PD portal të posaçëm për denoncimin e zyrtarëve të inkriminuar
Basha: Le të jetë ligji për dekriminalizimin vendi ku bashkohen demokratë dhe socialistë për një Shqipëri të pastër nga krimi politik, për një Shqipëri europiane!
Platforma e PD për procesin zgjedhor: Votim biometrik, numërim elektronik, kontroll të plotë të financave të partive politike dhe kriminalizimin e donacioneve private përmes financimit 100% të partive nga buxheti i shtetit, kufizim i shpenzimeve në fushatë elektorale, dhe të gjithë aspektet e tjera që kanë të bëjnë me shkurtimin e duarve të korrupsionit dhe krimit nga vota e shqiptarit, hapësirë e barabartë të partive politike në media.
Basha: Pa një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme asgjë tjetër nuk do të funksionojë normalisht në këtë vend.
Sot është një ditë shumë e bukur, jo thjesht për nga moti, jo vetëm sepse është Dita e Europës por sepse është dita kur simboli i oligarkisë Koço Kokëdhima mori nga drejtësia shqiptare atë që shpresonte dhe dëshironte çdo qytetari këtij vendi, demokrat, socialist apo i paparti, heqjen e mandatit. Heqjen e mandatit për abuzimin me Kushtetutën, heqjen e mandatit për korrupsionin, heqjen e mandatit sepse ishte përfitues i parave të taksapaguesve shqiptarë ndërkohë që ishte betuar se do t’i mbronte paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Paratë që në vend që të kthehen në rroga më të larta, pensione më të larta, shkolla, ujësjellës, subvencione për bujqësinë, përfundojnë në xhepat e oligarkëve shqiptarë dhe kryeoligarkut të jugut Koço Kokëdhimës. Sot janë një kafshatë e ngelur në fytin e tij me këtë hap të parë që është heqja e mandatit të tij si deputet.
Kjo është jo vetëm një fitore e Partisë Demokratike që ka mbrojtur që prej fillimit drejtësinë e kauzës tonë në raport me Koço Kokëdhimën por është një fitore e të gjithë atyre që duan një politikë të pastër nga konflikti i interesit, një politikë të pastër nga ata që janë futur vetëm për të përfituar dhe fryrë xhepat e tyre, një politikë të pastër nga krimi. Pra, një politikë europiane Ditën e Europës.
Është po kështu një ditë e mirë sepse po fillojnë të kërcasin ingranazhet e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim nga pesha e ligjit të dekriminalizimit.
Partia Demokratike fton të gjithë qytetarët shqiptarë të bëhen pjesë e zbatimit të këtij ligji duke denoncuar pranë një portali të posaçëm që do të hapim që prej ditës së nesërme me informacione konkrete çfarë dinë ata për zyrtarët e inkriminuar në fshatin, qytetin, rrethin, qarkun e tyre, në çdo nivel nga drejtorë e zyrtarë ujësjellësash e deri tek anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, apo ministrat e kabinetit “Rama-Meta”. I ftoj pra qytetarët që duke filluar nga dita e nesërme të bëhen pjesë e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Së bashku ta bëjmë këtë ligj efektiv duke i larguar siç e meritojnë nga politika dhe nga vendimmarrja njerëzit me rekorde të tmerrshme kriminale.
Le të jetë ligji për dekriminalizimin vendi ku bashkohen demokratë dhe socialistë për një Shqipëri të pastër nga krimi politik, për një Shqipëri europiane!
Së treti, është një ditë e rëndësishme për demokracinë shqiptare. Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar finalizoi diskutimet për platformën për procesin zgjedhor ku vendosëm t’i propozojmë Komisionit Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore votimin elektronik me shenjat e gishtërinjve. Kontrollin e plotë të financave të partive politike dhe kriminalizimin e donacioneve private përmes financimit 100% të partive nga buxheti i shtetit. Kufizimin e shpenzimeve në fushatë elektorale, të parave që nuk i “pjell” gjeli i artë i ndonjë partie politike por janë para korrupsioni të kryer apo që pritet të kryhet apo paraprihet. Lirinë e medias dhe hapësirën e barabartë –“par condicio” të faktorëve politikë, të partive politike në hapësirën mediatike, në funksion të informimit të publikut dhe të tjerë parametra europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Natyrisht parametri i parametrave mbetet një qeveri teknike sepse Edi Rama tashmë është faktuar botërisht një person jo në gjendje për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Këto pra janë tre lajme të gëzueshme që dua të ndaj sot me qytetarët shqiptarë nga selia e PD, nga kryeselia e opozitës.
Së shpejti do të finalizojmë qëndrimin tonë për procesin zgjedhor bashkë me aleatët tanë dhe pres që brenda kësaj jave apo fillimi i javës së ardhshme Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, mazhoranca të ketë të parashtruar në mënyrë profesionale standardin europian të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, votimin biometrik, numërimin elektronik dhe të gjithë aspektet e tjera që kanë të bëjnë me shkurtimin e duarve të korrupsionit dhe krimit nga vota e shqiptarit.
Partia Demokratike dhe unë e kemi bërë të qartë prej fillimi, pa një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme asgjë tjetër nuk do të funksionojë normalisht në këtë vend.
Natyrisht ne jemi edhe sot kemi qenë pjesë dinjitoze e përpjekjes për një reformë në drejtësi, pa propagandë, pa shtirje siç bënë ata që thonë do ta votojmë pa e lexuar. Por me seriozitetin që meriton reforma në drejtësi jemi angazhuar dhe do të vazhdojmë të angazhohemi.
Por zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe gjithçka që ka të bëjë me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë prioritet i prioriteteve. Ua kam thënë dhjetëra herë këtu dhe në të tjera forume, dhe si të tilla janë dhe mbeten kusht absolut i Partisë Demokratike dhe i opozitës për gjithçka tjetër në këtë vend.
Pyetje: Z.Basha folët për lajme nga Grupi Parlamentar por ka pasur edhe debate sot?
Basha: Sigurisht ka patur dhe do të ketë gjithmonë e më shumë. Ky është standardi im si kryetar i Partisë Demokratike, parti e debatit, parti e rrahjes së mendimeve, parti e çdo demokrati, sigurisht edhe e çdo deputeti. Kjo ishte mbledhje e Grupit Parlamentar dhe deputetët do të japin mendimet e tyre dhe në fund fare do të vendosim të gjithë së bashku si një parti e bashkuar dhe e vlerave. Dhe sot kemi arsye bashkë me shqiptarët të jemi edhe më me shumë besim se bashkimi rreth Partisë Demokratike, rreth vlerave, rreth vlerave e jo sloganeve po fillon të japë rezultat.
Prononcimi per mediat i kryetarit te Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, 9 Maj 2016