Ndryshimet në marrëveshjen e koncesionit, ndërmjet qeverisë  shqiptare dhe shoqërisë koncesionare “tirana airport partners”  të paraqitura para parlamentit  për ratifikim, vijnë në një kohë kur  qytetarët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë biletat e udhëtimeve me avion krahasuar me çdo vend tjetër të rajonit, e madje krahasuar edhe me pjesën më të madhe të vendeve të kontinentit. Prandaj pritshmëria se me këtë rimodelim të kontratës me kompaninë koncesionare, qeveria do të sillte një zgjidhje në favor të shqiptarëve ka qenë e madhe. Aq më tepër që, prej kohësh, përfaqsues të qeverisë kanë deklaruar për një zhvillim të sukseshëm negociatash dhe marrëveshja e re  mes qeverisë  shqiptare dhe Tirana Internacional Airport po propagandohej  si një kontratë që gjoja do të ulë çmimet e biletave për shqiptarët. Por, nga draft marrëveshja e sjellë sot për tu ratifikuar, nuk ka asgjë nga ajo që pritej.  Kjo kontratë e re nuk do të zgjidh aspak  këtë problem jo të vogël për gjithë ata shqiptarë, të cilët do të jenë të detyruar të paguajnë sërish më shtrenjtë se në gjithë vendet përreth.  Lejimi i hapjes së aeroportit të Kukësit dhe i atij të Vlorës për qëllime tregtare dhe të udhëtimit të pasagjerëve nuk mund të rezultojë si çelësi i hapjes së konkurenës dhe i uljes së çmimeve.

Prishja e monopolit të aeroportit të Rinasit, duke hapur atë të Kukësit është në rastin më të mirë miopi, por më shumë ma do mendja se kemi vetëm një mashtrim tipik të kësaj qeverie. Hapja e aeroportit të Kukësit nuk është zgjidhja, të paktën në këto kushte jo. Përfitimi është hipotetik, mbështetet  vetëm në supozimin që, po të hapen aeroporte të tjera, atëherë do të rritet konkurrenca dhe kjo mund të sjellë më pas edhe ulje të kostos së biletës.

Por me këtë infrastrukturë të papërshtatshme, nuk ka nevojë për ndonjë studim të madh për të kuptuar se në aeroportin e Kukësit nuk mund të ulen Cargot e kompanive që bëjnë udhëtimet me çmimet e lira. Gjatësia e pistës së aeroportit të Kukësit nuk arrin 2000 metra dhe sipas specialistëve të Aviacionit Civil, nuk lejohet të ulen avionë me më shumë se 100 vende. Pra, avionët me një numër më të madh pasagjerësh,  e sidomos ata me kapacitete 200 e më shumë vende pasagjerësh, pikërisht ata që bëjnë  të mundur edhe uljen e çmimit të biletës, e kanë të pamundur të ulen në aeroportin e Kukësit, gjë që e bën të vështirë shtimin e numrit të pasagjerëve që do të fluturojnë nga aeroporti i Kukësit. Kjo e zvogëlon, për të mos thënë e përjashton mundësinë që aeroporti i Kukësit të krijojë një konkurencë të tillë sa të detyrojë edhe kompanitë e fluturimeve në Rinas për të ulur çmimin e biletave të tyre.

Edhe kontrata e re nuk bëhet në interes të shqiptarëve, por vetëm në interes të koncesionarit të cilit, i zgjatet kontrata edhe dy vite të tjera. Propozimi i jep kompanisë koncesionare automatikisht dy vjet shtesë në kontratën fillestare 20 vjeçare, një ndryshim që mund të sjellë kosto shtesë për ekonominë shqiptare nga monopoli i fluturimeve ndërkombëtare, ndërkohë që përfitimet janë të pasigurta. Po të gjykojmë nga tabela e paraqitur në projekt-marrëveshjen shihet qartë se: minimalisht, shoqërisë koncesionare i janë falur dy vjet që kushtojnë nga 20 në 30 milionë euro. Kjo është shuma që humbet shteti shqiptar nga zgjatja e afatit. Por nëse do të vërtetohen rastet e tjera që kanë të bëjnë me aeroportet për qëllime tregtare, që përveç Kukësit është përfshirë edhe Vlora, atëherë afati është për çdo vit të mbetur 0.5 vjet. Pra, sipas kësaj kontrate të re, zgjatja kohore e shfrytëzimit të aeroportit të Rinasit nga koncesionari mund të shkojë deri në 4 vjet e gjysmë. Kështu që me një përllogaritje të thjeshtë, humbja ekonomike për shtetin shqiptar nga 30 milionë shkon në afro 70 milionë euro. Mjafton vetëm ky kalkulim shifrash për t’i vënë gishtin kokës dhe për të bërë pyetjen ”kujt po i shërben kjo marrëveshje” dhe përgjigjia është e thjeshtë: jo në favor të qytetarëve shqiptarë.

