Premisa për shtimin e abuzimeve në vitin 2016 

Siç paralajmëroi dje kryetari Basha, do të nisim me detajimin e aferave korruptive të qeverisë. Qytetarët do të shohin qartë se cfarë ka bërë Edi Rama në këto 3 vite me taksat e pasuritë e tyre.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon përmasat e rrezikshme të korrupsionit dhe grabitjes qeveritare të denoncuara vazhdimisht nga Partia Demokratike.

Vitet 2014 dhe 2015 do të mbahen mend si vitet e abuzimeve dhe grabitjes më të madhe qeveritare. Në këto 2 vite, 2.2 miliardë Euro kanë shkuar nga arka e shtetit në xhepat e Ramës dhe njerëzve afër tij si edhe për kriminelët që e sollën dhe po e mbajnë në këmbë këtë qeveri.

Në vitin 2014 vjedhjet dhe abuzimet ishin 892 milion dollarë nga të cilat 120 milion favore dhe vjedhje të të ardhurave të buxhetit, 560 milion vjedhje në tendera dhe pasuri publike, dhe 212 milion dollarë nga favoret dhe abuzimet e kompanive publike ku abuzimet më të mëdha, mbi 130 milion dollarë, janë bërë në Albetrol.

Në vitin 2015 abuzimet janë thelluar dhe vjedhjet në të ardhurat, prokurimet dhe shpenzimet e tjera publike arrijnë 1.03 miliardë dollarë dhe abuzimet në sektorët e tjerë publikë arrijnë në 290 milion dollarë.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se rritja e vjedhjeve dhe abuzimeve me paratë e qytetarëve po bëhet e frikshme. Vjedhjet dhe abuzimet në vitin 2015 ishin 8.5 herë më të larta se në vitin 2013, por 79 herë më të larta se në vitin 2010. Në këtë vit, ka një peshë të madhe afera e Qeverisë me CEZ, por edhe po të zbresim efektin e kësaj afere vjedhjet dhe abuzimet janë përkatësisht 4 dhe 37 herë më të larta se ne 2013.

Vjedhjet dhe abuzimet më të mëdha janë bërë në tatime, dogana, prokurime dhe pronën publike. Në vitin 2015 ato janë rritur kundrejt vitit 2013 përkatësisht në tatime 100 herë, në dogana 11 herë, në prokurime 7.4 herë dhe në pronën publike 7.5 herë.

Shifrat e mësipërme nuk përfshijnë gropën fiskale nga morealizimi i të ardhurave që në 2 vjet është mbi 400 milion dollarë apo marrja e 1.32 miliardë dolarë borxh për palma, shkurre dhe shpenzime luksi. Këtu nuk janë as 88 milionë dollarët e vjedhura nga miqtë personal të Ramës në tendera apo 91.6 milionë dollarët e tjerë që janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi dhe bileta avionësh.

Këto janë faktet, këto janë abuzimet e kryeministrit më të korruptuar në Ballkan. Ai e ka kthyer arkën e shteti në arkë personale. Por prisni se nuk keni parë asgjë akoma. Në vitin 2016 pritet që vjedhjet dhe shpërdorimet e parave publike të rriten. Investimet publike do të jenë në nivelin më të ulët që nga viti 1997, vetem 4% të PBB. Përveçse të ulura, vetëm 27 miliardë lekë, ose më pak se gjysma e tyre do të shkojnë për punime civile si rrugë, ujësjellësa, shkolla dhe spitale. Investimet për rrugë dhe ujësjellësa përgjysmohen nga 35.5 miliardë lekë, në 19.8 miliardë lekë. Për tu vjedhur me kollaj dhë kënaqur sa më shumë vjedhës, investimet janë copetuar në 1300 projekte dhe prej tyre 45 projekte ose 60 milion dollarë janë për rikonstruksione të zyrave të qeverisë. Paratë e rrugës së Elbasanit, koridorit të Jugut, rrugës së Pogradecit, rrugës së Arberit, rrugës Qukës- Qafe-Plloce dhe projekteve të tjera të rëndësishme janë në xhepat e Ramës dhe të kriminelëve rrotull tij.

Kështu zhvillimi i Shqipërisë mbetet peng i Ramës dhe klikës së tij. Çlirimi i Shqipërisë nga duart e Ramës është emergjencë kombëtare.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike Sherefedin Shehu, 27 prill 2016