Parashtrimi i plotë i fakteve dhe argumentave nga z.Spaho, kryetar i komisionit hetimor parlamentar.
Me ligjin nr. 114/2014, datë 31/07/2014 është miratuar marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim të marrdhenies ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”. Opozita parlamentare e kundërshtoi arritjen e kësaj marrëveshje, bazuar në faktet e disponura prej saj, se shtetit shqiptar po i shkaktohej një dëm i rëndë financiar dhe se po cenohej interesi publik. Qeveria Shqiptare, në kushtet e mungesës totale të transparencës, nëpërmjet deformimit të fakteve dhe rrethanave të cështjes, arriti t’i imponohej deputetëve të mazhorancës, të cilët miratuan marreveshjen në seancën plenare të datës 31/07/2014.
Nga rezultatet e një auditimi të kryer nga KLSh, institucion i pavarur kushtetues, rezulton se shtetit shqiptar, nga realizimi i kësaj marrëveshje, i është shkaktuar një dëm ekonomik që arrin në vlerën 479 milion euro, dhe më konkretisht: (i) vlera 95 milionë euro – pagesa e dakordësuar në Marrëveshje; (ii) vlera 352 milionë euro – detyrime financiare të prapambetura, rrjedhojë e keqmenaxhimit 2009-2012; dhe (iii) vlera 32 milionë euro – zhvlerësimi në zero i vlerës se 24% te aksioneve te Shtetit).
Ne kemi të gjitha dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova dhe fakte, se vlera e dëmit ekonomik që i është shkaktuar shtetit shqiptar, është më e lartë se dëmi i konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ne vlerësojmë se është detyrë e Kuvendit të Shqipërisë, që të kryerjë një kontroll të plotë parlamentar, për të evidentuar nëse gjatë procedurave të arritjes së kësaj marrëveshje, është cenuar interesi i shtetit shqiptar dhe nëse grupi negociator ka respektuar legjislacionin në fuqi dhe është udhëhequr nga interesi publik.
Me Ligjin nr. 10116, datë 23.04.2009 “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të OSSH sh.a., ndërmjet METE dhe CEZ a.s.” kjo shoqëri ka blerë 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) duke u bërë kështu operatori më i rëndësishëm i shpërndarjes dhe furnizimit publik, me pakicë të energjisë elektrike.
Mirëpo CEZ a.s. nuk zbatoi kushtet e kontratës së nënshkruar me shtetin shqiptar, duke shkaktuar dëme të pariparueshme sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Në Tetor të vitit 2012, Banka Botërore këshilloi shtetin shqiptar të ndërmerrte masa për heqjen e licensës së CEZ a.s dhe orientoi Qeverinë të kontaktonte dhe të thërriste në garë disa kompani ligjore të specializuara në fushën e arbitrazhit të investimeve. Për këtë arsye, më 5 Nentor 2012 nga Ministria e Drejtësisë u shpallën fituesi të një gare ndërkombëtare dy firmat ligjore “Derains” dhe “Gharavi & Lazareff”.
Në Nëntor 2012, pas dështimit të negociatave me CEZ a.s., studio ligjore ndërkombëtare keshilluan Qeverinë Shqiptare t’i hiqte licencën “CEZ Shpërndarje sh.a.” dhe në vijim të angazhohej fuqishëm për ngritjen e padive në arbitrazh ndërkombëtar referuar Marrëveshjes së privatizimit. Konkretisht, CEZ a.s duhet të mbante përgjegjësi për:
- a) Dëme të rrjedhura nga mosrealizimi i masës së investimeve të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve të CEZ a.s. sipas kontratës për shitblerjen e kuotave dhe abuzimi me pasuritë e CEZ Shpërndarje të vlerësuara përafërsisht në masën 700 milion Euro;
- b) Dëme të rrjedhura nga shkëputja e pajustifikuar e energjisë elektrike më 16 nëntor 2012 dhe në raste të tjera;
- c) Likujdimi i faturave ndaj KESH dhe OST në masën e rreth 300 milion Euro.
Në përfundim të procesit të auditimit dhe vlerësimit ligjor e financiar, pas konstatimit te gjendjes kritike, CEZ shperndarje vetëdeklaron se ka dështuar në realizimin e objektivave të përcaktuara në Deklaratën Rregullatore. Enti Rregullator i Energjisë (ERE) me Vendimin nr. 4 dhe nr. 5 datë 21.1.2013, ka mbajtur qendrimin se shoqëria CEZ Shpërndarje sh.a. është në shkelje të kushteve të licensave RPS dhe DSO, për këtë shkak, ka vendosur heqjen e licencave të mësipërme dhe kalimin e shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a, në administrim të përkohshëm.
