Pasi flet për Reformën për Drejtësi dhe teori, nuk guxon të përmendë asnjë sekondë as Balilin, as Shullazin as Frrokët, as Habilajt, as makinën AA 003 GB. A ka gjë më të turpshme sot në këtë ditë pasi është bërë publik një skandal madhor më shumë se kombëtare për ekzistencën e një pajisjeje përgjimi të futur në Republikën e Shqipërisë në mënyrë të paligjshme, të përdorur në Republikën e Shqipërisë në mënyrë të paligjshme dhe të fshehur, po në mënyrë të paligjshme, na  del këtu, në vend që të japë dorëheqje e të dalë para drejtësisë, del këtu dhe mundohet të na tregojë se këtu gjithçka na u zhvilloka në bazë të ligjit, se këtu fajin nuk e paska ky së bashku me kupolën e policisë që e ka kthyer në një kupolë kriminale por na e paska kreu i Shërbimit që i sinjalizuar nga partnerë, për ekzistencën e kësaj pajisjeje dhe për futjen e kësaj pajisjeje në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe futja e saj në këtë mënyrë të paligjshme dhe e paregjistruar gjëkundi, është rrezik serioz për sigurinë kombëtare.

Ekzistenca sot e kësaj pajisjeje në territorin e Republikës e Shqipërisë e pa-certifikuar, e paregjistruar e padokumentuar, pra ekzistenca ilegale vazhdon kësaj dite të jetë kërcënim i madh për lirinë dhe të drejtat e njeriut në Republikën e Shqipërisë. Ky është skandal madhor, ky është skandali më i madh në historinë e demokracisë së këtij vendi. Nuk ka bërë vaki, nuk ka ekzistuar në këtë vend ndonjë zyrtar shteti që të mendojë nga mëngjesi deri në darkë të tejkalojë ligji, të tejkalojë Kushtetutën dhe të sillet duke marrë rrogën si zyrtar të sillet si bandit. Është hera e parë që po ndodh. Pasi mori ky policinë nga Policia e Shtetit e shndërroi në një kupolë policie, në pronare parcelash të drogës të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë. Pasi e shndërroi  në policinë e Durim Bamit, pasi e shndërroi kupolën e  policisë në kupolë policie që menaxhohet nga Frrokaj, pasi e shndërroi kupolën e  policisë në një kupolë policie që menaxhohet dhe u shërbente Balilajve, pasi e shndërroi policinë nga një polici e shtetit në një kupolë  policie në shërbim të Shullazëve, pasi e mori kupolën e policisë së shtetit dhe e shndërroi në një kupolë   policie në shërbimin dhe mbrojtjen e Balilajve, erdhi dhe në skandalin e përmasave më shumë se kombëtare, në skandalin e përgjimeve të paligjshme

Çfarë rezultoi nga  kjo? Rezultoi se drejtori i policisë  ishte memec në seancën dëgjimore me deputetët e komisonit, ishte memec dhe mohonte ekzistencën e pajisjes, ishte live para të gjithë shqiptarëve . Erdhi ky që kërceu si karkalec dhe iku pastaj se nuk mund të përballej me të vërtetën dhe me pyetjet e deputetëve që kishin detyrë edhe përballë ligjit,  por edhe përballë qytetarëve për transparencën e kësaj çështjeje.

Një gjë rezultoi e vërtetë që, drejtori tha se kjo pajisje nuk ka punë me policinë, ka hyrë në Shqipëri për policinë dhe nuk ka pas lidhje me policinë. Ministri tha se ka qenë dhe  është kjo pajisje , por nuk përgjon megjithëse është përdorur për trajnime. Atëherë kur kjo pajisje more zotëri nuk qenka përdorur, Policia e Shtetit mos vallë është përdorur nga një polici private apo polici bandash siç e ka bërë ministri kupolën? Po, po e tha live ministri, e tha live dhe drejtori. Pra unë nuk kriminalizoj asgjë zoti Peza, por po të bëj me dije që këtu ke një kupolë policie të inkriminuar. A e inkriminoj unë Çipën apo është Çipa ushtar i Shullazit , a e inkriminoj unë drejtorin e policisë së Tiranës,  apo është ai ushtar i Shullazit , a e inkriminoj unë drejtorin e ndërhyrjes operacionale, apo është shërbëtor i denjë i Shullazit , a e inkriminoj unë Qebinin apo është ushtar i bindur i Shullazit ? Unë e kam inkriminuar apo Tirana dhe e gjithë Shqipëria e di që ky, Sajmir Tahiri, është ushtari më i bindur, ai që keni ju ministër të Brendshëm është ushtari më i bindur  Shullazit. A ka pra, inkriminim më të madh?

Tani bandat livadhisin, krimi livadhis, droga gjithandej. Atëherë për cfarë na erdhi kjo pajisje?

Vjen dhe sulmon Presidentin dhe kreun e shërbimit dhe ku duan të mbahen këta, përdorin si alibi një marrëveshje të firmosur nga ish-Ministri i Brendshëm i asaj kohe Bujar Nishani, sot President i Republikës.

Po a e keni lexuar marrëveshjen ju ? Ajo marrëveshje si të gjitha marëveshjet e tjera policore flet për trajnimet policore, për shkëmbim eksperiencash dhe përvojash. Asnjë gërmë nuk flet për shkëmbim apo futje pajisjesh përgjimi. Unë i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm se sot Drejtori i Policisë  duhet të arrestohet sepse ka mashtruar dhe ka gënjyer sepse ka thënë se nuk ka pajisje dhe pajisja është, ai ka thënë se nuk bëjmë as përgjime, as gjurmim  dhe sot Interforca në atë deklaratë pranoi se ajo është pajisje që përdoret për  gjurmim IMEI. Duhet të shkojë në burg për këtë. Edhe  Sajmiri ka shkelur ligjet dhe duhet të shkojnë në burg. Duhet t’i  hapet rrugë hetimit por këta të dy e pengojnë hetimin. Vetëm hetimi mund të zbardhë që  gjithçka të bëhet transparente edhe për ne edhe për ligjijn edhe për qytetarët e këtij vendi.

Tha zotëria e tij që kjo pajisje na qenka për gjurmim IMEI. Po kolegë të mazhorancës, a e kemi kundërshtuar ne një ligj këtu dhe e kemi rrëzuar në këtë parlament i cili kërkonte që të merrte nga burimet e policisë IMEI të celularëve, ta rrëzoi dhe Gjykata Kushtetuese. A qenka pra marrja e IMEI-t të celularëve nga kjo pajisje antikushtetuese, antiligjore. Vetëm për këtë Drejtori i Policisë dhe ky ministër duhet të shkojë në burg sepse Gjykata e ka shpallur antikushtetuese dhe ky parlament e ka shpallur të paligjshëm këtë projektligj që donte të merrte këto të dhëna.


Fjala në Parlament e deputetit të PD, Flamur Noka, 19 maj 2016