Përgjimi i paligjshëm që ka bërë Saimir Tahiri është prova më e fortë se shteti dhe ligji kanë rënë, se shteti dhe ligji janë zëvendësuar me një organizëm mafioz e me kodin e tyre të veprimit.
Kjo shkelje brutale e ligjit, e sigurisë kombëtare, e të drejtave themelore të njeriut tregon ndarjen e thellë të dy botëve në vendin tonë.
Të gjithë e kemi parë se si policia ndalon dhe përzë me dhunë nënën nga Shkodra që shet duhanin që ajo vetë ka mbjellë, sepse e konsideron informalitet, se si përfundoi në burg berberi që s’kishte kupon, apo si përndiqen e gjobiten tregtarët ambulantë, ndërkohë që Saimir Tahiri me lejen dhe dijeninë e plotë të Edi Ramës, kalon në doganë një pajisje përgjimi pa e regjistruar, pa e deklaruar, e përdor atë pajisje, përgjon kë dëshiron.
E gjitha kjo, jo vetëm pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm, por kur skandali zbulohet, ai nuk pranon hetimin, e pengon atë dhe nuk dorëzon përgjuesin e paligjshëm.
A mund të ketë informalitet më të madh se sa ky, që kryhet nga ministri i brendshëm, nga kryeministri.
Kjo shkelje e rëndë e ligjit, në fakt e kapërcen informalitetin, dhe hedh në erë bazat e një shteti, standardet më minimale.
Qeveria, Edi Rama, Saimir Tahiri, ende nuk përgjigjen, ku gjendet sot pajisja, kush e solli, nga u fut, pse nuk u regjistrua, kush e përdori, kush u përgjua dhe pse?
Ky është një shqetësim i madh publik, kulmi i paligjshmërisë, që ka autorë, ka përgjegjës, dhe prokuroria lypset me shpejtësi të bëjë drejtësi.
Partia Demokratike nuk e konsideron përgjimin e paligjshëm të krerëve të institucioneve, të politikanëve, të opozitës, të përfaqësuesve të medias, si një çështje të sajën.
Ky është një zhvillim tronditës që kërkon reagimin e qytetarëve, e shoqërisë civile, e universiteteve, të medias.
Një klan mafioz në pushtet si ky i Ramës këtë dëshiron, heshtjen, mos-reagimin.
Por ky zullum nuk mund të kapërdihet. Të gjithë duhet të bashkohemi e të ngremë zërin, që ky antishtet të ndalohet, që dhunime të tilla të Kushtetutës, të Sigurisë Kombëtare, të Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut të mos ndodhin më.
Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Luciano Boçi, 25 maj 2016