshi në Konferencën e zhvillur në Pragë me temë: “Gratë çelësi i integrimit”, ku merrnin pjesë Presidentja e Forumit të Gruas në Partitë Popullore Europiane Doris Pack, deputete të Parlamentit Europian, deputete dhe politikane të vendeve të rajonit dhe BE, studente, organizata jo-qeveritare, etj.
Deputetja Vokshi tha se politikat e anti-sociale të ndjekura në Tiranë në këto tre vitet e fundit, kanë kthyer pas reformat integruese, kanë thelluar varfërinë dhe kanë rritur me 50% papunësinë ndër gra dhe vajza. Në 2015, mbi 100 mijë shqiptarë ikën si refugjatë ekonomikë në Gjermani dhe mbi 200 mijë të tjerë aplikuan për llotarinë amerikane, tha Vokshi. Duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore, deputetja Vokshi deklaroi se rreth 47% e popullësisë në Shqipëri jeton me më pak se 5 dollarë në ditë, borxhi publik është rritur në 73.3% dhe shqiptarët paguhen 10% më pak se tre vite më parë. Duke folur për statusin e gruas në Shqipëri, Vokshi deklaroi se propaganda e numrave në qeverinë Rama me gra ministre është fasada e përkeqësimit të të drejtave ekonomike, sociale dhe politike të grave dhe vajzave. Spastrimet politike të grave dhe vajzave në administratë dhe kërcënimet e kandidateve gra për të lënë mandatet në Parlament për banditët e kryeministrit Rama, janë faktet publike të shtypjes së të drejtave të grave.
Në Konferencën e Pragës, deputetet e Parlamentit Europian dhe përfaqësueset e parlamenteve të vendeve kandidate në BE diskutuan edhe për planin e mbështetjes së refugjatëve të luftës. Deputetja e Parlamentit të Shqipërisë, Albana Vokshi deklaroi se qeveria e Shqipërisë duhet të angazhohet me urgjencë në një plan strehimi për refugjatët nga Siria, si një bashkërendim i aksioneve humanitare të të gjitha vendeve të Bashkimit Europian. Shqiptarët, tha deputetja Vokshi, nuk kanë harruar mikpritjen e vendeve europiane gjatë eksodit të 90-tës, ku mbi 1 milionë bashkëkombas u larguan nga Shqipëria pas rënies së regjimit më të egër diktatorial në Evropë.
Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 11 Prill 2016