Sekretari i Aksionit Qytetar, Salianji: Rama e zgjodhi Bardhin sepse mbi të rëndojnë krime të panumërta 

Qytetarë dhe demokratë janë bashkuar sot në një protestë në dyert e Bashkisë së Kurbinit, duke kërkuar largimin e kryetarit, si person i inkriminuar. Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, duke përmendur krimet për të cilat akuzohet dhe fshehjen e të dhënave që ka bërë Bardhi, u shpreh se është koha që banditët të lënë menjëherë zyrat dhe pushtetin.

“Pesë emra ka deklaruar kryetari i këtij institucioni që kemi pas, që është Bashkia e Kurbinit. Nuk i mjafton Edi Ramës që Artur Bardhi, apo Artur Ndoj, apo Gentian Lila, apo Altin Tanushi, apo Gent Bushi, njëri prej këtyre personave, i cili fizikisht është ky individ që drejton Bashkinë e Kurbinit të jetë person me precedent penal. Në vend që ta zhdukë, në vend që ta shporrë, në vend që ta çojë në burg dhe t’i tregojë vendin, Edi Rama e mban në krye të bashkisë të Kurbinit duke i dhënë mbrojtje politike”, tha Salianji.

Sekretari për Aksionin Qytetar e vuri theksin tek kriteret që ka përdorur Edi Rama për të përzgjedhur të inkriminuarit e për tu dhënë atyre pushtet.

“A dini të ketë ky zotëri dhe personat e inkriminuar ndonjë profesion? A e ka kandiduar për shkak se ka qenë mjek i spikatur, apo se ka qenë një mësues i spikatur, se ka qenë njeri me kontribut dhe me reputacion në qytet? Jo! E ka kandiduar vetëm si person me precedent të rrezikshëm kriminal, duke ngritur një strukturë dhe bandë kriminale brenda shtetit. Zotëria që është kryetar bashkie me njërin nga 5 emrat apo 2 të tjerët që ka fshehur, apo edhe drejtorët e bashkisë, apo edhe deputeti, kanë qënë të akuzuar në vitin 1997 për grabitje të armatosur të Bankës së Kurbinit. Po ashtu këta persona janë nën akuza të rënda për trafik prostitucioni, për trafik droge, për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike dhe vazhdojnë e qëndrojnë sot në krye të bashkisë dhe të bashkive të këtij vendi”, u shpreh Salianji.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 29 maj 2016