“Kryetari i Bashkisë së Tiranës refuzon të plotësojë një detyrim të qartë ligjor sikundër është Neni 51, pika 3 e Ligjit për Qeverisjen Vendore, informimin e këshilltarëve në çdo kohë dhe për gjithçka. Të ndodhur përpara kësaj mungese totale transparence, si një nga pikat më të rëndësishme të funksionit të këshilltarit, që të informohet dhe të kontrollojë punën e Bashkisë, jemi detyruar ti drejtohemi gjykatës. Ne kemi paditur z.Veliaj, sepse ligji përcakton që është kryetari i Bashkisë i cili informon anëtarët e Këshillit Bashkiak. Kemi kërkuar informacion për mbarëvajtjen e Bashkisë, shumë të thjeshta, janë kërkesa për pushimet nga puna dhe marrjen e personave të ndryshëm, informacion në lidhje me ristrukturimin dhe arsyet përse e ka bërë Bashkia këtë. Tenderat që ka zhvilluar kjo Bashki. Mostransparenca fsheh afera korruptive, sepse nuk ka asnjë arsye tjetër për të mos respektuar ligjin. E kemi parë këto ditë z.Veliaj në një shfaqje të paprecedentë, si një jakobin i Shekullit të XXI, që të sulmojë, rrethojë dhe të tentojë të intimidojë institucionet e pavarura të drejtësisë. Nga ana tjetër, jo më larg se dje nga një studio televizive, me një zhargon që nuk i takon kryeqytetasit të Tiranës, ka sulmuar sërish institucionin e Presidentit të Republikës. Për ne, është e qartë ai tashmë është shndërruar në një kamikaz të Edi Ramës. Tentativa e tij për intimidimin dhe krijimin e këtij rasti të paprecedentë ka një prapavijë, është një prapavijë politike. Kërcënimi i hapur, që bëri se ai do të përndjekë çdo gjyqtar, apo çdo punonjës të institucioneve të tjera shtetërore, të cilët dalin kundër dëshirave apo tekave dhe trilleve të tij personale, është shenja më e mirë që kemi të bëjmë me një element antishtet, antiligj, antisistem. Ai po përpiqet të intimidojë sistemin e drejtësisë për të mbuluar skandalet që pasojnë njëri-tjetrin dhe aferat e tij korruptive. E ka të kotë. Do të përgjigjet deri më një përpara drejtësisë për të gjitha shkeljet. Si për tenderat, ashtu edhe për veprat e tjera të shpërdorimit të detyrës duke filluar që nga Liqeni, konçensionet dhe të gjitha të tjerat”.
Prononcim për mediat i kreut të Këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, 18 maj 2016