PD i ka dërguar letër Ramës ku i kërkon fotografimin e territorit me avione italiane. Asnjë masë, asnjë përgjigje.
Nisur nga kanabizimi i Shqipërisë, prej më shumë se dy javësh, në cilësinë e zv-kryetarit të komsionit parlamentar të sigurisë, i kam dërguar një letër zyrtare Edi Ramës, ku i kërkoj monitorimin urgjent të territorit nga ajri, përmes avioneve italianë, dhe publikimin e këtyre pamjeve.
Shqetësimi jonë vjen nga informacioni se mbjellja e drogës është pesëfishuar madje për herë të parë janë hapur toka të reja për kanabisin.
Nuk ka pasur asnjë përgjigje, asnjë masë të marrë në këtë drejtim.
Nuk ka përgjigje, sepse droga është tashmë zyrtarisht një biznes qeveritar.
Fakti me i freskët se, me 24 prill, dhjetra kamionë të ngarkuar me pleh organik për drogën e habilajve jo vetëm nuk u ndaluan nga policia por me urdhër nga lart, u shoqëruan deri në destinacion, tregon se kanabisi jo vetëm ka pushtuar vendin por që rrënjët i ka në zyrën e Tahirit dhe Ramës.
Nuk ka asnjë dyshim se ky biznes kriminal drejtohet nga Edi Rama dhe Tahiri. Të gjitha faktet, dhe kanabizimi i përditshëm e tregojnë këtë.
Eshtë kjo arsyeja pse Shqipëria u rendit në vendin e parë si prodhuesi më i madh i drogës në Europë, në raportin e Bashkimit Europian.
Eshtë kjo arsyeja pse çdo kodër e vendit, nga Veriu në Jug është mbjellur me drogë, biznes që kontrollohet nga grupe kriminale në bashkëpunim me drejtuesit e policise, të cilët kanë shkuar deri atje sa ruajnë dhe kujdesen vetë për parcelat me hashash. Shkëlqejnë në këtë angazhim, krerët e policisë në Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Edi Rama nxjerr në ekran disa bimë të kapura diku, në një përpjekje për të mashtruar shqiptarët e për të mbuluar të vërtetën që e dinë të gjithë. E vërteta është se pakti i trafikantëve me Tahirin është ky; bandat qeveritare japin 30 përqind të parave, në këmbim të garancisë për të mbjellur, korrur e transportuar drogën.
Eshtë kjo arsyeja pse z.Rama nuk i përgjigjet letrës zyrtare që Partia Demokratike i ka dërguar, ndërkohë që droga vazhdon të pushtojë vendin.
Nuk përgjigjet Edi Rama sepse droga është biznesi i tij.
Me drogën mban bandat e tij.
Me drogën shpreson të blejë votat nesër.
Partia Demokratike nuk do të lejojë fundosjen e vendit në këtë projekt droge e krimi.
Bashkë me qytetarët dhe me partnerët ndërkombëtarë ne do ta ndalim, dhe do ta shkulim drogën bashkë me rrënjët e saj qeveritare.
Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka, 6 maj 2016