Edi Rama ka pranuar zyrtarisht një prej aferave të tij më të mëdha korruptive që është qendra e biznesit dhe kulla në stadiumin Qemal Stafa, duke mbajtur të fshehtë dokumentacionin që ne i kërkuam zyrtarisht.

Pas kërkesës  së dytë për informacion, Edi Rama solli ca letra, por nuk solli kopjen e kontratës partneritet publik privat, ku do të kuptohej pjesa që mban federata, dhe pjesa që mban privati, pra do të shihej sa është marrë parasysh interesi publik, interesi i qytetarëve.

Edi Rama mban të fshehtë kopjen e procesverbalit të mbledhjes së shoqërisë anonime, ku del qëndrimi që kanë mbajtur përfaqësuesit e shtetit.

Dhe mbi të gjitha, Rama mban të fshetë procedurën që është ndjekur për përzgjedhjen e firmës fituese.

Pikërisht në këto pika fshihet afera e Edi Ramës.

Ndërkohë, një investigim mediatik ka nxjerrë se e gjithë ndërtesa do të jetë 90 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimi, ku vetëm 12 mijë metra katrorë i shkojnë federatës, pra publikut, e gjithë pjesa tjetër prej 78 mijë metrash në zonën më të shtrenjtë të Tiranës ndahet mes Ramës dhe klientelës së tij.

Po ashtu, ky investigim nxjerr të tjera të palara, që firma fituese, është paracaktuar, përpara se të mbahej mbledhja ku është shpallur si e tillë, dhe ka qënë e vetme në garë.

Dhe nuk mungon në këtë aferë, një emër që lidhet me pazarat e përhershme të Edi Ramës me ndërtimet, që është Alban Eftimi i Atelie 4, pjesë e projektit në fjalë, siç zbulon investigimi mediatik.

Pra është kjo arsyeja, pse Edi Rama nuk bën publike, fsheh pikërisht pjesën më të rëndësishme të dokumentacionit që unë kam kërkuar zyrtarisht.

Partia Demokratike nuk do ta përligjë kurrë këtë projekt korruptiv dhe çdo hap që hidhet në drejtim të realizimit të tij do të trajtohet në kuadrin e ligjit anti-mafia sa i përket personave përgjegjës dhe pasurive të krijuara apo investuara.

Ne jemi për një stadium modern, sipas të gjitha standardeve olimpike, ku prioritet kanë hapësirat për qytetarët e për sportin, dhe jo qendrat tregtare, kullat dhe oligarkia që pastron paratë e pista të regjimit të korruptuar të Edi Ramës.


Deklaratë e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 31 maj 2016