Në të vërtetë Aeroporti i Rinasit është rasti tipik i një kontrate koncesionare të negociuar nga një qeveri në dëm të interesave të vendit, dhënia e një monopoli, i cili  ka rënduar në mënyrë të panevojshme kostot në ekonominë dhe qytetarin shqiptar. Marreveshja  vjen në kohën kur Shqipëria rezulton në shumë sektorë më e shtrenjta në rajon dhe pa standarte konkurrueshmërie, pasi monopoli është në thelb të programit të kësaj qeverie.

Të gjithë e dimë dhe duam që; Shqipërisë si destinacion turistik po i bëhet e domosdoshme lejimi i një aeroporti të dytë, që do të shërbente si kundërbalancë që të lejonte kompanitë lowcost apo kompani të tjera  të hynin në konkurrencë me Rinasin. Por  a duhet të presim që të ndërtojmë një aeroport të ri për të filluar të fluturojmë me çmime më të lira, sepse dy aeroportet e përmendur më sipër e dini mirë që nuk mund të shërbejnë për këtë punë?

Relacioni shoqërues i propozimit nuk mbart vlerësimin ekonomik për humbjet apo përfitimet e mundshme që pritet të sjellë ky ndryshim. Kjo marrëveshje nuk merret me thelbin e  çështjes, shihet qartë se në asnjë pikë të saj nuk ka  asnjë negociatë për uljen e tarifave të shërbimit në aeroport,  që është  elementi më i konsiderueshëm i rritjes së kostos së biletës për qytetarin shqiptar që udhëton nga Rinasi.

 Po ashtu derë në momentin e sjelljes së kësaj marrëveshjeje në komisionin e veprimtarive prodhuese ka munguar një shpjegim publik ku të organizoheshin konferenca apo tryeza dhe me biznesin, pasi bëhet fjalë  për transportin ajror që është nyje kyçe.

Prandaj opozita ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër kësaj kontrate të re që nuk vjen aspak si një lehtësim për konsumatorët, por  vetëm si një abuzim tjetër në kurriz të shqiptarëve.

Në mbyllje, si deputete e Qarkut të Shkodrës dua t’i kthehem asaj çfarë ndodhi në qytetin e Shkodrës ditën e 9 Majit. Dita e Europës ka qenë një ditë shtetrrethimi për qytetarët shkodranë edhe pse qyteti i tyre ishte përzgjedhur për të kryer ceremoni në nderim të kësaj dite. Që në mëngjes garda dhe policia kanë ndaluar qarkullimin në krejt hapësirën e qendrës së Shkodrës, duke paralizuar jo vetëm punën e institucioneve shtetërore, por edhe të dhjetra bizneseve private të rrugëve 13 dhjetori, Kolë Idromeno, 28 nëntori, Teuta, Fushë Çelë, bulevardit Skënderbeu, dhe duke  mos lejuar kalimin e asnjë qytetari që nuk kishte ftesën nga komisioni i Rilindjes. Bllokimi i kësaj hapësire gjatë gjithë ditës për shkak të vizitës së kryeministrit Rama, besoj se është me të vërtetë një rast i pa precedent, pasi zona e cila ishte bllokuar është pjesa kryesore e zhvillimit të aktivitetit publik dhe privat, është realisht zemra e Shkodrës. Imagjinoni, të gjitha akset rrugore të qendrës të bllokuara nga dhjetra policë dhe gardistë, me dhe pa uniformë, duke penguar jo vetëm lëvizjen e automjeteve, por edhe të çdo këmbësori. Për ironi të fatit, me 9 maj, ditën  e Europës, ditën e lëvizjes së lirë, ditën që simbolizon edhe atë të idealeve të të drejtave dhe lirisë të njeriut,  qeveritarët shqiptarë dhe posaçërisht kryeministri Rama, boshatisi dhe nuk lejoi askënd të kalojë në qendrën e qytetit pothuaj për gjatë gjithë ditës. E ku (?), në  Shkodrën e qytetarisë dhe të lirisë.

