Për 3 muaj, nga janari e deri në fund të marsit, Vilma e Edi Ramës ka marrë 410 milionë lekë nga qeveria për të siguruar ilaçet në spitale.

Vilma, mikja dhe donatorja e Edi Ramës, paratë i merr menjëherë, me negociim pa shpallje, pa garë. Në 59 raste, me 59 kontrata. Nga QSUT e në çdo spital të Shqipërisë.

Ja ku janë dokumentat që tregojnë se si TRIMED  e Vilma Nushit e ka emrin në çdo rast, në çdo blerje.

Problemi është se ilace nuk ka.

Shëndetësia është rrënuar në çdo drejtim, ka mungesa të çdo lloji, por shqetësimi më i madh i qytetarëve, i pacientëve dhe familjarëve të tyre është se në spitale nuk ka ilaçe. Dhe ilaçet ata i blejnë vetë.

Ku shkojnë paratë që mikja, që donatorja e Edi Ramës i merr për të siguruar medikamentet, por medikamente nuk ka?

Ky sigurisht nuk është shqetësimi i qeverisë, i Edi Ramës dhe Ilir Beqës.

Ata kanë tjetër prioritet.

Prioriteti i tyre është për të siguruar paratë për Vilmën. Në çdo drejtim. I dhanë 120 milionë euro me check-up-in, dhe ushtrojnë presion ndaj mjekëve që kontrolli të bëhet, letrat të mbushen, që Vilma të marrë paratë. Cilësia e analizave është skandaloze e provuar tashmë publikisht. Përfituesit janë Rama-Beqa-Vilma me qindra milionë eurot që kanë ndarë, qytetarët nuk përfitojnë asgjë.

410 milionë lekë merr sërish vilma për ilaçet në vetëm tre muaj. Përfitues sërish Rama-Beqa-Vilma, se ilaçe nuk ka, qytetarët nuk përfitojnë asgjë.

Kjo është shëndetësia falas e Edi Ramës. Qytetarët pa ilaçe e pa shërbim, Rama-Beqa-Vilma, ndajnë miliona euro.

Ky është korrupsioni që po e provojnë në lëkurë çdo ditë shqiptarët, që përmendet tashmë në çdo raport ndërkombëtar, nga Berlini në Uashington.


Deklarata per mediat e zedheneses Ina Zhupa, 15 Prill 2016