Opinioni publik pret zbardhjen e ngjarjes.
Çfarë po ndodh me pajisjen e përgjimit?
Ku gjendet ajo?
Pse qeveria nuk paraqet dot një dokument ku tregohet se paisja ka hyrë në territorin tonë në një datë të caktuar dhe është regjistruar?
A vazhdon të përgjojë Saimir Tahiri për interesat e tij?
Këto janë shqetësimet që ka sot opinioni publik në vend.
Edhe pse Partia Demokratike e denoncoi këtë krim shtetëror, dhe kërkoi përgjigje e transparencë, ende qeveria, Edi Rama, Saimir Tahiri nuk japin asnjë sqarim.
Edhe në komisionin e Sigurisë Kombëtare, në seancën dëgjimore, Tahiri vetëm sa e thelloi skandalin, duke u përpjekur tua hedhë përgjegjësinë vartësve të tij dhe doganierëve.
Sa më shumë ditë kalojnë aq më shumë thellohet kjo paligjshmëri, aq më shumë pasoja sjell ky krim shtetëror, kjo shkelje brutale e ligjit dhe e të drejtave themelore të qytetarëve.
Prokuroria është në një thirrje historike për të zbardhur sa më shpejt skandalin.
Sytë e mbarë opinionit publik janë drejtuar nga hetimi që ajo po kryen.
Për të vënë ligjin mbi përgjimin e paligjshëm.
Për të vënë përgjegjësit para drejtësisë.
Kjo çështje duhet zbardhur e plotë dhe publiku, qytetarët duhet të mësojnë se kush e solli paisjen, kush e përdori, për interesat e kujt u përdor, kush u përgjua dhe pse.
Siguria kombëtare dhe të drejtat themelore të njeriut nuk janë dhe nuk mund të jenë peng i Saimir Tahirit.
Por ai dhe vartësit e tij të kapur, e pengojnë hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarje kriminale.
Nuk mund të ketë drejtësi për këtë çështje e hetim të plotë e të pandikuar me Tahirin në detyrë.
Ndaj ai duhet të largohet që krimi të zbardhet, që e vërteta të dalë në shesh.
Deklaratë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 23 maj 2016