Megjithatë, e tërë kjo shfaqje sa na rikujtoi edhe njëherë, edhe më mirë, sesa hipokritë jeni kur flisni për integrimin dhe idealet europiane, të cilat i keni vetëm fjalë. Jeni të pandryshueshëm, jeni po ato që protestuat kundër hyrjes në Nato, jeni po ata që bëtë çmos për të penguar heqjen e vizave, jeni bartës të vërtetë të mentalitetit komunist, bij të denjë të etërve tuaj komunistë që e izoluan këtë vend.

Disa thane qe ishte Protokoll?! Jo ai ishte Poshterim , poshterim qe i ben here pas here Shkoders. Per kete eshte deshmitar cdo qytetar i qytetit  te 1%shit.

Erdhe ne Shkoder jo si Kryeminister I poullit tend, po si nje pushtues qe ka frike nga hakmarrja e shtypjes qe I ben cdo dite popullit. Erdhe ne Shkoder per te bere disa “PHOTO of THE DAY” dhe per te prezantuar gjoja NJE NGA VEPRAT e MEDHAJA te RILINDJES. Qytetaret kur ju shohin neper media dhe neper dekoderat qe ju ke dhuruar ne vend te bukes, e besojne vertete VEPREN TENDE MADHORE, por nje shpjegim te vogel e kam detyrim moral  ta bej perrreth MARUBIT dhe atyre njerezve qe kane punuar per ta Rilindur ne te vertete.

Lucian Bedeni , eshte nje pasionant I suksesshem qe me grupin e tij kane punuar deri ne sakrifikim. Eshte Drejtor I Fototekes  Marubit qe ne Shkurt te vitit 2012 dhe merita e juaj e vetme eshte qe nuk e zevendsuat me ndonje militant kete profesionist, sic ka ndodhur me shume drejtori ne Shkoder dhe ne Shqiperi. Gjithashtu financimi per kete projekt eshte bere nga donatoret e huaj dhe Ambasada zvicerrane, ndersa ndertesa eshte blere nga Qeveria e Sali Berishes.

Po politika juaj e shemtuar patjeter qe do pjesen e saj ne te. Edhe ti si Enveri ne fotot e fundit te Marubit, shfaqesh i vetem ne tribun, dhe ne shtetrrethim na e sjell Bedenin si drejtor te rilindjes dhe Marubin si Veper  te Qeverise tuaj.  E rrethove qytetin, pikersisht ashtu sic rrethoje dikur aeroportin dhe kombetaren, per te pasur ekzkluzivitetin dhe per te dalluar i vetem, si “Fanar Ndricues ne mesin e Europes” . Me nje fjalim te parapergatitur, te lexuar me nje emocion te shtirur, ne fund cove flamurin e rilindjes edhe aty.

Por shqipetaret nuk harrojne qe veper e juaja ne keto tre vjet eshte vetem nje. Ajo eshte Propoganda,  qe edhe Gëbelsi vete te ishte gjalle,  do ju a kishte ziline. Kesaj qeverie pashallaresh e trafikantesh po i vjen fundi. Do vije koha kur dekoderat dhe propoganda nuk do e zevendesoje më buken e gojes dhe populli qe ju solli, do ju flake tej. Ate dite Shqiperia do te kete shprese perseri.


Fjalimi ne Kuvend i deputetes, Irma Kopliku, 12 Maj 2016