Para pak ditësh, i fundmi i listës së “Rilindjes”, Koço Kokëdhima, iu bashkua listës nr.2 të “Rilindjes” që tashmë është ose jashtë parlamentit ose në burg. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese besoj se është mirëpritur jo vetëm nga opozita jo vetëm nga publiku shqiptar por kam përshtypjen është mirëpritur dhe nga pjesë e grupit socialist këtu në parlament. Për fat të keq ka një njeri që nuk e mirëpriti këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ai është kryeministri Rama cili që në fillim megjithëse e dinte shumë mirë se Koço Kokëdhima kishte shkelur Kushtetutën me vetëdije me vullnet të lirë, u përpoq të pengojë vendosjen e drejtësisë , zbatimin e Kushtetutës së këtij vendi. Që në fillim e urdhëroi grupin e tij të votontë kundër vajtjes së çështjes Kokëdhima përpara Gjykatës Kushtetuese. Më pas kur Gjykata Kushtetuese mori vendim dhe detyroi grupin parlamentar socialist ta dërgonte Kokëdhimën përballë drejtësisë, prapë u bënë të gjitha përpjekjet, presion ndaj gjykatës, zgjatje të zbardhjes së vendimit të parë të Gjykatës Kushtetuese dhe çdo formë tjetër për të penguar që Koço Kokëdhima të largohej nga ky parlament sepse duam apo s’duam ne ai dhe pjesa tjetër e rilindasve që tashmë nuk janë në këtë parlament, janë simboli i vërtetë i Parlamentit të Edi Ramës sepse për fat të keq ky është një shtet i Edi Ramës, i atij që thotë po bëjmë shtet.
Është shteti që kalon nga Sajmir Tahiri tek Habilajt, nga Koço tek Balilajt. Është shteti që kalon nga çunat e Balës tek Erion Veliaj, nga Rama tek Shullazi . Ky është shteti që ka ngritur Edi Rama, ky është shteti të cilit ne i jemi ngritur kundër dhe jo vetëm ne por të gjithë qytetarët shqiptarë. Brenda këtij rrethi lëvizin të gjitha segmentet e këtij të ashtëquajturi shtet, nga krimi i madh tek krimi i vogël dhe anasjelltas.
Dhe nuk e dimë se kush është kriminel më i madh ai që ka bërë trafik droge dhe prostitutash , apo këta që shkelin Kushtetutën? A është krim më i rëndë ai i Mark Frrokut apo i këtij që shkel Kushtetutën?
Për këtë arsye, ne sot kemi depozituar një amendament kushtetues, ku kërkojmë që në vazhdën e logjikës së Ligjit për Dekriminalizimin, jo vetëm kriminelët ordinerë, trafikanët droge, prostitutash, vrasësh etj, që sot janë futur në listën e dytë të Rilindjes, jashtë këtij parlamenti por dhe këta që kryejnë krime kushtetuese, të mos kenë të drejtë rizgjidhen as në këtë parlament dhe as në institucione të tjera shtetërore.
Pse? Sepse na ndodhi që Gjykata Kushtetuese e hoqi mandatin Beqës, ja hoqi sepse kishte shkelur Kushtetutën, sepse kishte abuzuar me fondet publike. I kishte marrë shqiptarëve paratë nga xhepi duke përfituar nga posti i tij. Dhe çfarë ndodhi, pasi Beqja shkoi në shtëpi ? Rama na e mori dhe na e riktheu ministër . Nga i dënuar nga Gjykata Kushtetuese, na u kthye ministër në qeverinë e Ramës.
Pse u bë kjo , për çfarë ndodhi? Është kthyer në lubinëi të kësaj qeverie, sepse i tillë është, ashtu është mësuar, të grabisë fondet publike. E njëjta gjë po përgatitet me Koçon. Nuk e dinë apo nuk e dinë këta, por pak rëndësi ka. Po përgatitet të sjellë Koçon Ministër të Turizmit.
Qeshni por fatkeqësisht , ky është problem që ne i marrim vesh gjërat para jush dhe ky është problemi juaj dhe jo i joni . Po përgatitet ta sjellë Kocon ministër të turizmit. Pse? Sepse duhet të vjedhë prapë, duhet të grabisë prapë. A e patë sa i mërzitur ishte kryeministri pas vendimit që u mor për Koçon? Dhe çfarë deklarate bëri? Dënimi i Kocos tha, ky vendimi i Gjykatës Kushtetuese , është arsyeja pse ne duhet të reformojmë drejtësinë. Sipas Ramës ky është koncepti dhe nuk është prova e parë për drejtësinë. Kush dënon oligarkët , kush dënon kriminelët e Ramës , është fajtor dhe duhet dënuar. Nuk e dëgjuat asnjëherë ta bëjë këtë deklaratë Rama, kur gjykatësit liruan Xhuvanin, kur liruan Prengën, kur liruan Frrokun. Jo! I duartrokiti madje.
Se në fakt ishte ai që i bëri presion drejtësisë të merrte ato vendime. Por kur u dënua Koçon gjeti arsyen e vërtetë, sepse duhet reforma në drejtësi.
Sepse ky është koncepti i këtij kryeministri për drejtësinë . Megjithatë duke u rikthyer tek propozimi ynë , unë kërkoj që pavarësisht urdhrit politik që do të marrin , që bashkë me ndryshimet e tjera kushtetuese, deputetët socialistë ti bashkohen grupit të PD-së dhe ta votojnë këtë amendament. Ne këtë amendament e kemi cilësuar Amendamenti i Dekusarizimit .Pas dekriminalizimit hadje të bëjmë bashkë pa ju detyruar kush, si tek Dekriminalizimi, hadje ta bëjmë dhe Dekusarizimin që, Kocot, Beqet dhe kush me vetëdije, vjedhin paratë e shqiptarëve, të mos kenë të drejtën të rikthehen në Parlament apo edhe në Qeveri.
Fjala në Kuvend e kreut te grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 12 maj 2016