Banorët ankohen për prerjen e pyjeve dhe ullishteve. Mjedisi i dëmtuar dhe miliona të çuara dëm pa asnjë transparencë 

Eshtë përkeqësuar gjendja në ullishtet e bregut ku prerja dhe shkatërrimi abuziv vazhdojnë pa ndërprerje.

Banorë të zonës ankohen dhe akuzojnë qeverinë.

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike Jamarbër Malltezi, e pa nga afër situatën e prerjes së ullishteve e zëvendësimit të tyre me investime të panevojshme dhe abuzive duke shpërdoruar taksat e duke dëmtuar mjedisin.

“Këtu kemi të bëjmë me një dëmtim mjedisor të përmasave të mëdha. Dëmtimi mjedisor përfshin qoftë natyrën e egër, qoftë edhe fushat me ullishte. Janë me dhjetëra hektarë pyll natyral, janë me dhjetëra hektarë ullishte që janë prerë për të hapur një rrugë të çuditshme pa patur as edhe një vlerësim të mirëfilltë mjedisor. Se përse duhej të bëhej ky dëm, ndërkohë që këtu mund të kishe rrugë ekzistuese të cilat mund të zgjeroheshin fare mirë me shumë pak para dhe shumë pak dëm mjedisor, kjo është krejtësisht e pashpjegueshme. Kjo është si të kesh inat me natyrën, si të kesh inat me ullishten dhe të çosh deri në fund kokëfortësinë tënde. Kjo nuk është mënyra më e mirë. Lufta dhe urrejtja ndaj natyrës”, tha Malltezi.

Duke iu referuar një investimi në rrugën e cila pretendohet të lidhë Labërinë me bregun, ish kryetari i qarkut në Vlorë, Nesti Dhimojani tha se kjo iniciativë është abuzive pasi rruga është tashmë ekzistuese dhe nuk është e nevojshme hapja e një rruge të re, gjë e cila dëshmon abuzim me fondet publike.

“Erdha për të vizituar rrugën e famshme që thuhet në rrjetet televizive, që do të bashkonte Vlorën me detin Jon. Por kjo rrugë që pash, jo vetëm që nuk i përket kësaj zone, sepse ne kemi patur rrugë të vjetra siç ishte rruga e Fterës, e Çolajt ose Pilurit që lidhte Labërinë me detin Jon, dhe jo Vlorën, se Vlora është e lidhur me detin Jon. Midis të tjerave pamë që investimi ekonomik është në shifra astronomike. Ku shihet se me këtë investim jo vetëm do kishim ndërtuar rrugët ekzistuese, që janë dhe me taban, do i shërbenin fshatrave të bregut të Vlorës dhe anën tjetër do të kishim kursim për të ndërtuar vepra të tjera. Po të shikojmë nga ana mjedisore, ambienti i cili është dëmtuar në mënyrë masive dhe është për të ardhur keq. Ata që pretendojnë për këtë rrugë se është lidhja e Labërisë me bregun, ajo është e lidhur me tradita, është lidhur me rrugë të vjetra ekzistuese kohë më parë, në të cilat ne kishim mundësi që me më pak investime dhe me më pak dëme për ambientin për të lidhur këto dy treva”, tha Dhimojani.

Në këtë projekt vihet re mungesa e një tabele e cila duhet të tregojë se kush e financon, kush e ndërton, kush ka bërë projektin, cilat parcela shpronësohen. Asnjë informacion i tillë nuk ekziston.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 2 maj 2016

Malltezi10 Malltezi11