Më 5 mars 2013 CEZ kërkoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim. Më 15.05.2013 shoqëria CEZ a.s, Pragë, pas heqjes së liçencave dhe vendosjes së shoqërisë nën administrim të përkohshëm, paditi e para Republikën e Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit UNCITRAL, duke ngritur një sërë pretendimesh ligjore dhe financiare.
Më 19 Prill 2013 studio ligjore ndërkombëtare, i ka paraqitur me shkrim autoriteteve shqiptare, avantazhet dhe disavantazhet e zgjidhjes me ndërmjetësim, duke vlerësuar se në kushtet kur ende nuk janë mbledhur provat, nuk mund të vijohet me vlerësimin e plotë ekonomik dhe juridik të situatës, për të evidentuar mundësitë e zgjidhjes me ndërmjetësim.
Më 28 Gusht 2013 është nënshkruar kontrata me firmat BDO dhe më pas me Becker Buttner Held që do të përfundonte në 8 javë Vlerësimin Teknik të Cez sh.a. Më 30 shtator 2013 av. Hamid Gharavi shpreh shqetësimin e madh për cënimin e interesave ekonomikë të Republikës së Shqipërisë dhe kerkon nderrmarjen e disa masave.
Mirëpo, procesi ndryshojë në mënyrë të papritur, për shkak se me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 969 datë 25.10.2013 është vendosur të ngrihet Grupi i Punës dhe fillimi i procedurave të negociatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ a.s. Grupi negociator kryesohej nga Z. Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë.
Në Shkurt 2014 janë përgatitur Raportet e ekspertëve (Vlerësimet teknike, financiare dhe vlerësimi i Claims kundër CEZ a.s. dhe nga CEZ a.s.), por rezultatet janë mbajtur të fshehura nga Qeveria dhe Raportet nuk janë zhvilluar më tej sipas porosive të lëna nga ekspertë në mënyrë që të finalizoheshin referuar termave të Kontratës me ta. Dy raportet e vlerësimit teknik dhe financiar, të cilat ishin vënë në dispozicion të Qeverisë që në 10 Shkurt 2014, parashikonin shprehimisht se:
(I) CEZ a.s. nuk investoi në kompaninë e shpërndarjes referuar marrëveshjes (fq. 67-74 Vleresimi i Padive BDO);
(II) kompania u shkatërrua me qëllim nga CEZ a.s., e cila kishte një vit që përgatitej të largohej (67-74, 80-85 Raportit BDO);
(III) paratë e marra me kredi nuk ishin përdorur për të bërë investimet e kërkuara (po aty);
(IV) CEZ kishte dështuar për të reduktuar borxhin e keq referuar SPA ( fq75-79 BDO);
(V) pjesa takuese e shtetit shqiptar 24 % kishte shkuar në zero (80-100 BDO);
(VI) e gjithe vlera e kompanisë kishte shkuar në zero (80-100 BDO);
(VII) paratë e mbledhura nuk ishin investuar por në kundërshtim me ligjin ishin transferuar në parajsat fiskale nga kompanitë fantazëm të kontraktuara nga CEZ (fq.92-97 i raportit BDO);
(VIII) CEZ a.s. kishte dështuar të investonte, të ulte humbjen në rrjet dhe të ulte borxhin e keq, i cili rezultonte i rritur nga 8 milion ne vitin 2007 në 53 milion në Janar të vitit 2013;
(IX) CEZ shpërndarje në kundërshtim me ligjin kishte transferuar para tek CEZ a.s. në mënyrë preferenciale karshi kreditorëve të tjerë (fq.100 BDO);
(X) heqja e licensës nga ERE ishte mëse e drejtë;
(XI) faturat e papaguara nga CEZ ndaj KESH dhe OST 3,6 Miliard lek (fq. 102-106 i BDO);
(XII) paditë e paraqitura nga CEZ a.s. janë të mbivendosura dhe nuk janë të llogaritura drejt (fq.132 BDO);
(XIII) paditë në lidhje me taksat të cilat janë humbur në gjykatat e brendshme në 3,9 miliard Lekë (fq.125 i BDO).
