Kryetari i Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit, z Genc Pollo vizitoi sot në spitalin e Traumës gazetarin e dhunuar barbarisht një natë më parë, Eduard Ilnica. Z Pollo u shpreh se dhunimi gazetarit përbën një kulm pas lajmeve për dhunë të shtuar në stadiume por më e rëndë është mungesa e reagimit nga qeveria. Kreu i komisionit të Medias u shpreh se kjo mungesë solidariteti nga qeveria është e patolerueshme dhe e pafalshme kur sipas informacioneve të para dhunuesi ishte kushëriri i Shullazit.
“Vizitova gazetarin Eduard Ilnica të dhunuar britalisht dje në darke nga një personazh që e mban veten për të fortë zone dhe shef sporti. Është një ngjarje kulmore në një sërë aktesh të dhunshme që kanë përfshirë stadiumet tona por fatkeqësisht nuk kemi parë reagime nga autoritetet duke filluar nga qeveria dhe ministria përgjegjëse për sportin. Sot arriti kulmin dhe unë dëshiroj që Eduard Ilnica të shërohet sa më parë. Të gjithë dëshirojnë që dhunuesit e tij të përballen ashtu siç duhet me ligjin. Po mendoj që askush nuk e kupton që as ministri i Brendshëm dhe as ministrja e Sporteve deri në këto moment nuk janë prononcuar. Nuk kanë dënuar dhunën brutale, nuk janë solidarizuar me gazetarin e plagosur rëndë. Ndoshta kjo ka të bëjë me personin dhunues sepse sipas informacioneve të para është kushëri i Shullazit. Por është e pafalshme, e patolerueshme. Është një izolim në raport me një opinion publik të shëndetshëm që dhunën nuk e ka pjesë të kulturës së përditshme dhe shpresoj që ky apel, që është për të gjitha ata sportdashës që ta lënë sportin në atë që është në thelbin e vetë, një garë e fisme që nxjerr në pah anët më të mira të natyrës njerëzore, dhe ti largohen çdo akti të dhunshëm nga cilido që mund të nxitet diçka e tillë sepse kjo vërtet na turpëron të gjithëve, të gjithë sportdashësit dhe të gjithë njerëzit e tjerë”, tha Pollo.
Më tej, kreu i komisionit tha se shpreson që të jetë rasti i fundit i dhunimit të një gazetari në një kohë që liria e medias është përkeqësuar. “Shpresoj vërtetë që të jetë rasti i fundit i dhunimit të një gazetari. Liria e shtypit në Shqipëri është në përkeqësim dhe raportet ndërkombëtare e klasifikojnë lirinë poshtë e më poshtë. Dhunimi i një gazetari nga persona të lidhur me të pushtetshmit dhe mosdënimi publik i aktit, mossolidarizimi publik me viktimën e përkeqëson më shumë këtë liri të shtypit tashmë në rënie”, tha Pollo.
Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 10 maj 2016