Partia Popullore Europiane dhe partitë simotra mbështesin Partinë Demokratike për platformën e saj elektorale dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Në Luksemburg për 40-vjetorin e PPE, me drejtuesit më të lartë të Bashkimit Europian, kryetarë shtetesh dhe qeverish të vendeve anëtare, rikthyem në vëmendje angazhimin e Partisë Popullore Europiane, për një Europë të fortë, transparente dhe efikase në shërbim të qytetarëve të saj.

Punësimi, stabiliteti ekonomik, konkurrenca, siguria dhe zhvillimi janë ato çka e djathta i ka ofruar Europës. Kjo është dhe arsyeja që PPE vazhdon të qëndrojë për 16 vjet me radhë si forca kryesore politike në Europë.

Partia Demokratike e Shqipërisë ndan të njëjtat vlera me partitë simotra anëtare të PPE-së dhe lufton çdo ditë që t’u ofrojë të njëjtat standarde edhe qytetarëve shqiptarë.

Mbështetje dhe ndihmë konkrete nga krerët e qeverive dhe partive simotra për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si kushti kryesore i avancimit të Shqipërisë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Mbështetje po kështu për programin e Partisë Demokratike dhe realizimin e tij nesër në qeverisjen e vendit. Duke vlerësuar propozimet tona si alternativën e duhur për të nxjerrë vendin nga kriza, krerët e politikës europiane u impenjuan për mbështetje konkrete në zbatimin e tij duke nisur nga mbështetja për programin e bujqësisë dhe arsimit e deri tek nxitja e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri, që do të përkthehet në punësim dhe përmirësim të standardit të jetesës për çdo shqiptar.​


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 31 maj 2016