Pas zhvillimit të një sërë takimeve negociuese për rreth 6 muaj, në zyrat e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Grupi i Punës, me Vendimin nr. 2, datë 19.06.2014, ka miratuar marrëveshjen e arritur me CEZ a.s. Procedura e negocimit ka përfunduar me nënshkrimin e Marrëveshjes me mirëkuptim nga Grupi i Punës më datë 23.06.2014, përcjelljen në Këshillin e Ministrave dhe miratimin e saj me Ligjin nr. 114/2014 datë 31.07.2014.
Pra, pavarësisht se detyrimi që kompania CEZ a.s. i kishte shtetit shqiptar vlerësohet mbi 1 bilion Euro (500 milion USD CEZ a.s. i detyrohet vetëm KESH dhe OST), Qeveria “zgjidhi” me mirëkuptim mosmarrëveshjen, duke i falur të gjitha detyrimet dhe duke i paguar CEZ a.s. 95 milion Euro.
Detyrimet e marra përsipër nga shteti shqiptar, nuk përputhen me realitetin dhe janë të pambështetura në ligj dhe prova. Shteti shqiptar ka marrë përsipër pagesën prej 36.9 milionë eurosh që përfaqëson vlerën e kredisë së disbursuar nga Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim dhe IFC-ja mbi bazën e kontratave të lidhura nga CEZ Shpërndarje sh.a. Në vlerësimin e ekspertit të BDO LLP qartësisht provohet që huaja nuk eshte perdorur për investime. Kjo nënkupton që shteti shqiptar ka njohur një kredi e cila nuk është përdorur për të realizuar investimet për të cilën ishte kërkuar.
Nga ana tjetër, merret përsipër të paguhet shuma prej 17.4 milionë eurosh që përfaqëson vlerën e kredisë së disbursuar nga disa marrëveshje Overdraft me banka të nivelit të dytë në Shqipëri.
Gjithashtu, shuma prej 25.1 milionë eurosh që përfaqëson detyrimet e CEZ Shpërndarje sh.a ndaj shoqërisë CEZ a.s, Pragë, dhe CEZ Trade Albania, për energjinë elektrike të lëvruar nga këto të fundit për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, nuk rezulton që të jenë vlerësuar dhe verifikuar nga Grupi i Punës. Konstatohet lehtësisht se detyrimi për energjinë elektrike të blerë nga CEZ a.s dhe CEZ Trade sipas pasqyrave financiare të vetë shoqërisë është shumë më e ulët se detyrimi i marrë përsipër. Ndërkohë që rezulton e provuar se shteti shqiptar ka njohur detyrime për mallra dhe shërbime të cilat nuk kaluan tek CEZ Shpërndarja sh.a., në shumën 6.1 milionë eurosh, shumë që përfaqëson detyrimet që CEZ Shpërndarje i ka pasur shoqërisë CEZ Albania.
Asnjë avokat apo ekspert ndërkombëtar nuk rezulton ta ketë konsultuar Qeverinë shqiptare për të zgjidhur në këtë formë mosmarrëveshjen me CEZ a.s., përvec konsulentëve privatë të Kryeministrit dhe avokatëve të shtetit dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët kanë patur klientë CEZ a.s. apo kanë qenë të punësuar nga CEZ a.s.!
Për të gjitha faktet mësipër, rezulton që nga nënshkrimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014 është e nevojshme të realizohet një kontroll parlamentar, me qëllim evidentimin e pëgjegjësive administrative dhe gjetjen e zgjidhjeve më të mira në mbrojtjen e interesit publik dhe shmangien e këtyre pasojave negative për të ardhmen.
Komisioni Hetimor eshte ngritur me:
Qëllim – Kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjes së interesave financiar të shtetit shqiptar, si dhe procedurave dhe rrethanave të nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014.
Objekti dhe cështjet që do të hetohen – 1) Kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe mbrotjes së interesit publik, gjatë negocimit të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”; 2) Njohja dhe verifikimi e pasojave financiare që ka sjell marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, si dhe identifikimin e përgjegjësive nga organet apo personave zyrtar përkatës, me synimin për frenimin me mjete ligjore të shfaqjes së tij në të ardhmen; 3) Njohja me dokumentacionin e plotë ligjor e financiar që ka përdorur grupi i punës gjatë negocimit të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 6 maj 2016