Media italiane po konfirmon dhe thellon dyshimet në lidhje me paisjen e përgjimit që ka hyrë në Shqipëri dhe që sipas tyre gjendet në ambasadën italiane.
Media italiane jo vetem vë theksin tek futja e paisjes në mënyrë të paligjshme, pa u regjistruar apo deklaruar, por eshte ngritur alarmi per përdorimin e saj pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Dhe pyetja që ngre gazeta “Il Fatto Quotidiano”, është kjo:
Nëse paisja do të përdorej vetëm për trainimin e punonjësve të policisë shqiptare, atëherë përse ajo nuk është deklaruar, përse është mbajtur e fshehtë.
Skandali i përgjimit të paligjshëm ka tronditur tashmë edhe vendin fqinj.
Media italiane flet për dyshime, për lidhje në konflikt interesi me kompaninë prodhuese të paisjes së gjurmimit.
Megjithëse çështja po ndërkombëtarizohet, sërish Rama nuk jep asnjë shpjegim para opinionit publik, përse u fut paisja në mënyrë të paligjshme, përse u përdor pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm, kush e përdori, kush u përgjua.
Sa më shumë hesht Edi Rama, aq më shumë rriten përmasat e shkeljes së ligjit, të kushtetutës, të sigurisë kombëtare, të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
Ashtu si Partia Demokratike, si qytetarët, opinioni publik, edhe media italiane thekson se kjo histori ka nevojë për transparencë.
Duhet zbardhje e plotë e kësaj afere, e këtij krimi shtetëror. Dhe përgjegjësit me Saimir Tahirin në krye të dalin pa vonesë para ligjit. Prokuroria duhet të hetojë në mënyrë të plotë e të pandikuar dhe për këtë lypset largimi i menjëhershëm i Sajmir Tahirit.
Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka, 27 maj 2016